ASK publikon të dhënat për tregtinë e jashtme, deficiti tregtar prej 17,5%

Eksporti dhe importi
Foto ilustruese, eksport dhe import

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2024. 

“Të dhënat nga tregtia e jashtme të mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 17,5% në muajin dhjetor 2024, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2023, gjegjësisht në vlerë prej 561,5 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 477,7 milionë Euro në vitin 2023”, njofton ASK.

Reklama e sponzorizuar

ASK njofton se eksporti mbulon importin me 11,0%. “Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2024 kishte vlerën 69,6 milion Euro, ndërsa importi 631,1 milion Euro, që është një rritje prej 6,5% për eksport, si dhe një rritje prej 16,2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023”, njofton ASK.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 20,3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14,9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7,3% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 59,8% e përbëjnë produktet minerale, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 16,6% e përbëjnë produktet minerale; 13,1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12,7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,4% e përbëjnë mjetet e transportit; 7,7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 23,6 milionë Euro, ose rreth 34,0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 26,6%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (10,0%), Austria (5,0), Holanda (2,8%), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 269,8 milionë Euro, ose 42,7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej (5,7%). Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,8%), Italia (5,0%), Greqia (4,2%), etj.

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 33,2 milionë Euro, ose 47,7% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 19,0%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (21,6%), Maqedonia e Veriut (14,8%), Serbia (5,5%), Mali i Zi (4,8%).

Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 99,6 milionë Euro, ose 15,8% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej (44,1%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (5,9%), Shqipëria (5,5%), Serbia (3,1%).

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 12,7 milionë Euro, ose 18,3%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (7,4%) dhe SHBA (3,5%). Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 261,7 milionë Euro, ose 41,5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13,8%) dhe Kina (13,0%)”, njofton ASK.