Bie “Baba i Tenderëve”, i sanksionuari nga SHBA-ja për korrupsion përjashtohet nga shërbimi civil i Kosovës

Nexhat Krasniqi është përjashtuar nga Shërbimi Civil. Vendimi është marrë dje nga Komisioni Disiplinor, një ditë pasi Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar ndërhyrjen e tyre për marrjen e një vendimi ndaj “babës së tenderëve” pas sanksionimit të tij nga SHBA-ja për përfshirje në korrupsion të madh. 

Nexhat Krasniqi është përfshirë në listën e zezë të SHBA’së shkaku i një afere të madhe korruptove në Kosovë, kishte njoftuar DASH më nëntor 2023.

Ai ishte drejtor i Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës deri atë ditë. Në MMPHI, po të njëjtën ditë u pezullua, porse u rikthye në punë disa ditë më vonë. Nga detyra e drejtorit të Divizionit të Prokurimit, atij iu ndërrua pozita në drejtor të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, që ishte më e lartë sesa pozita paraprake.

Reklama e sponzorizuar

Tek dje, Komisioni Disiplinor e përjashtoi atë nga shërbimi civil, si masë disiplinore. Gazeta Online Reporteri.net e ka siguruar vendimin e Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Duke pasur parasysh së z. Nexhat Krasniq ka qenë i dënuar nga Gjykata kompetente si ish zyrtar i prokurorimit në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë për korrupsion, konsiderojmë se kjo çështje duhet të trajtohet edhe nga aspekti i përgjegjësisë disiplinore dhe për këtë duhet të shqiptohet masa disiplinore sepse kjo në fakt paraqet edhe shkelje të përgjegjësive dhe të detyrave të punës dhe është shkelur nënparagrafi 7 i paragrafi 4 i nenit 56, sjelle e papërshtatshme që dëmton reputacionin e shërbimit civil nga z. Nexhat Krasniqi”, thuhet në vendimin e Komisionit Disiplinor të datës 21 nëntor 2023.

Për dërgimin e çështjes së Krasniqit në Komision Disiplinor ka njoftuar dje Ministri Liburn Aliu, tek pasi për avancimin në MMPHI të të sanksionuarit për korrupsion nga SHBA-ja pati reagime të mëdha nga shoqëria civile.

Nexhat Krasniqi, i njohur si “Baba i Tenderëve” ka hyrë në listën e sanksioneve të SHBA-së me arsyetimin se është përfshirë në korrupsion të madh gjatë kohës sa ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Për rastin për të cilin është sanksionuar nga SHBA, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Krasniqin me 26 muaj burgim efektiv. Pas ankesës në Apel, dënimi i është zvogëluar në 18 muaj burgim me kusht.