Gjatë mandatit të qeverisë Kurti, të cilin e mori më 2021, Gjykata Kushtetuese ka kontestuar gjithsej 8 ligje, me arsyetimin se përmbanin nene që nuk ishin në përputhje me Kushtetutën. Në mesin e këtyre ligjeve të rrëzuara nga Kushtetuesja, janë Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, Ligji për çmimin tavan të produkteve dhe ai për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese, gjithashtu, bëri të ditur se në shqyrtim ka edhe 8 ligje të tjera, përfshirë atë për Fondin sovran, ligjin për skemat pensionale dhe ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ndërkohë, deklaratat e kryeministrit Kurti, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, por edhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi, ish-gjyqëtari i Kushtetueses Kadri Kryeziu i sheh si tejet të dëmshme.
“Qasje tepër e gabuar e kryeministrit ai duhet të bashkëpunojë me pushtetet e tjera sepse kjo qasje krijon performancë negative tek faktori ndërkombëtar dhe duhet të ketë kujdes të mos përfshihet në punët e Gjykatës”, thaq Kryeziu për rtv21
Në anën tjetër, më 13 dhjetor PDK-ja, ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese 16 ligje të miratuara në seancën e natës së 5 dhjetorit. 15-të ligje vetëm për mënyrën se si janë miratuar, ndërsa atë për ligjin për Byronë e Konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme edhe në përmbajtje. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese, ligjet e ankimuara së fundmi nuk i komentoi. Partia në pushtet tha se ligji për byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme e frikëson PDK-në, deklarata këto të hedhura poshtë nga PDK-ja. Ish-kryetari i gjykatës së apelit, Hasan Shala, tha se Gjykata Kushtetuese kontribuon në reformat kushtetuese.
“Kushtetuesja është për reforma në drejtësi por ajo është për reforma në përputhje me kushtetutën”, tha Shala.
Por, përveç me gjykatën Kushtetuese, kryeministrit Kurti telashe i doli edhe me prokurorinë speciale duke mos iu përgjigjur ftesës së saj për intevisitim, i cili, sipas mediave ka të bëj me aferën e rezervave shtetërore.
LVV-ja që nga ardhja në pushtet është shquar për përplasje me sistemin e drejtësisë, ndërsa komentet dhe akuzat drejtuar këtij sistemi janë vlerësuar si ndërhyrje direkte e pushtetit.