Vetëm në sektorin e energjisë, Kosova rrezikon t’i humbasë 9.4 milionë euro nga Plani i Rritjes, për shkak të mosmiratimit nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për energjinë dhe Projektligjit për energjinë elektrike.
Kështu deklaroi ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e pyetur nga Kallxo.com se sa është shuma që Kosova rrezikon ta humbasë nëse reformat për Planin e Rritjes nuk miratohen deri në afatin skadues më 30.06.2026 . Megjithatë, ajo tregoi vetëm për sektorin që drejton – ekonominë.
“Sa i përket obligimeve të sektorit të energjisë dhe obligimeve tjera që ndërlidhen me Ministrinë e Ekonomisë, unë mund të them shifrën saktë për sektorin e energjisë – është rreth 9.4 milionë që rrezikojmë t’i humbim si rrjedhojë e mosmiratimit të dy ligjeve për energjinë që i kishin në Kuvend: Ligjin për energjinë elektrike dhe ligjin për energjinë”- tha ajo në një përgjigje për Kallxo.com në konferencë për media më 15.05.2026.
Ajo fajësoi partitë opozitare, që sipas saj, votuan kundër që këto ligje të miratoheshin me procedurë të përshpejtuar në lexim të dytë, duke pamundësuar miratimin e tyre.
“Më vjen keq që rrezikojmë, përveç nëse arrijmë në ndonjë mënyrë të negociojmë shtyrjen e afateve për shkak të gjendjes…”- tha ajo.
Ndërsa, sa i përket obligimeve tjera që varen nga ministrisë dhe Qeveria, por që nuk duhet të miratohen në Kuvend, ajo tha se Qeveria është brenda afateve dhe synohet që deri më 30 qershor të përmbushen të gjitha. Pjesa tjetër pastaj deri më 30 dhjetor.
Ndërkohë, për herë të parë në cilësinë e zyrtares kryesore që merret me procesin e zgjerimit, ndonëse këtë post e mban që nga dhjetori i vitit 2024, komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos do të vizitojë Kosovën më 15.05.2026.
Një ditë më parë, Kurti, paralajmëroi se Kosova rrezikon të humbasë miliona euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, pasi disa reforma kyçe duhet të miratohen deri më 30 qershor 2026.
Ai theksoi se, për shkak të mungesës së Kuvendit funksional, projektligjet e nevojshme nuk mund të procedohen dhe miratohen në kohë.Gjatë mbledhjes së parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ku u diskutua zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, Kurti bëri të ditur se 10 reforma skadojnë në fund të qershorit. Sipas tij, nëse ato nuk miratohen brenda afatit, Kosova do të humbasë një pjesë të fondeve të parapara nga ky plan.
“Kjo është vërtetë sfidë për neve si Qeveri dhe humbje e kohës dhe mjeteve për neve si shtet. Pikërisht për shkak që nuk kemi Kuvend por kemi zgjedhje, një numër i konsiderueshëm i reformave nga Plani i Rritjes nuk do të arrijnë të përmbyllen me sukses përbrenda afatit të paraparë dhe të paralajmëruar. Konkretisht kemi 10 reforma që skadojnë më 30 qershor. Nëntë prej tyre të cilat tashmë janë të rrezikuara duke shkaktuar humbje të milionave eurove”- tha Kurti.
Ai ritheksoi se Kosova është ndër vendet e para që ka përmbyllur reformat e Planit të Rritjes.
Ndryshe, këstin e parë ose disa mjete nga Plani i Rritjes i kanë marrë pesë shtete të rajonit, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës, e cila është vonuar me miratimin e agjendës reformuese.
Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro: 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë.
Më 13.02.2026, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimin Europian – Planin e Rritjes.
Kjo është një ndër marrëveshjet me vlerën më të madhe dhe më të rëndësishmet që përfiton Kosova.
Për shkak të ngërçit të gjatë politik dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Plani i Rritjes kishte mbetur pa u ratifikuar për më shumë se një vit, duke mbajtur pezull shumën prej 882 milionë eurosh.









