Çka parasheh Projektligji për Buxhetin 2024, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro, dhe i cili do të procedohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim? Pse përfaqësues të opozitës kontestojnë dhe bëjnë të dikskutueshme shifrat e projektimeve buxhetore për vitin në vijim?
Buletini Ekonomik
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e së martës (31 teor 2021) e ka miratuar Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin për vitin 2024. Projektligji për Buxhetin 2024, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro, do të procedohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.
Buxheti i vitit 2024, në bazë të shifrave të projektuara do të jetë përafërsisht sa gjysma e buxhetit 2034 të Shqipërisë, i cili, siç është kumtuar, parashihet se do të ketë në total për të shpenzuar rreth 735,9 miliardë lekë (rreth 7 miliardë euro ), prej të cilave 633,7 miliardë vijnë nga të ardhurat dhe pjesa tjetër është borxh i ri (deficiti) prej 61,9 miliardë lekësh.
Kryeministri Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë në ditën e fundit të tetorit, ka treguar për fushat që do t’i kenë prioritet me buxhetin e pritshëm.
Sipas tij, “sa i përket kategorive të shpenzimeve, tek kapitalet ka një rritje, ndërsa vlera është 860 milionë euro tek investimet kapitale, ndërsa tek pjesët tjera kryesisht është mirëmbajtur në nivele të përafërta, apo një rritje të lehtë tek kategoria mallra dhe shërbime dhe një tkurrje të lehtë tek subvencionet dhe transferet”.
”Për vitin 2024, buxheti i Republikës së Kosovës do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro. Për një ekonomi më të fortë e me më shumë vende pune. Për rritje të mbështetjes së sektorëve prioritarë dhe në zbatim të programit tonë qeverisës. Për drejtësi, që i kemi dedikuar 31% më shumë buxhet në mënyrë që të zbatohen deri në fund reformat e nisura në drejtësi”, ka thënë ai.
”Për arsim, që bashkë me grantin që u ndahet komunave, mbështetja buxhetore do të arrijë në 370 milionë euro apo rreth 20% më shumë sesa viti 2023. Për shëndetësi, që si sektor i kemi ndarë 340 milionë euro përfshirë edhe grantin për komunat, kurse ShSKUK do të ketë 25% më shumë buxhet. Për sport e infrastrukturë, që vetëm vitin tjetër do të kenë mbi 58 milionë euro investime kapitale në përgatitje të organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030”, ka thënë Kurti. ”E megjithatë, me këtë buxhet, kujdes e rëndësi të veçantë po i japim mbrojtjes e sigurisë. Për vitin 2024 kemi shtuar numrin e policëve për edhe 500 të tjerë, dhe numrin e ushtarëve edhe për 600 të tjerë. Buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të tejkalojë vlerën prej 216 milionë euro, dhe për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro, apo rreth 370 milionë euro për sektorin, e që i bie rreth 22% më shumë sesa viti 2023 në të cilin ndodhemi aktualisht. Si Qeveri, e kemi për detyrë që paratë që mbledhim, t’i mirëmenaxhojmë, e t’i rishpërndajmë ashtu që të sigurojmë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, shtim të vendeve të reja të punës, dhe mirëqenie e dinjitet për të gjithë qytetarët e vendit”, ka deklaruar kryeministri.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se të hyrat buxhetore gjatë periudhës janar – shtator 2023 janë rritur për 14.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, duke paralajmëruar se do të ketë rritje të pagave në sektorin publik.
Sipas Muratit, në sektorin e arsimit do të ketë rritje 20% derisa në SHSKUK do të ketë ngritje pagash 25%.
“Ky buxhet parashihet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro dhe parashihet të ndikojë te qytetari. Gjithashtu pritet të rritet edhe koeficienti i Ligjit të Pagave, nga 105 euro në 110. Kjo nënkupton që paga mesatare në sektorin publik të jetë rreth 780 euro bruto, apo të ketë edhe rritje të theksuar, krahasuar me rritjet paraprake. Pra nëse e marrin në një periudhë pesëvjeçare shihet se buxheti i pagave ka rritje për 30%”, tha Murati.
Ministri i Financave tha se do të ketë shtim të radhëve në polici dhe ushtri, duke konkretizuar se “do të ketë rekrutim të 500 policëve të rinj dhe 600 ushtarakëve”.
Murati tha se do të përfundohen edhe disa investime kapitale që janë në proces apo do të ketë edhe projekte të reja.
“Janë rruga për Pejë, autostrada Prizren-Tetovë, zgjatja e autostradës deri te Dheu i bardhë”, ka saktësuar Murati.
Por, përfaqësues të opozitës kanë kontestuar dhe kanë bërë të diskutueshme parashikimet buxhetore të vitit vijues. Madje, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po manipulon me shifra lidhur me projektbuxhetin për vitin 2024. Sipas saj, krahasuar me buxhetin e këtij viti, buxheti për vitin 2024 është më i madh për vetëm 91 milionë euro dhe se me këto para s’mund të ketë rritje të buxhetit nëpër sektorë aq sa ka deklaruar Kurti.
Ajo ka thënë se nuk ka mundësi për t’i pasur rritjet në sektorët e lartëpërmendur me vetëm 91 milionë euro më shumë.
Ndërsa, vlerën e koeficientit të pagave prej 110 euro, Bajrami e ka konsideruar si tallje me qytetarët.
“Koeicienti i pagave 110 Euro ështa tallje me qytetarë, rritje e koeficientit për vetëm 4.7% derisa inflacioni në shtator të vitit 2022 ka qenë 14.7% e në shtatorin e këtj viti 4.2%, dmth. rritja e koeficientit prej 5 euro as për së afërmi nuk e reflekton shkallën e inflacionit në vend”, ka thënë ajo për medie. /Buletini Ekonomik/