Kurti takon një grup investitorësh në Davos, i fton të investojnë në Kosovë

Albin Kurti dhe Artane Rizvanolli në Forumin Ekonomik Botëror në Davos

Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, në Shtëpinë e Kosovës (House of Kosova), e filloi qëndrimin e tij në Zvicër – kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjersa takoi një grup investitorësh strategjikë.

Në takim, kryeministri shoqërohej nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Sipas njoftimit nga ekzekutivi, takimi ishte i fokusuar në investimet në energji, me ç’rast kryeministri theksoi se Kosova po investon në vazhdimësi në mënyrë që të arrihet sa më shumë pavarësi e siguri energjetike.

Reklama e sponzorizuar

“Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031, është thelbësore dhe qëndron si pikë kyçe e avancimit energjetik të vendit dhe tranzicionit të drejtë, drejt energjisë së ripërtërishme”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Tutje theksohet se kryeministri Kurti e ftoi grupin e investitorëve që të investojnë në Kosovë dhe të shfrytëzojnë kushtet e favorshme për investim, veçanërisht në sektorin e energjisë, që mbetet sektor kyç për zhvillimin e vendit.