MINTI gjobit KEDS-in me 40 mijë euro për njehsorët elektrikë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se ka gjobitur KEDS-in me 40 mijë euro pas verifikimeve të kryera mbi njehsorët elektrikë të konsumatorëve.

Gjatë mbledhjes së radhës të Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, u prezantua Draft Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit 2026–2030, si dhe u diskutua për masat konkrete të ndërmarra nga institucionet përgjegjëse në mbrojtje të qytetarëve.

Reklama e sponzorizuar

Në fokus të diskutimeve ishin aksionet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, të cilat janë përqendruar në monitorimin e çmimeve të derivateve, kontrollin e njehsorëve elektrikë dhe verifikimin e produkteve të qumështit me bazë bimore në treg.

Sipas të dhënave të prezantuara, procesi i verifikimit të njehsorëve elektrikë për konsumatorët që kanë paraqitur ankesa është duke vazhduar. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë janë kontrolluar 19 njehsorë elektrikë.

Nga këta, shtatë kanë rezultuar pa afat të vlefshmërisë, ndërsa një tjetër është konstatuar pa lejim tipi, çka ka nxitur ndërmarrjen e masave ligjore ndaj KEDS-it.

Raportet zyrtare të laboratorit tashmë janë proceduar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, i cili ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 40 mijë eurosh ndaj operatorit energjetik.

Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit ka diskutuar gjithashtu për mënyrat e trajtimit më të shpejtë të rasteve dhe kompensimin eventual të dëmit ndaj konsumatorëve të prekur.

MINTI bëri të ditur se gjatë tre muajve të fundit janë ndërmarrë një sërë masash proaktive për adresimin e ankesave të qytetarëve.

Sipas ministrisë, rritja prej 35 për qind e numrit të ankesave krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar konsiderohet tregues i rritjes së besimit të qytetarëve ndaj institucioneve. /Buletini Ekonomik/