Rizvanolli: Ankandi i parë i energjisë së erës do të shërbejë si model për projektet e ardhshme

Ministria e Ekonomisë hap konferencën për ankandin e energjisë së erës.

Ministria e Ekonomisë ka organizuar konferencën para dorëzimit të ofertave për tenderin e energjisë së erës në Kosovë, duke e cilësuar këtë projekt si një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme në vend.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se procesi është ndërtuar mbi parimet e transparencës dhe qëndrueshmërisë, ndërsa konferenca u shërben investitorëve për të marrë informacionin e nevojshëm për përgatitjen e ofertave cilësore.

Ankandi i energjisë së erës që synojmë ta përmbyllim gjatë kësaj vere është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe do të shërbejë si model edhe për ankandet e ardhshme. Burimet e ripërtëritshme janë të domosdoshme për një mjedis më të pastër dhe për rritjen e prodhimit vendor të energjisë”, u shpreh Rizvanolli.

Më shumë:

Rizvanolli: Kosova nuk ka refuzuar gazin amerikan, por ka zgjedhur zgjidhje më praktike dhe ekonomike

Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, vlerësoi se ankandi krijon mundësi për investime të reja dhe kontribuon në transformimin e sektorit energjetik.

Sipas tij, procesi i dekarbonizimit, siguria energjetike dhe integrimi i tregjeve të energjisë kërkojnë politika që nxisin investime afatgjata, ndërsa ZRRE do të kujdeset për zhvillimin e një procesi transparent dhe të besueshëm.

Edhe kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, theksoi se projekti do t’i shtojë Kosovës kapacitete të reja prodhuese dhe do të përforcojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Ai bëri të ditur se KOSTT do të bashkëpunojë me të gjitha palët për të garantuar një proces efikas dhe të drejtë të kyçjes në rrjet për investitorët.

Në konferencë mori pjesë edhe përfaqësuesi i Korporatës Ndërkombëtare të Financave (IFC) për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Visar Perani, i cili vlerësoi punën e bërë deri tani për realizimin e projektit.