Tregjet e Kosovës të furnizuara mirë, por me çmime “të kripura”

Fotografi ilustruese

Në periudhën e pas pandemisë, e sidomos gjatë tërë 2022-tës dhe 2023-tës, ngritja e madhe e çmimeve jashtë logjikës, por edhe përtej ligjeve të tregut, ka ç’ekuilibruar ndjeshëm fuqinë blerëse të kosovarëve të varfër, ka ulur vlerën reale të euros si pasojë e çmimeve në stratosferë të të gjitha produkteve, dhe veçmas të atyre elementare ushqimore. Në vitet e theksuara, pra, çmimet e larta kanë tkurrur paradoksalisht shumë fuqinë blerëse të kosovarëve.

Buletini Ekonomik

“Gjithçka, të gjitha mallrat e nevojshme, të rëndësishme dhe të parëndësishme për jetën e njeriut, mund t’i gjesh në supermarketet e Prishtinës (lexo: edhe të Kosovës), por edhe në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, por me çmime shumë të ngritura dhe krahasuar me çmimet e këtyre mallrave 3-4 vjet më parë, janë të paimagjinueshme të ngritura”, i ka thënë dje reporterit të Buletinit Ekonomik një njohës i tregut të vendit.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka folur jo me pak nostalgji, për ato vite që “me dyfish e trefish më pak para” konsumatori kishte mundësi të mbushte shportën e madhe, duke përmbushur lehtësisht nevojat shtëpiake, sidomos me produktet elementare ushqimore dhe me produktet bujqësore. Edhe sipas vëzhguesve më detajist, në këto dy tre vjetët e fundit, në periudhën e pas pandemisë, e sidomos gjatë tërë 2022-tës dhe 2023-tës, ngritja e madhe e çmimeve jashtë logjikës, por edhe përtej ligjeve të tregut, ka ç’ekuilibruar ndjeshëm fuqinë blerëse të kosovarëve të varfër, ka ulur vlerën reale të euros si pasojë e çmimeve në statosferë të të gjitha produkteve, dhe veçmas të atyre elementare ushqimore. Në vitet e theksuara, pra, çmimet e larta kanë tkurrur paradoksalisht shumë fuqinë blerëse të kosovarëve.

Ekonomisti Edison Jakurti, në prononcimet e tija publike paraqet vlerën reale të euros tashmë të zhvlerësuar dukshëm krahasuar me vetëm disa vite më parë. Sipas tij, “vlera reale e 100 eurove në vitin 2019 ka qenë rreth 99 euro, ndërkohë që në janar të këtij vitit vlera e 100 eurove është diku 77 euro, pra kemi rënie të vlerës reale të parasë për mbi 20 për qind dhe në këtë rast kemi një rënie shumë të madhe të fuqisë blerëse”, ka deklaruar Jakurti, duke shtuar se “problem shqetësues për të është inflacioni”.

Në këtë mënyrë, tregu aktualisht është goxha mirë i furnizuar, por tregtimi, shitblerja e këtyre mallrave, ka rënë ndjeshëm. Thjesht, është reduktuar numri i blerësve potencial. Edhe dje në tregun kryesor të gjelbër të Prishtinës, kishte mallra, por ndjeshëm më pak blerës se sa në fillim të muajit të shenjtë të Ramazanit vite më parë, kur edhe vlonte tregu nga blerësit. Tani ka edhe perime (domate, speca, tranguj, sallata të gjelbra, lakra të vjetra dhe të reja, qepë, patate) edhe pemë (që nga mollët, dardhët, bananet, limon me shumicë, portokall të shumtë), por ka numër minimalist blerësish. Ose, edhe ata konsumatorë që kanë mundësi për të siguruar produktet bujqësore (perime dhe pemët) blejnë në sasi shumë më të pakta se sa në ‘kohët” e mira.

Aktualisht, janë dy-tre fish më të larta edhe çmimet e produkteve nga qumështi. Një ‘jogurt” që deri në shpërthimin e pandemisë ka kushtuar 50 centë, e shumë shumë 70, tani kushton 1, 25 dhe 1.30 centë. Një paketim 800 gramësh i djathit mesatar, në vitet krahasuese asnjëherë nuk ka kalur mbi 3,5 euro, ndërsa tani çmimi i këtij djathi shkon nga 6,5 në 7 dhe 7,5 euro. Njësoj proporcioni i çmimit është edhe te vet qumështi dhe te produktet e tjera të bylmetit.

Pak a shumë edhe produktet e higjienës kanë pasur këto ecuri të “transformimit” të çmimeve. Detergjentët dhe sapunërat, të të gjitha llojeve, të lëngta dhe të ngurta, tani kanë çmime dy-trefish më të larta se sa para 2020-tës. Dhe këto çmime egërsisht të ngritura për produkte të shumta nga importi dhe sosh të vendit, në raste më të rralla janë diktuar nga prodhuesit.

Me një fjalë, tregtarët e shumtë kosovarë kanë ngarendur për të ngritur çmimet me arsye dhe pa arsye dhe në këtë vrap ia kanë dalur: Sot ka rënë përtokë fuqia blerëse e konsumatorit të varfër kosovar, ka rënë shitblerja e të gjitha produkteve, edhe atyre ushqimore, ka rënë edhe qarkullimi i parasë në tregti, që për vite të tëra ishte sektori prijës i pasjes dhe qarkullimit të parasë në vendin tonë. /Buletini Ekonomik