Shoqata e Qumështoreve: Podujeva dhe Vushtrria ende përballen me probleme në grumbullimin e qumështit

Grumbullimi i qumështit (ilustrim i gjeneruar me AI)

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka bërë të ditur se masat e ndërmarra nga Ministria e Bujqësisë kanë filluar të japin rezultatet e para, pasi grumbullimi i qumështit nga fermerët është përmirësuar në pjesën më të madhe të vendit.

Sipas informatave të siguruara nga terreni, pjesa më e madhe e qumështit tashmë po grumbullohet, megjithatë problem vazhdon të mbetet situata në komunat e Podujevës dhe Vushtrrisë.

Shoqata bën të ditur se rreth 35 fermerëve në Podujevë dhe rreth 30 fermerëve në Vushtrri ende nuk u grumbullohet qumështi, ndërsa bëhet fjalë për rreth 5 deri në 6 tonë qumësht që mbetet pa u marrë çdo ditë.

“Përpunuesit e qumështit që mbulojnë këtë pjesë duhet të grumbullojnë edhe këtë sasi, në mënyrë që i gjithë qumështi i prodhuar nga fermerët të ketë treg”, thuhet në reagimin e Shoqatës.

Sipas Shoqatës së Qumështoreve, kërkesa për qumësht pritet të rritet në periudhën në vijim, çka do të rrisë edhe nevojën për shtimin e prodhimit vendor. Për këtë arsye, ata kërkojnë që Ministria e Bujqësisë të vazhdojë me zbatimin e masave dhe vendimeve të planifikuara për mbështetjen e sektorit.

Megjithatë, sipas tyre, sfidat kryesore mbeten çmimi i ulët i grumbullimit të qumështit dhe vonesat në pagesa, të cilat në disa raste zgjasin deri në gjashtë muaj ose edhe më shumë.

Shoqata ka përsëritur edhe kërkesën për ndalimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në industrinë e përpunimit të qumështit, duke e konsideruar këtë si një hap të domosdoshëm për stabilizimin e sektorit, mbrojtjen e prodhimit vendor dhe rikthimin e besimit të konsumatorëve.

“Për ata që kundërshtojnë ndalimin e vajit të palmës, u bëjmë thirrje të dëgjojnë jo vetëm shqetësimet e fermerëve ndër vite, por edhe të konsumatorëve. Mbrojtja e industrisë është mbrojtje e fermerit, e konsumatorit dhe e shtetit të Kosovës”, thuhet në reagimin e Shoqatës.

Lexo më shumë:

Fermerët kërkojnë kontrolle në të gjitha fabrikat përpunuese të qumështit

 

Reklama e sponzorizuar