Shala për rritjen e çmimit të rrymës: KESCO ka importuar për rreth 500 për qind më shumë sesa që ZRRE-ja i ka lejuar

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike është e papërballueshme për qytetarët.

Ai ka deklaruar se krahasuar me të dhënat e planifikuara, KESCO ka importuar sasi të energjisë për rreth 500 për qind më shumë sesa që Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka aprovuar.

Këto deklarata Shala i ka bërë në seancën e Kuvendit të enjten, ku po shqyrtohet propozim-rezoluta në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët, transmeton Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

“KESCO ka importuar rreth 180 mijë megavat në orë energji elektrike më shumë sesa ka pasur të planifikuar në bilancin e miratuar nga ZRRE-ja”, ka thënë deputeti i PDK-së.

“Arsyeja e kësaj rritjeje të çmimit qëndron te fakti i çuditshëm menaxherial. Kemi zëvendësuar energjinë e lirë të KEK-ut, me energjinë e shtrenjtë të importuar nga tregtarët e energjisë, të cilët tashmë janë të njohur. Kush ka përfituar nga ndërprerja e energjisë dhe si kanë përfituar, është çështje që duhet të hetohet”, ka shtuar ai. /Telegrafi/