67.1% më shumë denoncime: ATK intensifikon luftën kundër evazionit tatimor

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar për rezultatet e arritura falë denoncimeve të qytetarëve dhe veprimeve të ndërmarra në terren, në kuadër të luftimit të ekonomisë joformale dhe rritjes së disiplinës tatimore.

Sipas një komunikate për media, gjatë periudhës raportuese janë pranuar gjithsej 924 denoncime, që paraqet një rritje prej 67.1% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Këto denoncime kanë shërbyer si bazë për zhvillimin e aktiviteteve inspektuese dhe verifikuese.

Si rezultat i këtyre veprimeve, ATK ka shqiptuar 269 gjoba, me një vlerë totale prej rreth 130,316 euro.

Reklama e sponzorizuar

Veprimet në terren kanë ndikuar edhe në rritjen e transparencës financiare. Si rrjedhojë, janë deklaruar rreth 396,127 euro qarkullim dhe 29,254 euro Tatim mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Në aspektin social, aktivitetet e realizuara kanë kontribuar në formalizimin e tregut të punës, ku janë regjistruar 76 punëtorë.

ATK u bën thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të raportojnë parregullsitë përmes kanaleve zyrtare, duke theksuar se mbetet e përkushtuar për ndërtimin e një sistemi tatimor të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë.