Fermerët presin rendiment të lartë të grurit

Fusha të mbjella me grurë në Kosovë (Ilustrim)

Përgatitjet për korrjen e grurit po zhvillohen në mënyrë intensive në të gjithë Kosovën, me fermerët në krye që janë duke përfunduar përgatitjet teknike dhe organizative.

Sipas vlerësimeve fillestare në terren, kushtet klimatike gjatë sezonit të rritjes kanë qenë relativisht të favorshme, çka ka ndikuar në zhvillimin e kulturës së grurit.

Me afrimin e korrjeve, aktivitetet nëpër ara janë shtuar dukshëm në shumë rajone të vendit.

Sezoni i korrje-shirjeve konsiderohet një nga periudhat më të rëndësishme të vitit bujqësor, pasi përcakton drejtpërdrejt të ardhurat e prodhuesve vendorë dhe sigurinë ushqimore në vend.

Reklama e sponzorizuar

Fermeri Valon Vehapi tha se tashmë kanë nisur përgatitjet e autokombajnave dhe makinerive bujqësore.

Sipas tij, çdo vonesë apo defekt teknik gjatë sezonit të korrjes mund të shkaktojë humbje të konsiderueshme në prodhim, sidomos kur koha e korrjes është e kufizuar.

Ai kërkoi që makineritë të jenë plotësisht të gatshme në kohë, duke theksuar rëndësinë e planifikimit të mirë dhe koordinimit mes fermerëve dhe shërbimeve teknike në terren.

Lexo më shumë:

Ministria e Bujqësisë rekomandon zgjatjen e afatit të mbjelljes së grurit deri në mesin e nëntorit

Ndërkohë, eksperti i bujqësisë, Imer Rusinovci, tha se gruri në shumicën e zonave ndodhet aktualisht në fazën e pjekurisë qumështore.

Kjo fazë pasohet nga faza dyllore dhe më pas nga pjekuria e plotë, kur edhe fillon korrja masive.

Ai vlerësoi se në varësi të kushteve atmosferike, korrjet mund të nisin brenda 15 deri në 18 ditëve të ardhshme, duke u bazuar në gjendjen aktuale të kulturës në rajonin e Lipjanit dhe zonat përreth.

Rusinovci theksoi se monitorimi i vazhdueshëm i fushave është i domosdoshëm për të përcaktuar momentin optimal të korrjes, në mënyrë që të shmangen humbjet.

Në anën tjetër, fermerët në Kosovë vazhdojnë të kërkojnë mbështetje më të madhe institucionale për prodhimin vendor.

Ata theksojnë se rritja e kostove të prodhimit po e bën gjithnjë e më të vështirë ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare të fermave.

Vehapi shtoi se sfida kryesore këtë vit mbetet çmimi i grurit në treg, i cili sipas tij nuk po arrin të mbulojë kostot reale të prodhimit.

Ai paralajmëroi se nëse trendi i çmimeve të ulëta vazhdon, shumë fermerë mund të përballen me humbje financiare.

Sipas tij, është e nevojshme që të ketë ndërhyrje institucionale për të stabilizuar tregun dhe për të mbështetur prodhuesit vendorë, në mënyrë që të ruhet prodhimi vendor i grurit.

Ndërsa, Rusinovci tha se çmimi i grurit përcaktohet kryesisht nga tregjet ndërkombëtare.

Ai theksoi se shteti duhet të luajë rol më aktiv përmes subvencioneve dhe politikave mbështetëse për kulturat strategjike.

Sipas tij, rritja e mbështetjes për fermerët do të ndikonte në rritjen e prodhimit vendor, në uljen e varësisë nga importi dhe në forcimin e sektorit bujqësor. /RTK/

Lexo më shumë për çmimin e grurit të vitit të kaluar:

“1 kilogram grurë vetëm 18 cent” – Fermerët kosovarë përballen me çmim të ulët të grurit