Kontradiktat e përhershme mes pozitës dhe opozitës për gjendjen energjetike në vend

Kuvendi i Kosovës

Deputetët opozitarë edhe në seancën e djeshme e akuzuan Qeverinë aktuale për, siç thanë, gjendjen e rënduar në sektorin e energjisë, duke shprehur shqetësime për çmimin e lartë të rrymës, mungesën e prodhimit dhe dyshime për manipulime me faturim, ndërkohë që të gjitha këto akuza u hodhën poshtë nga ministrat e Kurtit.

Buletini Ekonomik

Në mbledhjen e djeshme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur nga 42 deputetë (të opozitës) për të debatuar për gjendjen në sektorin e energjisë, për shkak të vlerësimeve radikalisht kontradiktore (për shumëkë të pritshme) opozitë – pozitë, publiku nuk u informua edhe aq shumë për gjendjen reale energjetike në vend. Praktikisht, nga shumica e folësve u përsëritën vlerësimet, të dhënat, por edhe perceptime për gjendjen elektroenergjetike të vendit. Deputetë opozitarë e akuzuan Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti për, siç thanë, gjendjen e rënduar në sektorin e energjisë, duke shprehur shqetësime për çmimin e lartë të rrymës, mungesën e prodhimit dhe dyshime për manipulime me faturim, ndërkohë të gjitha këto akuza u hodhën poshtë nga ministrat e Kurtit.

Reklama e sponzorizuar

Opinioni, në një farë mënyre, mbeti i paqartësuar rreth shumë të dhënave, të paraqitura ndryshe nga opozita dhe krejt ndryshe nga deputetët e mazhorancës edhe në këtë seancë. Ishin shumë divergjente shifrat e dëgjuara nga përfaqësues të opozitës dhe atyre të pushtetit, bie fjala, rreth importit të energjisë elektrike gjatë vitit të kaluar. Deputeti Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në opozitë tha dje se të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se vendi kishte importuar rrymë në vlerë të rreth 248 milionë eurove në periudhën janar-nëntor 2025, ndërsa kishte eksportuar në vlerë të rreth 48 milionë eurove. Të dhënat e tij i përgënjeshtroi, po kështu me të dhëna të tjera të importit, ministrja Artane Rizvanolli. Sipas saj, 176 milionë euro ishte importi i energjisë elektrike në vitin 2025. “Ndër gënjeshtrat më të mëdha që është thënë këto vite e këta muaj, se importi ka qenë 250 euro vitin e kaluar. Ju e keni lexuar shifrën, por jo edhe fusnotën, e cila tregon që aty përfshihet edhe energjia që kalon tranzit nëpër Kosovë. Këtë gënjeshtër e thoni vazhdimisht”, reagoi ministrja ndaj të dhënave të deputetit të PDK-së. Pas paraqitjes së këtyre shifrave në seancën e Kuvendit dhe nga përfaqësues të popullit, si do ta ketë të qartë publiku për sasinë reale të importuar në vitin e kaluar. Mbetet çështje kujt t’i besohet, cilat të dhëna janë reale dhe cilat, të shpifura. Kontradikta të theksueshme pati edhe rreth çmimit të energjisë elektrike në vend. Opozitarët ngritën zërin për çmime enorme të larta të rrymës në Kosovë, ndërkohë po në këtë seancë, ministrja Rizvanolli tha se çmimi i energjisë elektrike mbetet më i ulëti në rajon duke krahasuar çmimet me Shqipërinë, Maqedoninë e Serbinë dhe duke e akuzuar opozitën për “shpifje”.

Por, as nga opozita dhe as nga pozita nuk u dëgjua asnjë fjalë për koston që ka të bëjë me devijimet që shkaktojnë në rrjetin interkonektiv evropian operatorët nga Kosova, si KESCO, KEDS, KEK dhe prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme. Një hulumtim disamujor i Buletinit Ekonomik, i publikuar në fillim të këtij viti, gjeti se rritja e kësaj kostoje erdhi kryesisht për shkak të dështimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në mbikëqyrje të sektorit. Në mungesë të një tregu funksional të balancimit dhe neglizhencës së ZRRE-së në mbikëqyrje, në Kosovë barra financiare për jo-balancat u ngarkohet konsumatorëve në tarifa. Ose, rreth 40 milionë euro pritet të ngarkohen sivjet në tarifat e energjisë elektrike në emër të ‘shërbimeve ndihmëse’, apo energjisë së blerë për balancim të sistemit elektroenergjetik. Kjo është dyfish më shumë krahasuar me vitin 2024, kur për këtë kosto ishin ngarkuar në tarifa rreth 20 milionë euro. Ndërsa, në seancën e Kuvendit të Kosovës, kushtuar gjendjes energjetike në vend, heshtet, edhe nga deputetët e pozitës edhe nga ata të opozitës, ky fakt.

Sidoqoftë, për të pasur parasysh çmimet reale të energjisë elektrike në Kosovë, Buletini Ekonomik sot po ripërsërit tarifat aktuale të rrymës në vend: Dihet se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë ndryshon varësisht nga koha e shpenzimit. Tarifa e lartë shfrytëzohet gjatë ditës dhe tarifa e ulët gjatë natës. Kjo e fundit, gjatë dimrit aplikohet në periudhën 22:00–07:00, ndërsa gjatë verës nga ora 23:00–08:00.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 centë nëse e tejkalojnë këtë prag.

Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 centë kilovatin, ndërsa 7.28 centë nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.

Këto janë çmimet e energjisë elektrike në Kosovë, ndërsa konsumatori i ndërgjegjshëm fare lehtë mund të bëjë krahasime me çmimet e rrymës në të gjitha shtetet e rajonit.
Dihet po kështu, se ka pasur vazhdimisht rritje të çmimit të tarifave në vitet paraprake, ndërsa sivjet rregullatori i energjisë, ZRRE, ka propozuar që të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike për këtë vit. Publiku, gjithsesi, e ka parasysh edhe gjendjen e vështirë elektroenergjetike në vend, e cila nuk e ka zanafillën tani, as vetëm në vitet e qeverisjes së Kurtit, por shumë më herët, që nga paslufta, dhe po kështu e di se asnjëra nga qeveritë e deritashme nuk bëri thuaja asgjë për të ndërtuar kapacitete të reja të prodhimit të rrymës, qoftë nga qymyri, qoftë nga burime të rinovueshme, nuk bënë asgjë asnjë nga qeveritë e deritashme për të siguruar energji të bollshme për qytetarët e vet. Prandaj, fajësimet e subjekteve politike njëra ndaj tjetrës, ngritja e zërit, perceptimet dhe shpifjet eventuale për gjendjen e keqësuar energjetike në vend edhe në foltoret e parlamentit të vendit mbetën goxha të zbehta, madje edhe të pabesueshme për publikun. Tashmë publiku kosovar është mësuar me angazhimet e njëmendta dhe me angazhimet mediatike të secilit subjekt politik, por edhe të secilit deputet individualisht. /Buletini Ekonomik/