Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të datës 15 maj 2026, me numër 1414, për kontrollin dhe autorizimin e përdorimit të vajit të palmës, produkteve të rikombinuara nga qumështi pluhur dhe përbërësve zëvendësues në produktet e qumështit.
Sipas Shoqatës, ky vendim “nuk është në frymën fillestare të trajtimit të problemit” dhe, sipas tyre, më shumë përbën legalizim të përdorimit të vajit të palmës sesa ndalim të tij.
Në reagim thuhet se vendimi përmban edhe kundërthënie, duke iu referuar Nenit 3, ku në pikën 1 përdorimi i yndyrave bimore dhe vajit të palmës konsiderohet veprimtari e veçantë që i nënshtrohet autorizimit dhe mbikëqyrjes së posaçme, ndërsa në pikën 3 aktivitetet lejohen pas autorizimit të posaçëm nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
“Pra, bazuar në nenin 3, vaji i palmës ndalohet në pikën 1 dhe lejohet në pikën 3 me autorizim të posaçëm”, thuhet në reagim.
Shoqata ka kritikuar edhe Nenin 6 të vendimit, që ka të bëjë me ndarjen funksionale dhe gjurmueshmërinë, duke vlerësuar se operatorët mund të vazhdojnë përpunimin e vajit të palmës në të njëjtat objekte dhe me pajisje të njëjta, me arsyetimin se bëhet fjalë për procese të ndara funksionalisht.
Po ashtu, sipas Shoqatës, vendimi nuk parasheh masa lidhur me produktet që tashmë ndodhen në treg apo në stoqe, si dhe nuk përcakton afat për tërheqjen apo shitjen e tyre.
Në reagim përmendet edhe faza tranzitore e paraparë në Nenin 10, për të cilën Shoqata vlerëson se “hap mundësinë që të mos ketë probleme sa i përket tregtimit të këtyre prodhimeve në tregun vendor”.
“Pra ky vendim më tepër duket si dorëzim sesa si zgjidhje dhe tejkalim. Ndërkohë vazhdojmë me probleme të njëjta”, thuhet në fund të reagimit të Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës. /Buletini Ekonomik/









