Jakurti: Rritja reale e pagave në Kosovë ishte pothuajse e njëjtë në dy periudhat e fundit gjashtëvjeçare

Euro

Pavarësisht rritjes së ndjeshme të pagave në terma nominalë gjatë viteve të fundit, fuqia reale blerëse e qytetarëve të Kosovës nuk ka shënuar përmirësim më të madh krahasuar me periudhën paraprake, vlerëson ekonomisti Edison Jakurti.

Sipas analizës së publikuar nga Jakurti, paga mesatare mujore në Kosovë është rritur me 236 euro ose 49 për qind gjatë periudhës 2019–2025, krahasuar me rritjen prej 91 eurosh ose 24 për qind në periudhën 2013–2019.

Megjithatë, kur këto të dhëna përshtaten me inflacionin, rezulton se rritja reale e pagave ka qenë pothuajse identike në të dyja periudhat. Nga viti 2013 deri në vitin 2019, paga mesatare reale është rritur për 90 euro ose 17 për qind, ndërsa në periudhën 2019–2025 rritja reale ka qenë 102 euro, po ashtu 17 për qind.

Reklama e sponzorizuar

“Kur çmimet rriten më shpejt se të ardhurat, bie fuqia blerëse dhe, rrjedhimisht, mirëqenia e qytetarëve”, shkroi Jakurti.

Jakurti thekson se dallimi kryesor qëndron te inflacioni. Sipas tij, në periudhën 2013–2019 vetëm rreth 2 për qind e rritjes nominale të pagave ‘u gërrye’ nga rritja e çmimeve, ndërsa në periudhën 2019–2025 inflacioni ka absorbuar afërsisht 57 për qind të rritjes nominale.

“Shifrat nominale krijojnë përshtypje, ndërsa shifrat reale tregojnë të vërtetën. Në fund, ndryshon narrativa, jo realiteti ekonomik”, ka deklaruar në fund Jakurti.

Analiza vjen në një kohë kur rritja e kostos së jetesës dhe inflacioni mbeten ndër shqetësimet kryesore ekonomike për qytetarët e Kosovës. /Buletini Ekonomik/