Kuvendi i Kosovës ka vazhduar punimet në orët e vona të mbrëmjes, me praninë e vetëm të deputetëve mazhoritarë, për miratimin me procedurë të përshpejtuar të një sërë projektligjesh në shqyrtim të parë dhe të dytë, njërën prej të cilave u thirr edhe seancë e jashtëzakonshme.
Seanca e rregullt plenare kishte nisur punimet nga ora 14:00 dhe në rend dite kishte 27 pika, por ajo zgjati deri rreth orës 23:50, pas kërkesës së deputetëve të Vetëvendosjes për shmangie të afateve të caktuara për hedhjen edhe në shqyrtim të dytë të një sërë projektligjesh për të cilat u tha se janë me rëndësi për votim.
Në lexim të dytë u miratua Projektligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, Projektligji për shërbimin e pagesave, dhe Projektligji për provimin e maturës shtetërore.
Kryetari Glauk Konjufca në vazhdim propozoi seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës, pas sigurimit të nënshkrimeve të 40 deputetëve nga mazhoranca, për shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për gjykatën administrative, e cila mori votat e 62 deputetëve të pranishëm.
Pas seancës urgjente, deputetët vazhduan me shqyrtimin e pikave të mbetura të rendit të ditës, në të cilën Projektrezoluta për vlerësimin e punës së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil për 2022 nuk mori votat e nevojshme, ndërsa u miratua Projektrezoluta tjetër për vlerësimin e punës së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për vitin 2023.
Kuvendi kaloi në të dyja leximet edhe Projektligjin për financimin efinancimin e menaxhimit të resurseve ujore, Projektligjin për Inspektoratin Qendror të mjedisit, Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, Projektligjin kundër dukurive negative në sport, Projektligjin për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale, pas takimeve të komisioneve parlamentare përkatëse.
Deputetët kanë miratuar kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksës për investime vjetore prej 0.30 për qind dhe asaj operacionale prej 0,047 për qind për 2025, rregulloren e punës së komisionarit parlamentar për FSK, raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për ndërmarrjet publike me plotësim-ndryshime, raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e Ligjit për odat e profesionistëve shëndetësorë, si dhe atë për mbikëqyrjen e ndërmarrjeve sociale, teksa raporti vjetor i ndërmarrjes publike KOSTT për 2023 nuk u miratua në mungesë të kuorumit.
Ndërsa për këtë mbledhje të natës ka reaguar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj. Ai tha se për këtë seancë u shkelën procedurat.
“Kanë thirr me 40 nënshkrime. Kanë bere shmangie procudurale duke u bazuar ne rregulloren e kuvendit”, ka thënë Lekaj për Express.
Njoftimi i plote:
Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, pasdite Kuvendi hyri në seancën e përcaktuar nga Kryesia e Kuvendit, duke e plotësuar rendin e ditës me pika shtesë.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës Kuvendi shqyrtoi në lexim të parë Projektligjin për Lojërat Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”. Projektligjin e prezantoi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili këtë moment e konsideroi historik, sipas të cilit e zhvillon sportin në Kosovë, duke ofruar mundësi unike për të përmirësuar imazhin në arenën ndërkombëtare.
Pas diskutimeve, me 62 vota për, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi në lexim të parë Projektligjin për Lojërat Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”.
Kuvendi po ashtu shqyrtoi dhe miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Banka dhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror për Mbikëqyrjen e Tregut.
Deputetët me 63 vota për, miratuan në lexim të dytë Projektligjin për Ofruesin e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, si dhe Projektligjin për shërbimet e pagesave.
Në vijim Kuvendi emëroi Ali Bruqajn dhe Ali Vitinë anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Në mungesë të vendimmarrjes Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor dhe Projektligji për gjendjen civile u shtynë për një seancë tjetër.
Seanca vazhdoi me votimin në parim të Projektligjit për provimin e maturës shtetërore, i cili mori shumicën e votave të deputetëve të pranishëm.
Deputetët e Kuvendit shqyrtuan në lexim të dytë Projektligjin për harmonizimin e ligjeve të veçanta me Ligjin për kundërvajtje, i cili u miratua me 62 vota për, sikurse edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve të veçanta për krijimin e bazës ligjore për nxjerrjen e akteve nënligjore nga qeveria dhe ministrat, si dhe Projektligji për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave.
Po në lexim të dytë Kuvendi miratoi Ligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, për të cilin paraprakisht u hodh në votim për shmangie nga rregullorja e Kuvendit.
Po ashtu me shmangie nga procedurat e rregullta Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, si dhe Ligjin për Shërbimet e Pagesave dhe Projektligjin për provimin e maturës shtetërore.
Kuvendi shqyrtoi në lexim të dytë Projektligjit për Gjykatën Administrative, i cili u miratua me 62 vota të deputetëve.
Kuvendi vazhdoi punën me hedhjen në votim të Projekt-rezolutës për vlerësimin e punës së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për vitin 2022, e cila nuk u miratua, ndërkaq me shumicë votash e miratoi Projektrezolutën për vlerësimin e punës së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për vitin 2023.
Në vijim Kuvendi miratoi në lexim të parë Projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore dhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore, Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, Projektligjin kundër dukurive negative në sport, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale.
Kuvendi miratoi taksën investive prej 0,30 për qind dhe taksën operacionale prej 0, 047 për qind për vitin 2025 të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, si dhe Rregulloren e punës së Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Seanca vijoi punimet me shqyrtimin e dhe miratimin e raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për ndërmarrjet publike, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjet nr.04/L-111 dhe nr.05/L-009, raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Odat e profesionistëve shëndetësorë, si dhe raportin me rekomandime për mbikëqyrje të zbatimit të Ligjit për ndërmarrje sociale. Në mungesë kuorumi nuk u hodh në votim raporti vjetor i ndërmarjes publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2023.
Kryetari Glauk Konjufca pas shqyrtimit të këtyre pikave hapi seancën e jashtëzakonshme, në të cilën u hodhën në votim pesë projektligje, të cilët paraprakisht me një mocion votim u shmangën nga procedurat e rregullta.
Në lexim të dytë u miratuan Projektligji për financimin e menaxhimit të resurseve ujore, Projektligji për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore, Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, Projektligji kundër dukurive negative në sport, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale.
Pas shqyrtimit dhe votimeve të këtyre pikave, Kuvendi mbylli punimet e seancës plenare.
Projektligjet e shqyrtuara dhe të miratuara paraprakisht morën mbështetjen e komisioneve përkatëse parlamentare.