Deficiti tregtar i Kosovës ka shënuar rritje gjatë muajit mars 2026, duke arritur në 563.5 milionë euro, që është 5.2 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme të mallrave, eksporti në këtë muaj ka arritur në 88.4 milionë euro, ndërsa importi ka kapur vlerën e 651.8 milionë eurove, duke thelluar edhe më tej hendekun tregtar.
Pavarësisht rritjes së eksporteve për 18.2 për qind në krahasim me marsin e vitit 2025, ato vazhdojnë të mbulojnë vetëm 13.6 për qind të importeve, çka dëshmon për një raport ende të ulët ndërmjet prodhimit vendor dhe varësisë nga mallrat e importuara.
Në anën tjetër, importet janë rritur për 6.8 për qind, duke mbetur dukshëm më të larta në vlerë absolute, edhe pse ritmi i rritjes së eksporteve është më i shpejtë.
Sa i përket strukturës së eksporteve, pjesën më të madhe e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 26.2 për qind. Pas tyre renditen plastika, goma dhe artikujt përkatës me 12.4 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11.1 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8.3 për qind, si dhe tekstili me 8.2 për qind.
Në import, dominon furnizimi me produkte minerale me 14.5 për qind, pasuar nga makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 14.3 për qind. Ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, si dhe mjetet e transportit zënë nga 10.6 për qind secila, ndërsa metalet bazë përbëjnë 10 për qind të importeve.
Eksportet drejt vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 29.3 milionë euro, ose 33.2 për qind të totalit, me rritje prej 12.9 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë në këtë zonë janë Gjermania, Italia dhe Holanda.
Ndërkohë, importet nga BE-ja arritën në 284.1 milionë euro, ose 43.6 për qind të importeve totale, me rritje prej 14.1 për qind, ku dominon Gjermania, e ndjekur nga Italia dhe Polonia.
Sa i përket vendeve të CEFTA-s, eksportet arritën në 40.8 milionë euro, ose 46.2 për qind të totalit, me rritje prej 21.8 për qind. Partnerët kryesorë janë Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi.
Importet nga CEFTA ranë në 78.1 milionë euro, ose 12 për qind të totalit, duke shënuar rënie prej 23.1 për qind.
Në tregjet e tjera, eksportet arritën në 18.2 milionë euro, ku dallohen Zvicra dhe Turqia si partnerë kryesorë. Ndërkohë, importet nga këto vende kapën vlerën e 289.6 milionë eurove, me pjesëmarrje të lartë nga Kina dhe Turqia. /Buletini Ekonomik/








