Të ardhurat nga taksat mjedisore në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke arritur në 422.4 milionë euro, ose 11.8 për qind më shumë krahasuar me vitin paraprak.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, taksat e energjisë vazhdojnë të jenë burimi kryesor i të ardhurave mjedisore.
Gjatë vitit 2025, nga këto taksa janë inkasuar 365.3 milionë euro, që përfaqësojnë 86.5 për qind të të gjitha të ardhurave nga taksat mjedisore.
Krahasuar me vitin 2024, të ardhurat nga taksat e energjisë janë rritur për 12 për qind.
Po ashtu, rritje është shënuar edhe te taksat e transportit, të cilat kanë gjeneruar 53.99 milionë euro, ose 12.8 për qind të totalit, duke regjistruar një rritje vjetore prej 9.6 për qind.
Ndërkohë, të ardhurat nga taksat e ndotjes kanë arritur në 3.15 milionë euro, që përbëjnë 0.7 për qind të të ardhurave të përgjithshme nga taksat mjedisore.
Lexo më shumë:
Termocentralet e vjetruara në Ballkanin Perëndimor ndotin 6.6 herë mbi limitin e lejuar
Ky është segmenti me rritjen më të lartë vjetore, prej 35.3 për qind, krahasuar me vitin 2024.
Sipas strukturës së të ardhurave, taksat e energjisë dominojnë dukshëm mbi kategoritë e tjera, ndërsa taksat e transportit dhe ato të ndotjes zënë një pjesë shumë më të vogël të totalit.
ASK njofton gjithashtu se pjesëmarrja e të ardhurave nga taksat mjedisore në Bruto Produktin Vendor (BPV) gjatë vitit 2025 ishte 3.83 për qind.
Statistikat e taksave mjedisore përfshijnë të ardhurat nga taksat mbi energjinë, transportin dhe ndotjen, të cilat konsiderohen instrumente fiskale për financimin e buxhetit. /Buletini Ekonomik/









