Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 14.05.2026 miratoi themelimin e Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë.
Ky Këshill shërben si një mekanizëm për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve.
Sipas Qeverisë, ky Këshill do të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe do të kontribuojë në avancimin e standardeve të sigurisë në punë, në përputhje me praktikat evropiane dhe legjislacionin vendor.
Qendra për Trajnime dhe Burime për Avokim (ATRC), në bashkëpunim me BIRN Kosova dhe Jahjaga Foundation përmes projektit “Të Drejtat e Punës për të Gjithë” përkrahur nga Bashkimi Evropian në Kosovë nëpërmjet Konsorciumit për të Drejta të Punës ka avokuar në vazhdimësi për funksionalizimin e Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë.
Sipas organizatave të shoqërisë civile, ky Këshill aktiv dhe gjithëpërfshirës do të mund të shërbente si një platformë reale për dialog social, për koordinim ndërinstitucional dhe për orientim strategjik të politikave në këtë fushë. Përmes tij do të krijohej mundësia që çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë të trajtohen në mënyrë të vazhdueshme, të strukturuar dhe në përputhje me standardet evropiane, duke reflektuar njëkohësisht nevojat konkrete të tregut të punës në Kosovë.
Për më tepër, përmes ATRC-së u dërgua një letër të ministri i Punës, Andin Hoti në fund të muajit prill 2026, duke theksuar se funksionimi efektiv i këtij mekanizmi do të kontribuonte edhe në adresimin më të mirë të çështjeve që lidhen me zhvillimin e legjislacionit, forcimin e kapaciteteve institucionale, funksionalizimin e sistemeve të besueshme të të dhënave, si dhe në avancimin e bashkëpunimit me mekanizma dhe rrjete ndërkombëtare relevante. Po ashtu se, kjo do të ishte njëkohësisht një dëshmi konkrete e angazhimit të institucioneve të Republikës së Kosovës për të avancuar standardet e punës dhe për të përmbushur obligimet që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian.











