Çmimet e ngritura më 2025 në Kosovë do të mbeten një hiçgjë krahasuar me çmimet e sivjetshme

Fotografi ilustruese

Sivjet ka vazhduar të ndodhë ngritje e madhe çmimesh të shumë produkteve, e sidomos të prodhimeve bazike ushqimore, që po ndikojnë dukshëm në ç’ekuilibrimin evident të gjendjes sociale te shumica e kosovarëve të varfër. Tregtarët, por edhe prodhuesit dhe pronarët e bizneseve shërbyese në Kosovë, sidomos ata të pandërgjegjshmit, nuk rreshtin së ngrituri çmimet, sidomos të produkteve të cilat kanë ndikim të qenësishëm në mirëqenien e kosovarëve.

Buletini Ekonomik

Reklama e sponzorizuar

Çmimet e konsumit në Kosovë gjatë vitit 2025 janë rritur me një mesatare prej 3.9 për qind, krahasuar me vitin 2024, sipas indeksit të tërësishëm të harmonizuar të çmimeve të konsumit, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Por, siç kanë nisur të rriten çmimet sivjet, që në muajin e parë të 2026-tës, dhe siç kanë vazhduar të ngrihen suksesivisht në muajt në vazhdim të këtij viti, çmimet e ngritura më 2025 do të mbeten një hiçgjë krahasuar me çmimet e sivjetshme, që nuk prajnë së shkuari lart e më lart.

Sivjet, pra, ka rinisur dhe ka vazhduar të ndodhë ngritje e madhe çmimesh të shumë produkteve, e sidomos të prodhimeve bazike ushqimore, që po ndikojnë dukshëm në ç’ekuilibrimin evident të gjendjes sociale te shumica e kosovarëve të varfër. Çmimet në Kosovë po vazhdojnë të ngrihen hovshëm dhe përditë. Tregtarët, por edhe prodhuesit dhe pronarët e bizneseve shërbyese në Kosovë, sidomos ata të pandërgjegjshmit, nuk rreshtin së ngrituri çmimet, sidomos të produkteve bazë ushqimore, të cilat kanë ndikim të qenësishëm në mirëqenien e kosovarëve.

Për ta, për tregtarët e pandershëm dhe të prirur për të shfrytëzuar situatat kaotike, janë thuaja të panjohura rezolutat, rekomandimet dhe sugjerimet e autoriteteve dhe zyrtarëve të vendit. Ngritje e madhe dhe e vrullshme çmimesh po ndodhin pikërisht vetëm disa ditë pas miratimit të Rezolutës nga Kuvendi i Kosovës për frenimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë dhe disa ditë pas paralajmërimeve zyrtare për monitorim rigoroz ndaj tregtarëve abuzues.

Ditëve të fundit, sërish ka rinisur të ndodhë ngritje e madhe çmimesh të shumë produkteve, e sidomos të prodhimeve bazike ushqimore, që po ndikojnë dukshëm te ç’ekuilibrimi evident i gjendjes sociale te shumica e kosovarëve të varfër.

Shumica e produkteve bazike ushqimore (buka, mishi i viçit dhe ai i pulës, shumë produkte të qumështit) kanë shënuar rritje çmimesh edhe krahasuar me pak kohë dhe ditë më parë, dhe krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Buka, ajo standardja, tani në shumë furra të Kosovës kushton 10 centë, pjekurinat e tjera, të gjitha pa dallim, kushtojnë shumë më shumë, disa edhe dyfishin e çmimit të muajve më parë. Mishi i viçit tani kushton nga 14 deri në 19 e 20 euro, detergjentet, shumica e tyre, kanë tani çmime ndjeshëm më të larta se muaj më parë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rritje të ndjeshme të çmimeve në muajin mars të këtij viti janë shënuar edhe në një varg produktesh dhe shërbimesh, ndërsa çmimet e rritura që patën ndikim më të theksuar në nivelin e çmimeve të ngritura, sipas ASK-së, janë sektori i transportit (shërbimet që lidhen me pajisje të transportit personal, që kanë shënuar rritje 42.5 për qind), furnizimi me ujë (dihet ngritja mbi 40 për qind e çmimit të ujit në Kosovë muaj më parë), shërbimet që lidhen me banimin, gjithsesi karburantet me çmimet e shkuara në stratosferë pas luftërave në Lindjen e Mesme.

Alarmuese gjendjen e krijuar në Kosovë si pasojë e ngritjes enorme të çmimeve e bëjnë të dhënat e institucioneve financiare ndërkombëtare. Në bazë të të dhënave, Kosova ka shënuar nivel rekord të inflacionit. Sipas të dhënave të ATK-së, të ripërsëritura në këtë shkrim, inflacioni në Kosovë në muajin mars ishte praktikisht mbi dyfishin e mesatares në Evropë dhe në Shqipëri.

Siç shihet nga të dhënat e muajit mars, inflacioni dy herë e më shumë se sa në Shqipëri është rrjedhojë kryekëput e shpërthimit të çmimeve në muajin e shkuar, duke filluar nga çmimet e produkteve bujqësore dhe ushqimore dhe për të arritur kulmi i ngritjes me çmimet e karburanteve.

Sipas të dhënave të ATK-së, inflacioni vjetor në muajin mars në Kosovë ka arritur në 6.7%, ndërsa inflacioni mujor është regjistruar në 1.5% krahasuar me muajin shkurt. Rritja mujore është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve dhe lubrifikantëve, nga rritja e çmimeve të transportit, si dhe nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore si perimet, mishi dhe pemët.

Domosdo, ndikim në indeksin e përgjithshëm të çmimeve në muajin mars ka pasur rritja enorme e çmimit të karburanteve.

Gjatë më shumë se një muaji të luftërave në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës së papërpunuar në Kosovë është rritur deri në gati 50 për qind për një litër. Kjo rritje është rrjedhojë e gjendjes së krijuar në tregjet globale dhe evropiane të karburanteve, si pasojë e krizës së naftës, e krijuar nga luftërat SHBA-Izrael kundër Iranit dhe, domosdo, pasojë e varshmërisë së tërësishme të Kosovës nga importet e naftës.

Masa e ndërmarrë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), në përpjekje për të kontrolluar tregun (është përcaktuar një marzhë maksimale e fitimit për derivatet e tregtuara të naftës, duke kufizuar kështu hapësirën e fitimit për tregtarët, ose është përcaktuar tashmë, në një farë mënyre, çmimi tavan për tregtimin e naftës në vend), nuk është treguar edhe aq e efektshme tani për tani te bizneset konsumatorë të mëdhenj të naftës.

Shumë zëra nga bizneset (sektori më i prekur nga shtrenjtimi i derivateve të naftës në Kosovë është ai i prodhimit) thonë se kjo masë nuk është e mjaftueshme për të kompensuar rritjen e kostove të prodhimit nga çmimet e ngritura të naftës.

Ndërkohë, në Kosovë, në këto ditë krize, vështirë se mund të frenojë ndokush ngritjen enorme dhe, në shumë raste, të egër të çmimeve të shumicës së produkteve, e sidomos të atyre të domosdoshme për mbijetesë. Ndaljen e rritjes zinxhir të çmimeve në këto ditë krize, siç parashikojnë njohës të zhvillimeve ekonomike, nuk mund ta bëjë as Ligji për çmimet tavan, i miratuar kohë më parë nga institucionet vendimmarrëse të vendit.

Me fjalë të tjera, edhe në Kosovë rritja e çmimit të naftës, e shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme, vazhdon ta ketë efektin e pandalshëm zinxhir në treg, duke ngritur në qiell çmimet e shumë produkteve, edhe të atyre bujqësore, kryesisht të importuara aktualisht. Shto këtu edhe turravrapin e tregtarëve të pandërgjegjshëm, të cilët mezi kanë pritur momentin për keqpërdorimet e tyre edhe ordinere në ngritje çmimesh pa asnjë bazë dhe pa asnjë logjikë tregu.

Çmimet e ngritura në këto nivele në Kosovë po dëshmojnë se kostoja e jetesës në vend është bërë thuaja e barabartë me nivelet e shteteve anëtare të BE-së, ndërkohë që pagat dhe pensionet kanë ngecur në nivelet ndër më të ultat në Evropë dhe më gjerë.

Ekonomistët druajnë se pasojat e çrregullimit dhe lëkundjes aktuale të paqes sociale do të shihen më shumë më pastaj në Kosovën e varfër financiarisht dhe pa politika e strategji të mbrojtjes sociale të qytetarëve të vet, edhe si rrjedhojë e situatës politike, mungesës së institucioneve më të rëndësishme të vendit dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që nuk po ndalen. /Buletini Ekonomik/