Shkaqet e rënies së shitblerjes së banesave, pronarët e agjencive të paluajtshmërive në Prishtinë i shohin te ngritja enorme e çmimit të një metri katror të banesave, te ngritja e çmimit të materialeve ndërtimore dhe te ngopja dhe stërngopja e kërkesave për banesa. Tani kosovarët “sytë” për të blerë banesa i kanë në zonat e bregdetit shqiptar.
Buletini Ekonomik
“Nëse vazhdon kështu të bjerë shitblerja e patundshmërive në përgjithësi dhe e banesave në veçanti, detyrimisht më duhet ta mbyll agjencinë”, i ka thënë Buletinit Ekonomik Sherif Spahija, pronar i Agjencisë së tregtimit të paluajtshmërive “Era”, me seli thuajse në qendër të Prishtinës, gjegjësisht në lagjen “Pejton”.
“Nuk ka fare shitblerje tash e sa muaj, as të tokave, as të banesave”, thotë ai.
Spahija, shkaqet e rënies i sheh te ngritja enorme e çmimit të një metri katror të banesave, te ngritja e çmimit të materialeve ndërtimore dhe te ngopja dhe stërngopja e kërkesave për banesa. Por Spahija apostrofon edhe një konditë tjetër që del të jetë interesante për shkaqet e tkurrjes kaq të madhe të shitblerjes së banesave në Prishtinë, por edhe në qendrat e tjera komunale të Kosovës.
Spahija thotë se ndër shkaqet me shumë ndikim në rënien kaq të madhe të shitblerjeve të banesave në Kosovë është interesimi i shtuar i kosovarëve për të blerë banesa në Shqipëri, sidomos në bregdetin shqiptar. Ka disa muaj që kosovarët, ata me mundësi financiare, më nuk janë të interesuar që paratë e tyre t’i investojnë në blerjen e banesës së dytë apo edhe të tretë në Prishtinë apo gjetiu në qytetet e tjera të Kosovës. Tani e disa muaj qytetarët e kamur kosovarë e kanë aktualizuar në masë të madhe blerjen e banesave në bregdetin e Shqipërisë.
Vëmendja, pra, e kosovarëve tani është e përqendruar në sigurimin e një banese pranë detit në Shqipëri, dhe për këtë sikur po ngarendin edhe për shkak të rritjes së çmimeve aktuale, që realisht janë jashtëzakonisht të larta, por që ka paralajmërime se trendi i ngritjes së çmimeve në bregdetin shqiptar do të shkojë shumë shpejt në stratosferë.
Spahija i ka thënë Buletinit Ekonomik se brenda një periudhe jo shumë të gjatë kohore, brenda 2–3 vjetësh, në bregdetin shqiptar një metër katror i një banese mund të shkojë edhe në 6 mijë euro. Këto parashikime të çmimeve të pritshme në bregdetin e Shqipërisë e kanë burimin në analizat dhe të dhënat e agjencive shqiptare të paluajtshmërive, dhe ky fakt po duket se është bërë tepër nxitës për joshjen e kosovarëve për të investuar tani në paluajtshmëri në shtetin amë dhe për të zënë çmimet ende të kapshme në disa zona të bregdetit.
Aktualisht, sipas informacioneve që vijnë nga Shqipëria, në disa vende bregdetare të këtij vendi, veçanërisht në pjesën e bregdetit verior, akoma mund të blesh një banesë dy dhomëshe me rreth 100 mijë euro.
Por, ndër shkaqet me ndikim të padiskutueshëm të rënies së shitblerjeve të banesave në Kosovë është ngritja e çmimeve të banesave si rrjedhojë e rritjes së kostos së ndërtimit në vend. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e parë të vitit 2026, sipas të cilit sektori i ndërtimit ka shënuar rritje si në baza tremujore, ashtu edhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i kostos së ndërtimit është rritur për 2.5 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025.
Rritjen më të madhe në këtë periudhë e kanë shënuar kostot e transportit me 5.9 për qind, pasuar nga pagat me 2.8 për qind, kostot e tjera me 2.6 për qind, materialet me 2.5 për qind dhe makineritë me 0.5 për qind.
Ndërkohë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, indeksi i kostos së ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2026 ka shënuar rritje prej 4.3 për qind.
Sipas të dhënave, ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë pasur kostot e transportit, të cilat janë rritur për 11.5 për qind. Po ashtu, janë rritur pagat për 8.6 për qind, kostot e tjera për 6.2 për qind, energjia për 5.5 për qind, materialet për 3.2 për qind dhe makineritë për 0.7 për qind.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se sektori i ndërtimit vazhdon të përballet me rritje të kostove në shumicën e kategorive kryesore, duke reflektuar presionet në çmimet e materialeve, fuqinë punëtore dhe shërbimet mbështetëse. Në këtë mënyrë, kostoja e ndërtimit ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e çmimit të një metri katror të banesave dhe të hapësirave biznesore. Tani, çmimet e një metri katror në lagjet e reja të ndërtimit, si në rrugën B dhe C, kanë arritur në 2 mijë euro, ndërsa në lagjet më pranë qendrës, si bie fjala në lagjen e Muhaxherëve, çmimi i një metri katror ka tejkaluar 2 mijë euro. Në Prishtinë është vështirë të gjendet çmimi i një metri katror nën 1200–1500 euro. /Buletini Ekonomik









