Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës mori vendim për 8 ankesa

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 8 ankesa, duke vendosur për to në mënyra të ndryshme. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë miratuar tri prej tyre, një ankesë është miratuar pjesërisht, dy janë refuzuar, ndërsa dy të tjera janë shpallur të patrajtueshme.

Ankesat e shqyrtuara kishin të bënin me pretendime për shkelje të kapitujve të ndryshëm të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përfshirë raportimin e së vërtetës, të drejtën për t’u përgjigjur, trajtimin e personave të përfshirë në incidente dhe vepra penale, mbrojtjen e të miturve, privatësinë dhe burimet gazetareske.

KMShK ka miratuar ankesën e Nasuf Hasanit kundër Insajderi.org, lidhur me shkrimin me titull “’Tragjedia’ e Avokatit të Kryeparlamentares: Kur Oda e Avokatëve të lë pa ‘Kënaqësi Jete’”, duke konstatuar shkelje të Kapitujve II dhe IV të Kodit, që lidhen me raportimin e së vërtetës dhe të drejtën për t’u përgjigjur.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, është miratuar ankesa e Kushtrim Reshitajt kundër Rahoveci24.com për publikimin e fotografisë së një mituri dhe përdorimin e cilësimeve ndaj tij, me konstatimin e shkeljes së Kapitullit VI që rregullon raportimin për të miturit. KMShK ka miratuar edhe ankesën e Fatjon Bytyqit kundër Sinjali.com, për publikimin e fotografisë së një qytetari dhe pretendimet se ai është kryes i veprave penale, duke konstatuar shkelje të Kapitullit V, që lidhet me prezumimin e pafajësisë.

Ndërkohë, është miratuar pjesërisht ankesa e Ministrisë së Sportit dhe Rinisë kundër Nacionale.com, lidhur me pretendimet për largimin e një fotografie nga zyra e ministrit, ku është konstatuar shkelje e pjesshme e Kapitullit II të Kodit për raportimin e së vërtetës.

Nga ana tjetër, KMShK ka refuzuar ankesën e Granit Gojanit kundër Nacionale.com, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe VII të Kodit, si dhe ankesën e Ardian Berishës kundër Buletini Ekonomik, ku po ashtu nuk janë gjetur shkelje të Kapitujve II dhe IV.

Dy ankesa janë shpallur të patrajtueshme: ajo e Limi Project Sh.P.K dhe Rinesa Sh.P.K kundër gazetarit Berat Buzhala, për shkak se KMShK nuk ka kompetencë për ankesa ndaj individëve, si dhe ankesa e Adriana Hoxhiqit kundër faqes në Facebook “Veriu i Kosovës”, pasi organi nuk trajton përmbajtje të publikuara në rrjete sociale.