Shtetit, institucioneve të tij dhe vendimmarrësve, atyre që vendosin për distribuimin dhe shpenzimin e parasë së shtetit, ka kohë që nuk iu bie ndërmend se në këtë vend ekzistojnë edhe 200 mijë pensionistë, shtetas të Kosovës, qytetarë të këtij vendi. Ata ekzistojnë në Kosovë vetëm si numra. Që nga paslufta, pensionistët e Kosovës janë pa asnjë vëmendje nga shteti, nga Qeveria, e as nga subjektet politike – pozitë dhe opozitë. Pensonistët në Kosovë në vazhdimësi po anashkalohen dhe po mbesin të “harruar” fare, sikur mos të ekzistonin as nga Qeveria aktuale, zyrtarët e së cilës kishin bërë shumë premtime para ardhjes në pushtet për përkujdesje ndaj këtyre njerëzve.
Mehmet GJATA
Pensionistët, gjithandej në shtetet e Ballkanit, janë të margjinalizuar dhe me përkujdesje minimaliste, qoftë në Maqedoninë e Veriut, qoftë në Mal të Zi, Shqipëri, apo në Serbi. Mirëpo, siç shihet nga informacionet e medieve të shumicës së vendeve të rajonit, por edhe nga njoftimet zyrtare, megjithatë, në raste dhe herë pas here, në këto shtete ndodhë të rikthehet vëmendja kah pensionistët me rritje të pensioneve dhe me ”infuzione” të ndryshme financiare në favor të tyre.
Më konkretisht, në shumicën e shteteve edhe të rajonit të varfër, sado pak kanë njëfarë vëmendje ndaj pensionistëve. Sipas mundësive edhe kanë rritur pensionet, madje edhe në periudha të paskrizave në shumë raste. Para dy-tre ditësh, kryeministri shqiptar paralajmëroi publikisht se pensionistët e Shqipërisë, së shpejti i pret një bonus mjetesh financiare prej 8.000 lekësh të reja (rreth 80 euro). Shqipëria, edhe në vitin e kaluar ka ngritur pensionet për 767 mijë pensionistë të të gjitha kategorive në masën 8,6 për qind, ndërsa vendimi kishte nisur zbatimin më 1 tetor.
Duhet potencuar se gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri, vendi që krahas Kosovës, shquhet me pensione fare të ulëta, megjithatë janë realizuar dy indeksime, në total në masën 9.5%. Krahas këtyre rritjeve, Qeveria e Shqipërisë ka dhënë edhe bonuset, si ai i fundvitit që tashmë është i përfshirë në Ligjin e Buxhetit të çdo viti dhe i cili do të akordohet edhe këtë vit.
Disa herë në muajt e fundit kanë ngritur pensionet edhe Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Maqedonia e Veriut, sipas medieve, për 330.000 pensionistët i korrigjon pensionet dy herë në vit, me rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagës mesatare, që pastaj sigurohet edhe rritje e vazhdueshme e të hyrave pensionale. Në Maqedoninë e Veriut, që pas pandemisë, pensionet janë rritur në harmoni me shkallën e inflacionit, ndërsa në Serbi dhe në Mal të Zi, po kështu kanë ndodhur disa herë rritje pensionesh, por edhe bonuse të ndryshme financiare nga arka e shtetit.
Në Kosovë, për afro 200 mijë pensionistë, sa vlerësohet të jenë gjithsej (145 mijë pensionistë të pleqërisë dhe diku rreth 50 mijë kontributdhënës), ka vite që nuk ka pasur ngritje pensionesh. Në fund të vitit të kaluar, më në fund qeveria, bëri ballë t’ua ndajë në formë ndihme ‘lëmoshën” prej 100 eurosh të gjithë pensionistëve, dhe kjo është e tëra.
Shteti, institucionet e tij dhe vendimmarrësit, ata që vendosin për distribuimin dhe shpenzimin e parasë së shtetit, u kënaqën me dhënien e kësaj “lëmoshe”, dhe prap i harruan pensionistët dhe as që iu bie ndërmend se ekzistojnë edhe kjo kategori njerëzish në këtë vend. Nuk u bie ndërmend se këta njërëz, 200 mijë pensionistë, janë shtetas të Kosovës, janë qytetarë të këtij vendi. Me fjalë të tjera, atyre (pensionistëve) iu mohohet shtetësia e Kosovës, por edhe qytetaria. Ata ekzistojnë vetëm si numra.
Ç’është e vërteta, që nga paslufta pensionistët e Kosovës janë vetëm numra të evidentuar, pa asnjë vëmendje nga shteti, nga Qeveria, e as nga subjektet politike – pozitë dhe opozitë. Pensonistët në Kosovë në vazhdimësi po anashkalohen dhe po mbesin të “harruar” fare, sikur mos të ekzistonin as nga Qeveria aktuale, e cila do duhej ta kenë detyrë dhe obligim përkujdesjen ndaj pensionistëve dhe trajtimin më njerëzor të tyre edhe në bazë të premtimeve para ardhjes së tyre në pushtet, por edhe në bazë të parashikimeve sociale të vendit të vijëzuara në dokumente të shumta të funksionimit të këtij shteti. Fundja, kjo përbërje qeveritare, kishte bërë shumë premtime para ardhjes në pushtet për përkujdesje ndaj këtyre njerzëve. Por, sikur qeveritarët pararendës, edhe këta lehtësisht anashkaluan pensionistët, përkujdesjen ndaj tyre duke i lënë ata nën mëshirën e fatit.
Pensonistët e Kosovës edhe në këto vite të Qeverisë Kurti 2 dolën të jenë praktikisht ‘inekzistentë” edhe me projeksionet buxhetore, sikundër ndodhi me Buxhetin 2024, ku në asnjë rresht të shkruar dhe me asnjë fjalë, nuk u përmend ekzistenca dhe mirëqenia e mjerueshme e tyre. Kjo u pa edhe me rastin kur kryemnistri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë në ditën e fundit të tetorit, duke treguar për fushat që do t’i kenë prioritet me buxhetin e pritshëm prej 3 miliardë e 314 milionë euro, radhiti jo pak sektorë si kategori të shpenzimeve gjatë vitit në vijim, ku parashihet rritje pagash dhe mirëqeniesh, por pa i përkujtuar fare pensionistët.
Ndërsa, Hekuran Murati, doli të jetë edhe më konkret duke paralajmëruar se: Në sektorin e arsimit do të ketë rritje 20% derisa në SHSKUK do të ketë ngritje pagash 25%, ndërsa për pensionistët as që u kujtua të japë së paku një shpjegim fare të vogël pse ndodhi edhe ky anashkalim i tyre nga shteti, për ndërtimin e të cilit kanë kontribuar pafundësisht shumë.
“Ky buxhet parashihet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro dhe parashihet të ndikojë te qytetari. Gjithashtu pritet të rritet edhe koeficienti i Ligjit të Pagave, nga 105 euro në 110. Kjo nënkupton që paga mesatare në sektorin publik të jetë rreth 780 euro bruto (sipas tyre aktualisht paga mesatare në sektorin public është 700 euro), apo të ketë edhe rritje të theksuar, krahasuar me rritjet paraprake. Pra nëse e marrin në një periudhë pesëvjeçare shihet se buxheti i pagave ka rritje për 30%”, kishte llogaritur Murati.
Por, as Kurti, e as Murati nuk e kishin paraparë fare asnjë rritje për pensionistët, për të cilët, siç dihet në këto vitet e fundit, nuk pati asnjë herë lëvizje pensionesh, sikur shkalla e inflacionit dhe ngritja enorme e çmimeve nuk paska goditur edhe pensionistët, shumicë absolute e numrit të tyre me pensione prej 100 eurosh. Këto janë faktet për “vëmendjen’ qeveritare për 200 mijë pesionistët, shtresën më të varfër dhe më të anashkaluar nga insititucionet në Kosovë.
Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një postim këtyre ditëve në Facebook, duke përkujtuar se në buxhetin e vitit 2024 ndarja buxhetore për skema pensionale është diku rreth 550 milionë euro ndërsa për skema sociale diku rreth 158 milionë euro, tha se “kjo qeveri ka dështuar me skemat pensionale dhe reformat sociale të cilat tani më janë tejet parciale, karshi nevojës për një qasje të integruar për reformë”.
“Në vend të reformës, rritjes së barazisë e sigurisë sociale, ka ndarë ‘lëmoshë’, praktika këto të këqija për të konsoliduar një sistem të mirëfilltë”, shkruan ai.
Dhe pensionistët në Kosovë vazhdojnë të mos pajtohen me pensionin prej 100 eurosh që nuk u mjafton as për nevoja elementare. Dhe shi për këtë, më në fund, pakënaqësitë tyre ata kanë vendosur t’i adresojnë te Avokati i Popullit.
“E kemi dërguar lëndën tek Avokati i Popullit. Avokati i Popullit sipas të gjitha gjasave do ta procedojë në Gjykatën Kushtetuese. Pra, lëndën për pensionet kontribudhënëse e kemi dërguar tek Avokati i Popullit. Por, unë besoj që ajo tash është në Gjykatën Kushtetuese”, ka njoftuar për medie kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Nijazi Gashi.
Ai ka paralajmëruar edhe protesta të pakënaqësisë për gjendjen e tyre.
Sipas Gashit, pensionistët kosovarë “në muajin mars do të protestojnë”. Ndërsa, ditë më parë kreu i pensionistëve të Kosovës kishte paralajmëruar që do të ngrisin padi ndaj ministrit të Financave, Hekuran Muratit, për shkak se “pensionistët nuk po përfitojnë krahas rritjeve që po bëhen nga Ministria e Financave”.
Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Njazi Gashi, jo një herë ka alarmuar se “as kjo Qeveri nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna gjatë fushatës për pensionistët”. Ai tha se pensionistët nuk i pyet askush, ndërsa Ministria e Financave ka refuzuar vazhdimisht që t’i përfshijë në proces.
Gashi ka theksuar jo një herë publikisht se nga Qeveria kërkojnë që pensionet të rriten në bazë të shkallës së inflacionit. Sipas tij, “më shumë se gjysma e parave që pensionistët marrin shkojnë në barna, kështu që atyre u mbetet fare pak për ushqim e nevoja të tjera të jetës”, kurse, në Kosovën e varfër, tashmë po gjenden para për të gjitha shtresat e shoqërisë, qoftë për ngritje pagash, qoftë dhuratë një mujore, dhe më shumë mujore, para kesh nga shteti), pos pensionistëve.
Thënë më konkretisht, në Kosovë, sot e kësaj dite nuk po del të ketë kush të përkujdeset për pensionistët. Ata s’kanë kujt t’i shkruajnë dhe t’i ankohen për gjendjen e tyre (mbetet për t’u parë ç’do të bëjë Avokati i Popullit me ankesat e pensionistëve). Vazhdon mospërfillja ndaj tyre, vazhdon të mos ketë rritje pensionesh, edhe pse në Kosovë ka tash e sa vjet rritje enorme çmimesh të produkteve elementare ushqimore, rritje çmimi të energjisë elektrike, e edhe paralajmërime për çmime të reja të ngritura. Në këtë vit, për shkak se është kohë parazgjedhore, kushtimisht do të përkujtohen subjektet politike, ndonjë autoritet, së paku për të premtuar vëmendje, si në të gjitha fushatat e deritashme elektorale. Dhe kaq! Kjo ka qenë vëmendja e deritashme e zyrtarëve të Kosovës për pensionistët. /Buletini Ekonomik/