Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar për një hap të rëndësishëm që është marrë drejt avancimit të performancës së mësimdhënësve.
Nagavci në një postim në Facebook, ka shkruar se në kuadër të reformave për zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe avancimit të performancës së tyre kemi hapur sot thirrjen për aplikim për mësimdhënësit që synojnë të marrin Licencën e Avancuar për Mësimdhënie.
“Kjo është thirrja e parë publike që MASHTI e bën për mësimdhënësit e shkollave publike në Kosovë. Thirrja vlenë për mësimdhënësit e profileve si më poshtë: Mësues të arsimit fillor; Mësimdhënës të lëndës “Matematikë” në Arsimin e Mesëm të Ulët (AMU) dhe Arsimin e Mesëm të Lartë (AML); dhe Mësimdhënës të lëndës “Gjuhë shqipe” në Arsimin e Mesëm të Ulët (AMU) dhe Arsimin e Mesëm të Lartë (AML)”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka theksuar se aplikimi mund të bëhet përmes platformës e-kosova nga sot deri më 19.12.2024.
“Të gjitha ato/ata që do të përmbyllin suksesshëm këtë proces do të përfitojnë shtesën e performancës. Bashkë, çdo ditë për rezultate të synuara e avancim të performancës në arsim”, u shpreh ministrja.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti e cilësoi këtë si hap të rëndësishëm drejt zhvillimit dhe avancimit të performancës së mësimdhënësve në shkollat e vendit.
“Për arsim më cilësor me mësimdhënës të përgatitur për gjeneratat që po vijnë, sot Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka hapur thirrjen e parë publike për aplikim për mësimdhënësit që synojnë të marrin Licencën e Avancuar për Mësimdhënie. Të gjitha ato e ata që do të përmbyllin suksesshëm këtë proces do të përfitojnë shtesën e performancës”, shkroi Kurti.