Është evdente ulja e çmimit të domates dhe të specave. Dje, në Tregun kryesor të Gjelbër të Prishtinës, çmimi i një kilogrami të domateve, atyre të kuqe, thuaja ishte standardizuar, dhe kushtonte 80 centë. Ndërsa, kilogrami i domates së ashtuquajtur rozë, tregtohej me 1 euro. Një kilogram speca pa djegës, të cilësisë së mirë, tregtohej me 1 euro, ndërsa e atij djegës 1,5 euro.
Buletini Ekonomik
Sado që stina e verës është fare pranë, kur rëndom në tregjet e gjelbra të vendit nisin të paraqiten edhe ndonjë produkt bujqësor vendor, ende ato janë numerikisht të pakta. Sikundër në muajt e deritashëm të këtij viti, edhe tani në prag të verës, në shumicën e tregjeve të gjelbra të Kosovës dominojnë perimet (speci, domatja, patatja, lakra e hershme, qepët) e importuara nga Turqia, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe sidomos nga Shqipëria. Ndërsa, perimet e prodhuara në tokat e bujqëve dhe kopshtarëve vendas, prania e të cilave tashmë vërehet në tregjet e gjelbra, janë sallata e gjelbër, karrota, sasi të vogëla të spinaqit, trangujt dhe qepët e reja.
Sivjet, qëkur janë paraqitur këto produkte bujqësore në tregjet e gjelbra të vendit, janë karakterizuar fillimisht me çmime të larta që kanë konkuruar fort çmimet e këtyre perimeve nga importi. Tani produktet bujqësore të vendit vazhdojnë të jenë pak a shumë të njëjta, pos qepëve të reja, të cilat me shumicë kanë vërshuar tregjet tona. Kështu, këto ditë, një tufë qepë të reja, amballazhim i kahershëm i tyre nga prodhuesit tanë, tani ka çmimin 10 centë dhe më së shumti nëse janë të cilësisë së lartë, 20 centë. Ose 10 tufa sosh, që tregtohen nga 1 euro.
Çmimi i spinaqit, që sivjet u importua në sasi të madhe nga Shqipëria, lëvizë nga 50 deri në 1 euro për një kilogram. Ndonjë tregtar në orë të caktuara të ditës ndodhë të ngitë çmimin edhe në 1,5 euro për një kilogram. Kurse, trangujt, që vijnë nga kopshtarët e Mamushës dhe të rajonit të Prizrenit, kanë çmimin 80 centë për një kilogram.
Ndërsa, çmimet e perimeve të importuara, që janë kryesisht speci, domatja, patatja, lakra e hershme, në gjysmën e dytë të këtij muaji, janë ulur ndjeshëm. Sidomos ka ulje çmimi të domates dhe të specit.
Dje, në Tregun kryesor të Gjelbër të Prishtinës, çmimi i një kilogrami domatesh, ajo e kuqja, thuaja ishte standardizuar, dhe kushtonte 80 centë. Ndërsa, kilogrami i domates së ashtuquajtur rozë, tregtohej me 1 euro. Ky çmim i domateve, pak a shumë, ishte edhe në shitoret e specializuara të pemëve dhe perimeve, në markete dhe supermarke, ku vëreheshin edhe çmime të ashtuquajtura “aksion” dhe ku domatja shitej edhe me nga 69 e 79 centë kilogrami.
Në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, por edhe në markete, edhe çmimi i specit, krahasuar me javë dhe muaj më pare, është ulur ndjeshëm. Dje, një kilogram speca pa djegës, të cilësisë së mirë, tregtohej me 1 euro, ndërsa e atij djegës 1,5 euro. Ky çmim, krahasuar, bie fjala me çmimin e para 1,5-2 mujash, kur një kilogram i specit djegës kushtonte në tregjet tona edhe 5 euro, është disa fish më i ulët. Ndërsa, çmimi i patateve më cilësore ishte 80 centë kilogrami.
Në kohët e fundit, në tregje, por edhe supermarkete, vërehet çmimi i ngritur i bananeve, që parë thuaja nuk ka kaluar 1 euro për kilogram, tani ky çmim ka arritur në 1,5 euro në tregun e gjelbër, ndërsa në supermarkete edhe 1,65 e 1,69 euro.
Edhe më tutje, çmim të lartë vazhdon të ketë fasulja. Ky produkt i cilësisë së lartë, vazhdon të tregtohet me 6 euro kilogrami, ndërsa ai i cilësisë mesatare me 3,5 euro.
Në këtë mënyrë, sado që vërehet një ulje evidente e çmimeve të disa produkteve bujqësore, sidomos të perimeve, sipas fjalëve të tregtarëve, por edhe të prodhuesve, këto ditë, por edhe në javët dhe muajt e fundit ka shumë pak shitblerje të këtyre produkteve dhe qarkullim të parasë në tregjet tona të gjelbra. Ndërkohë, sipas njohësve të rrethanave, si rrjedhojë e çmimeve të shtrenjta të ushqimeve në përgjithësi, por edhe të produkteve bujqësore në veçanti, tashmë familjet kosovare shpenzojnë diku mbi 30-40 për qind të buxhetit të familjeve, që është pak a shumë së paku dy-tre herë më shumë se mesatarja e një familjeje të BE-së, ku për t’u ushqyer – mesatarja e shpenzimeve mujore është 13 për qind. /Buletini Ekonomik/