ZKA: Mbi 45.6 milionë euro u paguan për vendime gjyqësore gjatë vitit 2025

Auditorja e Përgjithshme (ZKA), Vlora Spanca

Gjatë vitit 2025, institucionet publike në Kosovë kanë paguar 45.69 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore. Këto të dhëna u bënë të ditura nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore të auditimeve për sezonin 2025/2026.

Sipas ZKA-së, shuma e paguar për vendimet gjyqësore përfaqëson një barrë të konsiderueshme për financat publike, ndërsa pagesat shtesë për kamata dhe procedura përmbarimore kanë rritur edhe më tej koston për buxhetin e shtetit.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se shmangia e këtyre kostove kërkon menaxhim më të mirë të obligimeve financiare nga institucionet publike.

Reklama e sponzorizuar

Sipas saj, duhet respektim i afateve ligjore dhe ndërmarrje e masave për të parandaluar që kontestet gjyqësore të përfundojnë me pagesa nga buxheti.

Në konferencën për media, ZKA prezantoi gjetjet kryesore të auditimeve të kryera në institucione qendrore dhe lokale, duke evidentuar mangësi në menaxhimin financiar, prokurim, realizimin e kontratave dhe zbatimin e rekomandimeve të auditimit.

ZKA tha se përmirësimi i kontrollit të brendshëm dhe zbatimi i rekomandimeve mbeten të domosdoshme për të ulur rreziqet financiare.