Dallueshmëritë ndërmjet tregjeve të paluajtshmërive në Kosovë dhe në Shqipëri

Sipas analizave, Shqipëria konsiderohet një nga tregjet më të lira dhe me potencial rritjeje në Evropë për blerjen e pronave. Qytetarët e Bashkimit Evropian përbëjnë rreth 61% të blerësve të huaj të pronave në Shqipëri. Në Kosovë nuk ka qytetarë të BE-së, përveç mërgimtarëve tanë, banues të përkohshëm qoftë edhe të përhershëm në ndonjërin nga shtetet e Bashkimit Evropian, blerës të huaj të paluajtshmërive.

Buletini Ekonomik

Tregu i pasurive të paluajtshme (i banesave, në radhë të parë, por edhe i hapësirave biznesore në raste më të pakta dhe i tokave – trojeve për ndërtime) në Kosovë dallon shumë nga tregjet e njëjta në shumicën e shteteve të rajonit. Dallimi i madh ekziston sidomos ndërmjet tregjeve të pasurive të paluajtshme në Kosovë dhe në Shqipëri.

Reklama e sponzorizuar

“Qytetarët e Bashkimit Evropian përbëjnë rreth 61% të blerësve të huaj të pronave në Shqipëri, duke përfituar nga procedura të konsoliduara dhe një treg i përshtatur për ta. Pasuritë e paluajtshme sollën më shumë se 34% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte vitin e kaluar, të cilat vitin që shkoi arritën vlerën e 561 milionë eurove”, thuhet në një analizë të platformës ndërkombëtare Investropa, të transmetuar nga Tvklan.al. Sipas analizës, Shqipëria konsiderohet një nga tregjet më të lira dhe me potencial rritjeje në Evropë për blerjen e pronave. Çmimet ende mbeten më të ulëta krahasuar me vende si Kroacia apo Greqia, ndërsa zhvillimi i turizmit po rrit interesin për investime afatgjata. Në fokus mbeten Tirana, Vlora, Saranda dhe zona e rivierës, ku kërkesa për apartamente dhe vila është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Sipas analizës, të huajt tërhiqen edhe nga mundësia për të gjeneruar të ardhura përmes qirave sezonale dhe platformave turistike.

“Tirana shihet si qendër biznesi dhe jetese, ndërsa bregdeti po shihet si investim turistik. Kjo ka sjellë rritje të kërkesës nga shtetas italianë, nordikë dhe evropianolindorë. Interesi po mbështetet shumë edhe nga zgjerimi i turizmit”, njoftohet në analizën e Investropa-s. Natyrisht, rritja e kërkesës po ndikon paralelisht edhe në rritjen e çmimeve, sidomos në zonat turistike, në bregdet dhe në kryeqytetin shqiptar.

Ndërkohë, në Kosovë dominon një situatë krejtësisht tjetër. Në Kosovë, përveç diasporës kosovare, praktikisht nuk ka blerës të huaj të paluajtshmërive ose të banesave. Nuk ka as qytetarë të BE-së, përveç mërgimtarëve tanë, banues të përkohshëm qoftë edhe të përhershëm në ndonjërin nga shtetet e Bashkimit Evropian, blerës të huaj të paluajtshmërive. Por pati edhe më 2025 shumë blerje të patundshmërive, sidomos të banesave, nga diaspora kosovare. Pati, pra, pjesëmarrje të madhe të parasë së mërgimtarëve tanë në rritjen e ndjeshme të investimeve të huaja direkte në Kosovë. Sipas një përmbledhjeje rajonale të flukseve të IHD-ve për vitin 2025, Kosova kishte tërhequr rreth 1.03 miliardë euro, ose kishte shënuar rritje vjetore prej 30 për qind të investimeve të huaja direkte, ndërsa një përqindje e madhe e këtyre investimeve i atribuohet parasë së mërgimtarëve tanë, të investuara në blerje të banesave. Nuk ka ndonjë të dhënë që flet për investime të të huajve në blerjen e pasurive të paluajtshme në Kosovë. Dhe tani, pas krizës së re politike dhe mungesës së sërishme të institucioneve më të rëndësishme të vendit, jo vetëm skeptikët parashohin tkurrjen e investimeve të huaja dhe ndaljen e trendeve imponuese të këtyre investimeve në Kosovë. Nuk bëhet fjalë që tani, pas krizës së sivjetshme politike, të huajt të investojnë në Kosovë, qoftë edhe në paluajtshmëri.

Dihet se investitorët e jashtëm, për sigurinë e investimeve të tyre, në radhë të parë kërkojnë institucione stabile dhe mjedis politikisht stabil, kërkojnë përfaqësues të institucioneve të shtetit me të cilët ata mund të bisedojnë dhe të marrin zotime, pse jo edhe garanci për sigurinë e parasë së tyre që do ta investonin në Kosovë. Blerësit e jashtëm kërkojnë mbrojtje të parasë së tyre, që investimet e tyre të jenë të sigurta dhe të mos cenohen nga krizat dhe pasiguritë eventuale politike. Ndërsa tani për tani, në rrethanat aktuale politike në vend, këto kërkesa nuk mund të zotohen e as të përmbushen nga institucionet në detyrë, as nga subjektet politike, të preokupuara qind për qind me zgjedhjet e pritshme. /Buletini Ekonomik/