Murati për aksionin e Policisë së Kosovës në komunat veriore: Çdo veprim është i bazuar mbi ligjshmërinë

Hekuran Murati-Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve

Ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka quajtur veprim për zbatimin e ligjit në fushën financiare, aksionin e Policisë së Kosovës në komunat veriore të vendit, i zhvilluar të hënën.

Ai tha pas mbledhjes së Qeverisë se ka pasur dyshime se po zhvilloheshin aktivitete financiare pa licencë.

“Ne sigurohemi për zbatimin e ligjshmërisë për fushën financiare. Ka pasur dyshime të bazuara që po zhvillohet aktivitet financiare në kundërshtim me ligjin. Dyshimi i bazuara ka qenë që është zhvilluar aktivitet pa licenca. Sa i përket reagimit nuk jam ne dijeni për detaje, por çdo veprim është i bazuar në ligjshmëri”, tha Murati.

Reklama e sponzorizuar

Të hënën, autoritetet e Kosovës zhvilluan operacion në veri, ku mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë, që operonin në komunat veriore.

Policia e Kosovës konfiskoi 1.6 milion euro, 74 milionë dinarë, mbi 19 mijë franga dhe rreth 14 mijë dollarë. Për këtë aksion ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, të cilin e cilësoi si të pa koordinuar me aleatët dhe që përshkallëzon tensionet në atë pjesë.