Kosova edhe në qershor, e dyta në Europë për nga lartësia e inflacionit

Foto ilustrim

Në fund të qershorit të sivjetshëm, renditja e shkallës së inflacionit në shtetet e Europës nuk ka ndryshuar shumë në krahasim me muajin mars. Rritja më e lartë e çmimeve në muajin qershor u regjistrua sërish në Rumani me 9.2 për qind, e ndjekur nga Kosova me 6 për qind (në mars, Kosova kishte shkallën e inflacionit 6,5 për qind) dhe Gjeorgjia me 5.6 për qind.

Buletini Ekonomik

Nuk ka ndryshuar shumë renditja e shteteve të Europës dhe të rajonit për shkallën e lartë të inflacionit në fund të qershorit, krahasuar me renditjen në fund të marsit, ose në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Ndër vendet me normën më të lartë të çmimeve në Europë gjatë marsit të këtij viti ishin Rumania me 9 për qind, Kosova me 6.5 për qind, Islanda me 5 për qind dhe Maqedonia e Veriut me 4.9 për qind. Saktësisht, Kosova rangohej në vendin e dytë në Europë sa i përket lartësisë së inflacionit në muajin mars, ose që Kosova rangohej në vendin e dytë në kontinentin e vjetër edhe për nga rritja e çmimeve.

Po e përsërisim se, sipas të dhënave të ASK-së, inflacioni vjetor në muajin mars në Kosovë kishte arritur në 6.7%, ndërsa inflacioni mujor ishte 1.5% krahasuar me muajin shkurt. Rritja mujore në mars është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve dhe lubrifikantëve, nga rritja e çmimeve të transportit, si dhe nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore si perimet, mishi dhe pemët.

Ndërkohë, në fund të qershorit të sivjetshëm, renditja e shkallës së inflacionit në shtetet e Europës nuk ka ndryshuar shumë në krahasim me muajin mars. Rritja më e lartë e çmimeve u regjistrua sërish në Rumani me 9.2 për qind, e ndjekur, po kështu sikundër në muajin mars, nga Kosova me 6 për qind (në mars, Kosova kishte shkallën e inflacionit 6.5 për qind) dhe Gjeorgjia me 5.6 për qind.

Në Shqipëri, në qershor inflacioni u regjistrua të jetë 3.2%, që është një rritje e konsiderueshme në krahasim me muajin mars 2026. Sipas të dhënave, në muajin mars të këtij viti, në Shqipëri çmimet ishin rritur me 2.6 për qind dhe, njëkohësisht, inflacioni sipas INSTAT-it për të njëjtën periudhë fiksohej po në të njëjtën normë (2,6 për qind). Këto të dhëna e poziciononin Shqipërinë me inflacion më të ulët se mesatarja europiane gjatë marsit të vitit 2026 dhe tregonin se çmimet në Shqipëri në mars ishin më të lira se mesatarja europiane. Njëkohësisht, sipas të dhënave, çmimet dhe inflacioni në Kosovë në muajin mars ishin praktikisht dyfishin e mesatares në Europë dhe në Shqipëri.

Ndërkohë, në Shqipëri gjatë muajit qershor inflacioni i matur nga INSTAT-i ishte 3.2 për qind, ose Shqipëria në qershor ka regjistruar një normë inflacioni më të lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila në qershor ishte 2.9%. Shqipëria tani renditet në të njëjtin nivel me Austrinë, Islandën dhe Qipron, ndërsa në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria pozicionohet më mirë se Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Kroacia, ku inflacioni luhatet nga 3.5% në 4.2%. Rritja e çmimeve në Shqipëri mbetet më e lartë se në Serbi, ku norma ishte 3%, si edhe se në disa prej ekonomive kryesore europiane, përfshirë Italinë, Gjermaninë dhe Francën.

Sipas vlerësimeve të ASK-së, edhe në qershor inflacioni në Kosovë është afërsisht dy herë më i lartë se në Shqipëri dhe është rrjedhojë kryekëput e ngritjes së çmimeve nga marsi deri në qershor, duke filluar nga çmimet e produkteve bujqësore dhe ushqimore dhe duke arritur kulmin e rritjes me çmimet e karburanteve, transportit etj.

Me fjalë të tjera, edhe në Kosovë rritja e çmimit të naftës, e shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme, vazhdon ta ketë efektin e pandalshëm zinxhiror në treg, duke ngritur në qiell çmimet e shumë produkteve, edhe të atyre bujqësore, qofshin vendore, qofshin të importuara.

Ndikim të padiskutueshëm në përmasat e inflacionit në mars, ndër më të lartat në Europë dhe në rajon, patjetër që patën çmimet e ngritura të produkteve ushqimore dhe të atyre elementare të përditshme, për çka në detaje ka raportuar tashmë Buletini Ekonomik.

MË SHUMË:

Çmimet e ushqimeve diktojnë inflacionin e lartë në Kosovë

Çmimet e ngritura në këto nivele në Kosovë po dëshmojnë se kostoja e jetesës në vend është bërë thuajse e barabartë me nivelet e shteteve anëtare të BE-së, ndërkohë që pagat dhe pensionet kanë ngecur në nivelet ndër më të ulëtat në Europë dhe më gjerë.

Ekspertë të ekonomisë, përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e konsumatorit dhe të asociacioneve të ndryshme që trajtojnë situatën sociale në vend, për gjendjen e krijuar sociale nga çmimet e shfrenuara gjithnjë e më zëshëm po e shfaqin shqetësimin e tyre. Sipas tyre, rritja e inflacionit po ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e standardit jetësor të qytetarëve, duke i detyruar ata të paguajnë më shumë dhe të konsumojnë më pak. /Buletini Ekonomik/