Sindikata e Minatorëve të Trepçës: Shantazhet dhe kërcënimet nuk po ndalen

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar lidhur me vendimin e menaxhmentit të Trepçës për suspendimin nga puna të kryetarit të sindikatës të punëtorëve, nënkryetarin e sindikatës, dy anëtarë dhe një minator.

Në reagimin e sindikatës thuhet se shantazhet dhe kërcënimet nuk po ndalen.

Reklama e sponzorizuar

“Shantazhet dhe Kërcënimet nuk po ndalen. Sot si asnjëherë tjetër është vërtetuar se Trepça SH.A. dhe Minatorët nuk kanë rëndësi për askënd, qoftë President i Republikës së Kosovës, Kryeministër, Deputet, Ministër, Kryetar Komune, Shkencëtar, Publicist, Analist, Sportist apo çka do tjetër”, thuhet në reagimin e sindikatës.

“Trepça dhe minatorët qenkan të një rëndësie të veçantë vetëm për konsum publik, ndërsa jeta e minatorëve, paska vlerën e një lecke që nuk vret veshin e askujt dhe se prek zemrën e asnjë qytetari të këtij vendi”, thuhet në reagim.

Ata kanë adresuar kritika edhe për Qeverinë, Presidencën e deputetët e Kuvendit.

“Ndoshta në një të ardhme, kur të fillojë viti zgjedhor, do të gjeni forcën, motivin dhe interesin tuaj për të na vizituar e treguar përralla, se si ju keni interesin dhe dashurinë ndaj minierës dhe minatorëve. Si ju jeni lokomotiva e shoqërisë dhe jeni meritorë”.

Menaxhmenti i Trepçës sot ka marrë vendim që të suspendojë nga puna kryetarin e sindikatës së punëtorëve Ibrahim Jonuzi, nënkryetarin e sindikatës, dy anëtarë dhe një minator me arsyetimin se e kanë shkelur ligjin dhe e kanë rrezikuar rendin kushtetues.