9.5 milionë shtetas të huaj hynë në Shqipëri për 11 muaj

Shqipëria po përjeton në 2023 vitin më të mirë historik në turizëm. Për 11-mujorin, sipas të dhënave të INSTAT, në vend kanë hyrë 9.5 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 33.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Krahas flukseve të larta në muajt e verës, që kulmuan në gusht me 2 milionë shtetas që hynë në territorin shqiptar, turizmi po zgjatet përtej sezonit tradicional. Në nëntor, sipas INSTAT, hynë në vend 547 mijë të huaj, ose 53% më shumë se i njëjti muaj i një viti më parë.

Ndërsa në tetor hyrjet pothuajse ishin dyfishuar, duke arritur në 691 mijë (+89%).

Reklama e sponzorizuar

Të dhënat e mëparshme të INSTAT tregojnë se shtetasit e Kosovës janë ata që vijojnë të mbajnë peshën kryesore me rreth një të tretën, ndërsa këtë vit për herë të parë të dytët renditen italianët, me rreth 9-10% të totalit.

Operatorët e tregut janë optimistë se tendenca pozitive do të vijojë dhe në 2024, nisur nga prenotimet që ata kanë marrë deri tani.

Shifrat

Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin nëntor 2023, janë 1.099.343.

Ky tregues rezulton me një rritje 35,9%, krahasuar me nëntor 2022. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit nëntor 2023, janë 1.074.479, duke shënuar një rritje me 28,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në nëntor 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 552.122.

Ky numër është rritur me 22,6%, krahasuar me nëntor 2022. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 547.221. Ky numër është rritur me 52,7 %, krahasuar me nëntor 2023. Gjatë 11-mujorit 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 9.533.501.

Ky numër është rritur me 33,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit nëntor 2023 janë 554.656. Krahasuar me nëntor 2022, ky tregues është rritur me 19,8 %.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Nëntor 2023, janë 519.823. Krahasuar me Nëntor 2022, ky tregues është rritur me 38,6 %. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë 11-mujorit 2023, është 6.303.647, duke u rritur me 20,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në nëntor 2023 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 525.182 shtetas pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore /Paqësori, përkatësisht me 14.100 dhe 3.577 shtetas. Në nëntor 2023. krahasuar me nëntor 2022, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë:

• rritje, për qëllime personale me 52,5%;
• rritje, për qëllime pushime,vizitë tek të afërm. etj. me 53,9%;
• rritje, për biznes dhe qëllime profesionale me 62,0%

 

Burimi: INSTAT

 

Burimi: INSTAT