Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vlera e investimeve direkte në Republikën e Kosovës deri në fund të muajit maj 2024 ka arritur saktësisht në 341.22 milionë euro. Çëhtja qëndron ndjeshëm më keq te investimet kapitale, te projektet e planifikuara kapitale, ku siç raportohet, në gjysmën e parë të vitit, vetëm disa ministri kanë lëvizuar paksa te investimet e parashikuara kapitale për vitin 2024, ndërkohë që, shumë ministri të Qeverisë aktuale kanë ngecur totalisht te përmbushja e objektivave të këtyre investimeve.
Buletini Ekonomik
Investimet në përgjithsësi, edhe ato të huajat edhe investimet kapitale kanë ngecur edhe sivjet, edhe vjet edhe në shumë vite më herët. Thjesht, ka fare pak investime në Kosovë në gjithë këto vite, prandaj ka edhe zhvillim të paktë ekonomik, ka shtim të papërfillshëm të të punësuarve, ka varfëri dhe ka ikje goxha të madhe të popullsisë nga atdheu i tyre, madje po shihet se ka edhe ikje jashtë Kosovës të kapitalit dhe të parasë nëpërmjet investimeve direkte jashtë Kosovës.
Për të qenë korrekt me konstatimet e mësipërme, po sjellin të dhëna konkrete të institucioneve kompetente të vendit. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vlera e investimeve direkte në Republikën e Kosovës deri në fund të muajit maj 2024 ka arritur saktësisht në 341.22 milionë euro, që paraqesin një rritje prej 10 për qind në krahasim me të njejtën periudhë të vitit të kaluar, por përqindje kjo që flet se vjet në të njëjtin muaj ka qenë edhe më keq sa i përket investimeve direkte.
Ndërsa, po sipas BQK-së, vlera e investimeve direkte jashtë Republikës së Kosovës (lexo; bartje e kapitalit të Kosovës jashtë vendit, qoftë të kompanive, apo individëve të ndryshëm) për këtë periudhë ishte 84.14 milionë euro. Bilanci tregtar në mallra deri në fund majit 2024 shënoi deficit në vlerë 1,833.93 milion euro, i cili është për 8.04 % më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti për këtë periudhë shënoi vlerën 373.86 milionë euro, që përfaqëson rritje prej 4.14 %, ndërsa importi i mallrave shënoi rritje prej 7.36 %, duke arritur vlerën 2,207.79 milionë euro. Ndërkohë, çështja qëndron ndjeshëm më keq te investimet kapitale, te projektet e planifikuara kapitale, ku siç raportohet, në gjysmën e parë të vitit, vetëm disa ministri kanë lëvizur paksa te investimet e parashikuara kapitale për vitin 2024, ndërkohë që, shumë ministri të Qeverisë aktuale kanë ngecur totalisht te përmbushja e objektivave të investimeve kapitale. Ose, më konkretisht, sipas raportit gjashtë mujor të buxhetit të përgatitur nga Ministria e Financave, të cilin e kanë raportuar mediet e vendit, vetëm ministria e Mbrojtjes dhe Zyra e Kryeministrit kanë arritur ta shpenzojë buxhetin e planifikuar për investime kapitale për këte periudhë, përkatësisht 52 dhe 82%.
Të gjitha ministritë e tjera kanë huqur pashembulltë te këto investime. Bazuar në raportin gjashtë mujor të buxhetit për këtë vit, shpenzimet kapitale nga organizatat buxhetore arritën vlerën prej vetëm 196.60 milionë euro, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 21% krahasuar me vlerën totale të buxhetuar për këtë kategori. Kjo do të thotë, se edhe në vitin e kaluar, investimet kapitale të projektuara me buxhetin e shtetit, kanë qenë thuaja simbolike edhe më 2023. Sivjet, në bazë të të dhënave të raportit, ministria e Bujqësisë, ajo e Pushtetit Lokal, ministria e Kthimit dhe Kuvendi i Kosovës, në periudhën janar-qershor 2024 nuk kanë realizuar fare investimet kapitale, ose shpenzimet kapitale të këtyre institucioneve kanë qenë në këtë periudhë zero për qind.
Të dhënat nga raporti gjashtë mujor 2024 i buxhetit të përgatitur nga Ministria e Financave, të raportuara nga Front Online, flasin për realizime fare minimaliste të investimeve kapitale edhe në ministritë e tjera. Në ministrinë e Tregtisë, bie fjala, për gjashtë muaj janë shpenzuar vetëm 1% e buxhetit të planifikuar për investime kapitale, te ministria e Drejtësisë, vetëm 2%. Te ministria e Financave, 6 për qind, ndërsa te ministria e Arsimit investimet kapitale në janar-qershor kanë shkuar vetëm në 8 për qind. As Zyra e Presidentes, nuk ka shpenzuar më shumë se 1% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale. Ndërkohë, po sipas të dhënave të këtij raporti, ministria e Kulturës ka shpenzuar 11% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale, ajo e Ekonomisë, dhe e Brendshmja 13%, ministria e jashtëme 16 për qind t dhe ministria e Shëndetësisë ka realizuar 18 % të buxhetit për investime kapitale në periushën gjashtë mujore të 2024-tës.
Këto shifra tregojnë për ngecje të pashembulltë të investimeve kapitale ndër institucionet e vendit, ndërsa në ditët dhe muajt në vijim do të reflektohen doemos edhe pasojat e këtyre dështimeve. Pse kanë dështuar këto investime dhe pse ka ngelur e bllokuar gjithë kjo para e buxhetit, në kohën kur Kosova ka nevoja për një mijë e një projekte zhvillimore, duhet të shpjegojë dikush nga zyrtarët e këtyre dikastereve. Duhet thënë se edhe shifra e investimeve direkte prej 341.22 milionë euro në periudhën janë – qershor të këtij viti zvetnohet dukshëm dhe bie nga vlera, kur dihet se në këtë shumë parash investuese janë dominuese investimet në në patundshmëri, respektivisht në blerjen e banesave nga mërgata kosovare dhe aty-këtu ndonjë toke.
Pra, edhe sivjet, sikundër edhe në shumë vite të tjera të pasluftës, sektori i patundshmërisë ka vazhduar të mbetet më atraktivi dhe më i rëndësishmi për investime të huaja dhe gjithnjë ka qenë ndëmjet 60 deri në 80 për qind të gjithsej IHD-ve. Sektorët e tjerë me kontribut në rritjen vjetore të investimeve direkte, por që janë ndjeshëm nën hijën e patundshmërive, janë sektori i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, si dhe sektori i ndërtimtarisë.
Ndërkohë, dihet se investimet në patundshmëri (në blerjen e banesave dhe të lokaleve), qoftë edhe me paranë e ardhur nga jashtë, nuk e kanë efektin as të përafërt të zhvillimit ekonomik, të gjenerimit të kapitalit, të krijimit të vendeve të punës dhe të rritjës reale të zhvillimit ekonomik. Prandaj, po të analizohen më detajisht investimet e huaja direkte në Kosovë, nuk dalin të jenë edhe aq rezultative dhe të efektshme, megjithë shifrat goxha të larta të apostrofuara. Shi për këtë, dalin të jenë diskutabile edhe këto shifra për investime të huaja. Sepse, në Kosovë, në këta muaj të 2024 – tës, ende nuk ka ndonjë njoftim për ndonjë investim të vlershëm kapital, për ndërtimin e ndonjë kapaciteti prodhues që do të gjeneronte vende të reja pune, për ndonjë partneritet serioz publiko-privat të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
Sido që të jetë, investimet në përgjithësi, pra edhe ato kapitale, edhe investimet e huaja direkte, edhe ato në projekte industriale dhe energjetike, në këto vitet e pasluftës kanë qenë goxha minimaliste, për të mos thënë thuaja se të reduktuara, ose, në njëfarë mënyre të dështuara, të papërmbushura në asnjë objektiv. Në këtë mënyrë, Kosova edhe më tutje po ngec ekonomikisht, po stagnon edhe në realizimin e investimeve kapitale, edhe në tërheqjen e parasë nga investitorë të jashtëm. Në Kosovë edhe në këta muaj të shkuar të 2024-tës ka ngritje pa kontroll çmimesh të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre themelore ushqimore, ka varfëri të madhe, ka papunësi enorme dhe ikje brengosëse të qytetarëve nga vendi I tyre./Bletini Ekonomik