Kompania ku Kurti ligjëroi për telat e bakrit mbështetet me 95 mijë euro nga MINT

Në ditën që u dënua për aksidentin në komunikacion ku kishte shkelur një fëmijë, Rozeta Hajdari me nguti doli në terren për t’u parë pranë bizneseve. Ajo u kujdes që të promovojë biznesin e një fabrike që është edhe e preferuar e kryeministrit Albin Kurti.

“Këtë tel që e kam në dorë, i cili e ka diametrin çerekmilimetri, prodhohet në këtë fabrikë dhe më pastaj 25 fije të këtilla përdridhen dhe bëhen bashkë dhe shndërrohen në një tel të bakrit, i cili e ka prerjen tërthore më sipërfaqe 2.5 milimetra katror…”, kishte thënë kryeministri Albin Kurti në oborrin e fabrikës së prodhimit të kabllove dhe të telit në Prizren “Proton Cable” në vitin 2020, ku kishte shkuar për vizitë për t’i parë prodhuesit vendorë në kohën e pandemisë, të cilët po ashtu kishin përfituar nga pakoja fiskale e Qeverisë. Ai kishte bërë thirrje që teli të blihet në këtë fabrikë dhe mos të importohet nga jashtë. Kjo frazë e kryeministrit Kurti më pas ishte bërë hit i talljeve në rrjetet sociale.

Tri vite më pas, në Prizrenin e qindra bizneseve, pushteti ka dalë përsëri në terren për të treguar që po i mbështet prodhuesit vendorë.

Reklama e sponzorizuar

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njoftoi se ministrja Hajdari takoi një tjetër biznes të mbështetur nga MINT, i cili eksporton në shtatë vende kabllot e tensionit të ulët.

“Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari vazhdoi gjatë ditës së sotme vizitën në terren tek një tjetër biznes të mbështetur financiarisht nga MINT përmes Programit CERP. Përmes mbështetjes financiare në vlerë prej 95 mijë euro, Proton Cable ka arritur të blejë dhe sjellë në funksion teknologjinë e avancuar të prodhimit të kabllove të aluminit, si dhe të përfitoj në certifikimin dhe standardizimin e produkteve, me shërbimet e trajnimit për zhvillim të këtij biznesi”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e MINT-it.

Këtë njoftim më pas e ka shpërndarë edhe ministrja Hajdari.