Kosova ka shënuar rritje të prodhimit të thëngjillit gjatë muajit prill 2026, megjithatë vendi vazhdon të mbështetet në importin e energjisë elektrike për të përmbushur nevojat e konsumit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë prillit janë prodhuar 826.993 tonë thëngjill, ose 20,7 për qind më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Edhe konsumi i energjisë elektrike ka shënuar rritje. Në prill janë konsumuar 460,66 GWh energji elektrike, që sipas raportit nga ASK, është 5,58 për qind më shumë se në prillin e vitit 2025.
E megjithëse prodhimi i thëngjillit është rritur, në anën tjetër, të dhënat tregojnë se Kosova ka importuar më shumë energji elektrike sesa ka eksportuar. Vetëm gjatë muajit prill janë importuar 335,29 GWh energji elektrike, ndërsa eksporti ka arritur në 203,27 GWh, ku përfshihet edhe sasia e transmisionit.
Ndërkohë, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 567,64 GWh, duke shënuar një rënie të lehtë prej 0,07 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, energjia elektrike e prodhuar nga burimet alternative përbënte 16,36 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike në vend. /Buletini Ekonomik/











