Mbi 2 milionë euro nga një gjobë e shqiptuar ndaj kompanisë KESCO, vazhdojnë të mbeten të paarkëtuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), edhe pse afati ligjor për pagesën e plotë ka skaduar prej më shumë se një viti.
Bëhet fjalë për gjobën prej 8.47 milionë eurosh që Bordi i ZRRE-së ia shqiptoi KESCO-s në nëntor të vitit 2022 për shkelje që lidheshin me blerjen e energjisë elektrike, pagesat dhe nominimet, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas raportit të fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (2025), kompania ka paguar tre nga katër këstet e parapara, ndërsa kësti i fundit në vlerë prej 2,118,750 eurosh nuk është shlyer ende, ndonëse afati përfundimtar për pagesë ka qenë 15 nëntori 2024.
Auditori konstaton se, përveç mosrealizimit të plotë të pagesës nga KESCO, edhe ZRRE nuk ka ndërmarrë me kohë veprimet e nevojshme ligjore për arkëtimin e shumës së mbetur.
Sipas gjetjeve të auditimit, legjislacioni në fuqi obligon ZRRE-në që, në rast të mospagesës së gjobave të shqiptuara, të iniciojë procedura gjyqësore për realizimin e pagesës. Një detyrim i tillë parashihet si në Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, ashtu edhe në Rregullën për Masat Administrative dhe Gjobat.
Raporti rikujton se pas vendimit të ZRRE-së, KESCO kishte paraqitur padi për anulimin e gjobës dhe kishte kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të saj. Megjithatë, kërkesat e kompanisë janë refuzuar nga Gjykata Komerciale dhe më pas edhe nga Gjykata Supreme.
Pavarësisht përfundimit të procedurave gjyqësore dhe skadimit të afatit për pagesë, deri në shkurt të vitit 2026 obligimi për pagesën e këstit të fundit vazhdonte të mos ishte përmbushur, sipas ZKA-së.
“Kjo ka ndodhur si rezultat i mosndërmarrjes në kohë të veprimeve të nevojshme ligjore nga ZRRE për realizimin e plotë të pagesës së gjobës pas skadimit të afatit të përcaktuar me vendim”, thuhet në raportin e auditimit.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, mosrealizimi i plotë i pagesës rrit rrezikun e mosinkasimit të shumës prej 2.1 milionë eurosh, krijon precedent për moszbatimin e vendimeve të rregullatorit dhe mund të rezultojë në humbje të të hyrave për buxhetin e Kosovës.
Për këtë arsye, auditori i ka rekomanduar Bordit të ZRRE-së që të sigurojë ndërmarrjen me kohë të veprimeve të nevojshme ligjore për inkasimin e plotë të gjobave të shqiptuara nga vetë institucioni. /Buletini Ekonomik/









