MINTI shton kontrollet në tregun e produkteve të qumështit, 6 raste në procedurë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka intensifikuar kontrollet në tregun e produkteve të qumështit me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe rritjes së transparencës.

Gjatë këtyre aktiviteteve janë realizuar 7 inspektime në 4 qytete të Kosovës, ku si rezultat 6 raste janë aktualisht në procedurë, ndërsa 1 rast është mbyllur.

MINTI u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë kërkesat ligjore në fuqi, përfshirë Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe atë për Tregtinë e Brendshme. Sipas njoftimit, çdo produkt duhet të ketë deklarim të qartë dhe të dukshëm për përbërjen e tij, duke specifikuar nëse është produkt me bazë shtazore, bimore apo me bazë të qumështit pluhur.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, bizneset që merren me shitje me pakicë obligohen të ndajnë dhe prezantojnë qartë produktet në rafte sipas kategorive përkatëse.

Autoritetet kanë paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe se çdo shkelje e rregullave do të ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi.

Ndërkohë, qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo parregullsi në treg, përfshirë mungesën e etiketimit apo deklarimit të saktë të produkteve, përmes numrit të telefonit ose adresës elektronike të vënë në dispozicion nga institucionet.