Bizneset pjesëmarrëse në Panairin EXPOKOS, të pakënaqura me mbështetjen nga Qeveria

Përkrahja dhe mbështetja nga Qeveria nuk është shumë aq sa duhet. Kështu thonë për Ekonomia Online, përfaqësues të biznese vendore pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar EXPOKOS, të cilët konsiderojnë se janë tatimpaguesit më të mëdhenj në vend.

Bizneset po kërkojnë të ketë lehtësira në të bërit biznes, pasi siç thonë ndikojnë në zhvillimin ekonomik.

Agon Sadikaj, nga kompania “Infra Plus”, thotë për Ekonomia Online se mbështetja për bizneset private nga Qeveria nuk është aq sa duhet.

Reklama e sponzorizuar

Sadikaj tregon edhe vështirësitë me të cilat përballet.

“Mbështetja për bizneset private nuk është aq sa duhet me qenë. Nuk po hy në detaje me dhënë ndonjë përqindje të caktuar, por çdoherë e më shumë na duhet mbështetja e Qeverisë, na vynë lehtësirat që janë shumë të nevojshme për të gjitha bizneset pa marrë parasysh operimin apo fushat e operimit që i kanë. Po besoj që me kohën e kanë kuptuar edhe institucionet shtetërore që bizneset private janë ato që e zhvillojnë një vend dhe taksat tona janë ato që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe besoj se përkrahja e tyre është një pikë e rëndësishme në zhvillimin tonë si kompani private gjithashtu edhe në zhvillimin e fundit”, thotë ai.

Ndërsa, Agron Krasniqi, u shpreh se biznesin për furnizim me gypa të presionit të lartë të ujit të pijshëm, vendi ynë e diskriminon, pasi sipas tij lejon të futen mallra të pakontrolluara nga Serbia dhe Maqedonia.

“Realisht me fol, Kosova në fakt në vend që me e shty këtë biznes e diskriminon sepse lejon të futen mallra të pakontrolluara nga Serbia dhe Maqedonia. Tash e 12 vite që operojë, ne si biznes gjithmonë e kemi ngrit zërin për produkte të cilat kanë qenë edhe kancerogjene edhe janë mallra të pakontrolluara. Sipas letrave të doganës shpesh kemi rast që gypat që kanë hyrë nga Maqedonia dhe Serbia kanë hyrë me riciklim që është rreptësishtë e ndaluar për ujin e pijshëm që të përdoren këto materiale”, tha ai.

I njëjti, shtoi se mbështetja nga qeveria mbetet e mangët, madje edhe në dhënien e mundësisë për trajtim të kushteve të barabarta të këtij sektori.

“Ne si biznes nuk kemi ndonjë lloj mbështetje, asnjë lloj granti mirëpo ndihma më e madhe që munden me na bo është më na dhënë kushtet e barabarta në treg që me mujt me operu me kushte të barabarta. Është për të ardh keq të gjitha ujësjellësit regjionale në Kosovë përdorin disa çertifikata që vetëm Maqedonia i ka, nuk janë certifikata ndërkombëtare por janë certifikata që favorizojnë vetëm tregun serb dhe tregun maqedonas dhe për keqardhje kompanitë projektuese kosovare i kane fut në treg dhe i kanë mbrojt për  me mujt me bo biznese private që është fatkeqësisht me të ardhur keq”, tha ai.

Ndryshe, Panairi Ndërkombëtar EXPOKOS, nisi dje më 15 maj ndërsa vazhdon edhe sot.