Po bëhen muaj të tërë qëkur janë nënshkruar disa kontrata me subjekte ndërkombëtare financiare dhe me konzorciume të ndryshme nga bota për ndërtimin e disa kapaciteteve të energjisë solare, por opinioni kosovar nuk e ka të qartë ku është arritur, në ç’fazë dhe kur do të realizohen këto projekte të energjisë së ripërtëritshme, apo ku kanë ngecur punët rreth realizimit të këtyre projekteve. Dihet vetëm se asnjë nga projeksionet e planifikuara të kapaciteteteve të energjisë së rinovueshme nuk është as së afërmi i gatshëm.
Mehmet GJATA
Kosova ka vonesa të theksueshme të përmbushjes së vizioneve dhe parashikimeve të ndërtimit të kapaciteteve të energjisë së rinovueshme. Po bëhen muaj të tërë qëkur janë nënshkruar disa kontrata me subjekte ndërkombëtare financiare dhe me konzorciume të ndryshme nga bota për ndërtimin e disa kapaciteteve të energjisë solare, megjithatë opinioni kosovar nuk e ka të qartë ku është arritur, në ç’fazë dhe kur do të realizohen këto projekte të energjisë së ripërtëritshme, apo ku kanë ngecur punët rreth realizimit të këtyre projekteve. Dihet vetëm se tani që sado që tashmë gjendemi në prag të 2025-tës, ende asnjë nga projeksionet e planifikuara të kapaciteteve të energjisë së rinovueshme nuk është as së afërmi i gatshëm.
Ndërkohë, tashmë është e ditur se rreth shpejtësisë dhe efektshmërisë së ndërtimit të kapaciteteve të kësaj energjie, në botë ka ndodhur, praktikisht, një revolucion mahnitës. Tani në botë, gjatë vitit 2024, pra, sipas analistëve të grupit të të dhënave BloombergNEF, brenda një dite të vetme do të arrihet të instalohet një kapacitet prej 520-655 gigavatësh, ose sa dyfishi i kapacitetit të prodhuar para 20 vjetësh.
Sipas këtyre të dhënave, të cilat i ka publikuar tashmë edhe Buletini Ekonomik, në vitin 2004, botës iu desh një vit i tërë për të instaluar një kapacitet prej një gigavati në energji diellore (1 GË është i barabartë me një miliardë vat, ose një e mijëta e një teravati); në vitin 2010, iu desh një muaj; në vitin 2016, iu desh vetëm një javë” . Dhe, sipas kësaj analize, kjo rritje e jashtëzakonshme ka ardhur nga ndërveprimi i tre faktorëve të thjeshtë. Kur industritë prodhojnë më shumë nga diçka, ato e bëjnë atë më të lirë. Kur gjërat bëhen më të lira, kërkesa për to rritet. Dhe kur kërkesa rritet, prodhohet më shumë.
Në rastin e energjisë diellore, për një kohë të gjatë në fillim të këtij shekulli, kërkesa u krijua dhe u mbështet nga subvencionet shtetërore, më pas rënia e çmimeve u bë e dukshme dhe e parashikueshme. Përgjigjet pozitive që nxisin rritjen e kërkesës, u rritën në shkallë globale. Prodhohet në këto dy – tre vjetët e fundit shumë më shumë energji e rinovueshme thuaja edhe në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, pos Kosovës.
Vendet e Ballkanit Perëndimor sivjet, në të gjithë muajt e deritashëm të 2023-tës dhe të 2024-tës , kanë “shpërthyer” në investimet në energjinë diellore, dhe në atë në bazë të erës, dhe kapacitetet e reja realisht do të jenë krah i fortë për zbutjen e krizës së energjisë që kishte përfshirë tani e dy-tre vjet edhe këtë rajon si rrjedhojë e shumë faktorëve.
Sipas të dhënave zyrtare, të bëra tashmë publike në shumë medie të rajonit, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, tashmë kanë liberalizuar tërësisht tregun e energjisë elektrike. Në Shqipëri aktualisht ka 210 megavatë energji solare në ndërtim e sipër. Edhe Bosnja dhe Hercegovina ka arritur të hapë tregun e energjisë dhe ka vendosur cakun 40% nga burimet e ripërtëritshme deri në vitin 2025. Ndërsa, Serbia ka plane konkrete për ngritjen e kapaciteteve solare deri në 5 gigavatë, kapaciteteve të erës në 2.5 gigavatë si dhe të instalojë qindra megavatë sisteme të ruajtjes së energjisë përmes baterive. Ndërsa, dihet, Greqia tashmë lidere e energjisë së rinovueshme në Ballkan, që nga viti 2019 instalon mesatarisht 1,700 – 2,000 MË në vit projekte solare. Greqia, po kështu, ka vendosur cakun 55% të bruto konsumit final të energjisë me burime të ripërtëritshme deri në vitin 2025. Kushdo që ka kaluar kohëve të fundit nga kufiri i Maqedonisë së Veriut drejt Selanikut, një distancë rreth 80 kilometrash gjatësi, në të dy anët e rrugës, e sidomos në anën e majtë të saj në drejtim të Selanikut, ka parë panele solare të pafundme në fushat përgjatë rrugës. Kurse Bullgaria ka lëshuar licenca gjenerimi për projekte solare dhe me erë me kapacitet 4500 megavatësh gjatë 2022 – 2023, të cilat pritet të vihen në funksion në vitin 2024.
Ndërsa, Kosova akoma është “në fund të pusit”, sa i përket pasjes së kapaciteteve të energjisë së gjelbër. Përkundër deklarimeve të parreshtura të autoriteteve se “energjia elektrike është interes kombëtar” dhe deklaratave të kreut të Qeverisë aktuale se “këto dy vjet e gjysmë qeverisje, kemi punuar në mënyrë metodike për zgjidhjen afatgjate që meriton vendi ynë”, dhe përkundër vizioneve dhe ideve mbresëlënëse, ka fare pak rezultate të ndërtimit të impianteve të energjisë së rinovueshme.
Praktikisht, Kosova po e përmbyllë edhe vitin 2024, vetëm me Parkun e energjisë me erë në Shalë të Bajgorës (me kapacitet 105 megavatësh), të ndërtuar para dy-tre vjetësh nga kompani dhe kapital i huaj dhe një park solar me kapacitet fare të vogël (36 megavatësh) në Kitkë të Kamenicës, të ndërtuar nga investitorë turq, po kështu, para disa vitesh. Kemi edhe ca hidrocentrale me fuqi minimaliste, të ndërtuara vite e vite më parë, dhe që sasia e energjisë elektrike të prodhuar në to, as që ia vlenë të përmendet.
Në këtë mënyrë, Kosova me vonesat e ndjeshme të realizimit të ndonjë projekti të ri të energjisë së rinovueshme, ka të ngjarë të huqë edhe synimet e programuara për pasjen e kësaj energjie sipas dokumenteve zyrtare të zhvillimit të sektorin energjetik, ndër to të Strategjisë të zhvillimit të energjisë në periudhën 2022-2031. Ndërsa, duke parë këtë gjendje, domosdo bëhet i diskutueshëm deklarimi i para dy tre ditëve i kryeministrit Kurti se “suksesi i ankandit të parë solar prej 100 MË e ka vendosur Kosovën në hartën e investimeve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë në Evropë”.
Nuk mund të vlerësohet sukses i ankandit të parë solar, kur ky projekt nuk dihet se në çfarë faze ndërtimi gjendet tani, kur vetëm pak ditë na ndajnë nga muaji dhjetor, ose kur nga maji, kur iu besua ndërtimi i këtij impianti një konzorciumi ‘miks’ (vendor-ndërkombëtar), kanë kaluar mbi 6 muaj të plotë dhe askush në Kosovë, së paku në opinionin e këtij vendi nuk di se në ç’fazë gjendet tani ky projekt. Nuk mund të quhet sukses zvarritja e diskutueshme e këtij projekti, kur në botë projektet e ngjashme, praktikisht po realizohen brenda 24 orëve, apo shumë – shumë brenda javësh dhe muajsh. Ndërsa, Kosova akoma është tepër larg ndërtimit të një impianti të vetëm solar më serioz dhe të një kapaciteti më imponues të prodhimit të rrymës nga dielli në këtë vend (hiq dhjetëra, qoftë edhe qindra panele solare të vendosura nëpër disa nga shtëpitë e kosovarëve për nevojat familiare).
Kosova, pra, po vonohet tmerrësisht shumë dhe pashpjegueshëm për ta pasur një kapacitet prodhues 100 megavatësh, që në suaza të kapaciteteteve të instaluara në botë, vlerësohet te kapacitetet e vogla, ose shumë-shumë te ato mesatare. Kosova, thënë më së buti, në këto vite, qëkur është miratuar Strategjia energjetike 2022-2031 dhe qëkur është proklamuar zyrtarisht tranzicioni elektroenergjetik në këtë vend (zëvendësimi i qymyrit si burim energjetik dominues, me burime të energjisë së rinovueshme), pati shumë fjalë, shumë premtime dhe jo pak promovime spektakulare të projekteve të energjisë solare, por nuk pati dhe nuk ka rezultate të arritura (asnjë të vetëm) në këto vitet e fundit në ndërtimin e kapaciteteteve të energjisë diellore, si një ndër burimet më të rëndësishme të parashikuara dhe të vijëzuara si vizion për tejkalimin sa më të shpejtë të tranzicionit elektroenergjetik, të premtuar edhe nga Qeveria aktuale.
Në këtë periudhë, dhe në prag të vitit 2025, pra, Kosova nuk ka asnjë kapacitet të finalizuar solar, dhe ka vonesa të theksueshme të realizimit të fare pak projekteve të nisura tashmë. Sot e kësaj dite, së paku për publikun në vend, ka paqartësi të shumta rreth fatit të ndërtimit të të gjitha impianteve të premtuara nga zyrtarët dhe ata të nisur një numër sish. Tani për tani, nuk dihet shumë as për fatin e ndërtimit të impiantit fotovoltaik diellor me kapacitet rreth 100 megavatësh, për çka Qeveria e Kosovës dhe Banka Evropiane për Investime (EIB), që më 18 mars 2024 kanë nënshkruar një marrëveshje investimi 33 milionë euro.
Opinioni nuk është i informuar një herë të vetme pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, që siç u tha më 18 mars “Është projekti i parë solar në KEK…
“Është projekt shumë i rëndësishëm për shkak se ndihmon tranzicionin e KEK-ut dhe rajonit të Prishtinës dhe Obiliqit në rrugën drejt dekarbonizimit. Po kështu, nuk ka shumë informacione se si është duke ecur dinamika e realizimit të projektit të madh solar (kapacitet energjetik në bazë të diellit me fuqi të instaluar prej 70 megavatësh), me emërtimin “Solar4Kosova”.
Në fazën e paranisjes së këtij projekti, nga autoritet e vendit thuhej se bëhej fjalë për një kapacitet solar në përmasa të mëdha diellore dhe që do të jetë jetë bashkëdyzim i dy komponentëve: distriktit solar të ngrohjes (Termokos) dhe fuqisë fotovoltaike (KEK), dhe që do të ketë gjithanshëm të mirat e veta. Ndërsa, ankandi i parë solar, që për shkak të vonesave shumë mujore deri në lansimin e tij, u bë historik dhe shumë i përfolur jo vetëm në qarqet energjetike të vendit. Dhe, pas 12 majit 2023, kur Qeveria e Kosovës, më në fund, pas shumë vonesave, kishte lansuar ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 megavatësh në vlerë 75 milionë euro, prap ka paqartësi rreth implementimit të tij, realizimit, apo nisjes fare të punëve për ndërtimin e këtij kapaciteti. Lansimi i këtij ankandi ç’është e vërteta, ishte paraparë të bëhet që në fund të vitit 2022, por u shty pa shpjegime të bindshme nga zyrtarët disa herë. Dhe ky ankand solar dhe i nisur më në fund, me të drejtë konsiderohej si pikënisje për një epokë të re të zhvillimit të Kosovës në burimet e ripërtëritshme. Por, edhe pse kaluan muaj të tërë që nga maji, opinioni nuk di asgjë rreth realizimit të këtij projekti (ku ka arritur ndërtimi i tij, pse po vonohet kaq shumë dhe përtej ritmeve të ndërtime të ngjashme në botë). Ku janë shkaqet e vonesës? Pse konzorciumi fitues i ndërtimit të këtij kapaciteti solar një herë të vetme nuk doli në publik për të sqaruar për fatin e këtij projekti, që në botë, siç u citua më lart përvoja e botës, ky kapacitet tani ndërtohet sa çel e mbyllë sytë, brenda fare pak ditësh?
Fundja, edhe qeveria duhet të shpjegojë shkaqet e vonesës kaq të madhe, të sqarojë cilat janë shkaqet reale, a mos është fjala për ndonjë pengesë serioze për ta implementuar projektin nga konzorciumi fitues, mos është fjala për mungesë parash te fituesi. Mos kanë “dorë” në këtë ngecje masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës. Në fund, ngecjet në asnjë mënyrë nuk mund të radhiten si suksese. Ndërsa aktivitetet, veçmas ato të rëndësishmet, rreth zhvillimeve në sektorin e energjisë së rinovueshme, paralajmërimeve të projekteve të mundshme që do ta shpejtonin tranzicionin energjetik dhe dekarbonizimin e synuar të Kosovës si dhe procesin e ndërtimit të kapaciteteteve të planifikuara dhe të nisura tashmë, nuk duhet të jenë tabu në këtë vend. Bërja publike e të dhënave elementare të domosdoshme për informimin e opinionit (qytetarëve të këtij vendi) rreth zhvillimeve në sektorin e energjisë së rinovueshme, qoftë edhe zvarritja e përmbushjes së afateve të ndërtimit, me arsye dhe pa arsye, janë obligim i autoriteteteve. /Buletini Ekonomik/