Projekti “banim i përballueshëm’ i premtuar gjatë fushatës së LVV-së, ende me shumë të panjohura

Fotografi ilustruese

Projekti “banim i përballueshëm”, premtimi i fortë i LVV-së gjatë fushatës elektorale, në dy vitet e para të qeverisjes Kurti 2, thuaja se u harrua tërësisht. Nuk potencohej gjëkundi dhe në asnjë rast ky premtim deri në vitin 2023. Në shkurt të 2023-ës, kryeministri Albin Kurti, ishte shprehur i bindur se zbatimi i projektit nis sivjet. Por, projekti ende ka shumë të panjohura dhe nuk dihet se a do të nis të zbatohet sivjet fare.

Buletini Ekonomik

Një premtim paraelektoral i Lëvizjes Vetvendosje, i ripërsëritur edhe nga Qeveria Kurti që në fillimin e pushtetit të saj, dhe që u mirëprit nga qytetarët e shumtë të Kosovës dhe pati një jehonë shprese te çiftet e reja kosovare, ishte ai për ndërtimin e katër mijë banesave me çmim të përballueshëm për të sapomartuarit, gjatë mandatit qeverisës të VV-së.

Çiftet e reja, thjesht shpresonin në këto banesa për shkak të çmimit të lirë të tyre dhe kështu, në saje të çmimit të pritshëm të lirë të premtuar, më shumë njerëz shpresonin t’u krijoheshin mundësitë më reale për të siguruar kulm mbi kokë. Por, siç dihet, më pastaj, thuaja se u harrua tërësisht premtimi i LVV-së në dy vitet e para të qeverisjes. Nuk potencohej gjëkundi dhe në asnjë rast ky premtim deri në vitin 2023.

Në shkurt të 2023-ës, kryeministri Albin Kurti, ishte shprehur i bindur se zbatimi i projektit nis sivjet. Në verën e vitit të kaluar, nga ekzekutivi i vendit dolën zëra që u transmetuan edhe në medie, se shumë shpejt, respektivisht që nga gushti i 2023-tës “synohet kompletimi i koncept-dokumentit që më pas të finalizohet draft-ligji, i cili rregullon po ashtu banimin social”.

Reklama e sponzorizuar

“Kjo do bëhet pas përfundimit të studimit të fizibilitetit për ndërtesat që pritet të zënë vend në Prishtinë, Pejë e Gjilan”, kishin thënë zyrtarë të Qeverisë për mediet.

Ç’është e vërteta, njohës të zhvillimeve në ndërtimtarinë kosovare, sërish edhe pas rikthimit të vëmendjes nga Qeveria te “banesat e lira” shfaqën skepticizmin e tyre rreth përmbushjes së premtimeve të autoriteteve. Pati nga ta, që këto afate, të rishfaqura tani kah fundi i mandatit të kësaj qeverie, u duken të pamundura që të realizohen, duke shfaqur dyshime se këtë premtim qeveria mund ta implementojë para se ta kryejë mandatin.

Duhet thënë se premtimi për 4 mijë banesa të lira për çiftet e reja ishte joshës dhe i mirëpritshëm nga të rinjtë për shkakun e mundësive të shtuara për pagesat e këtyre banesave. Kalkulohej fillimisht edhe çmimi dhe shuma e kësteve që siç thuhej, “pritet të jenë 120 muaj nga 120 euro dhe 150 muaj nga 150 euro”.

Ndërtimi i “banesave të reja” parashihej të kushtojë 200 milionë euro, dhe llogaritetj që projekti të përkrahet financiarisht nga Banka Botërore, në formë të kredive të buta.

Në fillim të shkurtit të sivjetshëm, Qeveria aktuale e Kosovës, nëpërmjet zyrtarëve të vet, sërish u bë “e gjallë” duke iu bërë thirrje komunave “që të aplikojnë në thirrjen për caktimin e lokacioneve për projektin “Banim i përballueshëm”. U caktuan edhe afatet për dërgesat në Qeveri të lokacioneve të përshtatshme për këto banesa.

“Komunat kanë afat deri më 22 shkurt që të dërgojnë në Qeveri lokacionet e përshtatshme për realizimin e projektit për banim të përballueshëm, kishte bërë të ditur më 12 shkurt 2024 ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai ka thënë se janë kryer disa faza për këtë çështje dhe se “jetësimi i projektit të banimit të përballueshëm në vendin tonë po merr rrugën e vet”.

“Pas realizimit të studimit të fizibilitetit, sigurimit të mbështetjes financiare dhe draftimit të Ligjit, jemi në fazën e identifikimit të lokacioneve për objektet e banimit. Tashmë kemi dërguar thirrjen nëpër komuna dhe kemi filluar të marrim përgjigjet e para”, tha Aliu me këtë rast.

“Kemi kërkuar lokacione të përshtatshme të parapara në planet hapësinore lokale dhe me qasje adekuate në infrastrukturë. Do eliminojmë getot duke realizuar banimin e kombinuar social e të përballueshëm në ambiente të përshtatshme banimi”, kishte thënë tutje ministri.

Sipas tij, çiftet e reja, punëtorët e administratës e familjet me të hyra të kufizuara që aplikojnë, do të mund të marrin banesa me çmime të përballueshme.

Aliu kishte kërkuar nga komunat që të çojnë sa më shumë lokacione të mundshme për banim të përballueshëm.

“Ju lusim që të na dërgoni sa më shumë lokacione sipas kritereve të kërkuara. Bashkë do t’ia dalim që në çdo cep të vendit të krijojmë mundësitë e banimit adekuat për qytetarët tanë”, kishte deklaruar ai.

Por, prapë, edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga afati i parashikuar nga Liburn Aliu, për “caktimin e lokacioneve për projektin “Banim i përballueshëm”, sërish ka pasuar heshtja e zyrtarëve për këtë projekt. Më nuk u tha asnjë fjalë se a është bërë caktimi i lokacioneve të kërkuara nga komunat në afatin e kërkuar. Nuk u tha as cilat nga komunat e ka kryer obligimin, dhe as në cilat komuna ka munguar gatishmëria për të bërë këtë punë.

Nuk dihet dhe nuk bëhet publik as fakti i qenësishëm se si do të sigurohen mjetet e nevojshme për realizimin e projektit. Dihet vetëm se Kosova ende është nën masat ndëshkuese të BE-së, dhe gjatë këtyre masave, vështirë që të japë hua ndonjë bankë ndërkombëtare.

Pra, opinioni, as të rinjtë e shumtë, nuk dijnë më çfarë po bëhet me realizimin e këtij projekti, dhe se a do të fillojë sivjet fare zbatimi i projektit, siç është premtuar nga kryeministri Albin Kurti. Dihet dhe është e sigurtë se gjatë këtij mandati qeverisës nuk do të ketë banesa me çmime të përballueshme për çiftet e reja, siç ishte premtuar gjatë fushataës zgjedhore të LVV-së. Nuk do të ketë sepse, edhe po qe se fillon zbatimi i projektit gjatë këtij viti, banesat e lira nuk mund të kryhen sa çelë e mbyllë sytë. Përkundrazi, ndërtimi i tyre do të zgjasë goxha kohë. Në anën tjetër, mandati i kësaj qeverie përfundon në fillim të vitit vijues. /Buletini Ekonomik/