Vërehen dallime evidente në kundërshtimet e paralajmërimit të çmimit të ringritur të rrymës nga institucionet dhe autoritetet përfaqësuese të tyre. Pse ndryshe kundërshton ngritjen e çmimit të rrymës Presidenca – dhe ndryshe Qeveria?
Buletini Ekonomik
Propozimin e ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend e kanë kundërshtuar masovikisht konsumatorët kosovarë, në radhë të parë, por edhe subjektet ekonomike, bizneset, dhe së fundi edhe institucionet e Kosovës janë deklaruar rreth kësaj çështjeje të ndjeshme dhe me pasoja. Mirëpo, jo vetëm njohësit e zhvillimeve energjetike në vend kanë vërejtur dallime evidente në kundërshtimet e paralajmërimit të çmimit të ringritur të rrymës nga institucionet dhe autoritetet përfaqësuese të tyre. Derisa Presidenca fuqishëm e ka kundërshtuar propozimin e ZRRE-së për rritjen e çmimit të rrymës, duke vlerësuar se ngritja e çmimit është edhe në kundërshtim me kornizën ligjore, Qeveria dhe ministria e Ekonomisë kanë pasur qasje dhe pozicionim tjetër, shumë më të ndryshëm dhe shumë selektiv.
Madje, në bazë të deklarimeve shumë të vonuara të tyre (vetëm 3-4 ditë para 1 prillit, afati i paracaktuar i ndryshimit të tarifave nga ZRRE-ja), të bëra publike edhe në medie, mund të thuhet se Qeveria e Kosovës e ka miratuar ngritjen e propozuar të çmimit të rrymës, ndërsa ministria e Ekonomisë, praktikisht ka pozicionim shumë të ndryshëm nga Presidenca.
Në deklarimet e ministrisë së Ekonomisë thuhet se “kanë analizuar raportet dhe kanë dorëzuar komentet e tyre në konsultimin publik, duke u fokusuar në zvogëlimin e rritjes së tarifave dhe shpërndarjen më të drejtë të barrës tek konsumatorët”.
Në propozimin e saj, Ministria e Ekonomisë ka kërkuar që rritja e çmimeve të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kËh dhe të krijohen më shumë blloqe tarifore për konsumatorët me shpenzim të lartë të energjisë elektrike. Në komunikatën e saj, Ministria ka siguruar qytetarët se po ndërmerr çdo veprim të mundshëm për të kufizuar ndikimin e tarifave të reja.
Me këto deklarime, siç shihet qartazi miratohet ngritja e çmimit, por për ta relativizuar miratimin e ngritjes së çmimit të rrymës të kundërshtuar nga të gjithë kosovarët, ka pasuar deklarimi që “rritja e çmimeve të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kËh dhe të krijohen më shumë blloqe tarifore për konsumatorët me shpenzim të lartë të energjisë elektrike”.
Ndërkohë në deklaratën e vakt të Qeverisë, gjithsesi miratuese të çmimeve të reja të paralajmëruara nga ZRRE-ja, thuhet se “rritja e propozuar e tarifave lidhet me faktorë të tjerë, si çmimet e larta të importit dhe investimet e domosdoshme në rehabilitimin e Termocentralit Kosova B”.
Tutje, Qeveria ka theksuar se “modernizimi i sistemit energjetik është një proces afatgjatë që do të sjellë përfitime të qëndrueshme për ekonominë dhe qytetarët. Në këtë drejtim, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, janë realizuar investime prej mbi 35 milionë euro në efiçiencë të energjisë dhe do të vazhdojnë investimet në burime të reja të qëndrueshme, si energjia diellore dhe e ajo e erës”.
Ndërsa, në reagimin e Presidencës, kundërshtimi i çmimit të energjisë elektrike është i qartë dhe pa ekuivoke. Presidenca thotë se “ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon ZRRE-në të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend.
“Ashtu si në shqyrtimin e jashtëzakonshëm të vitit 2023, Presidenca ka analizuar raportet konsultative për përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka dorëzuar komentet e saj tek ZRRE”, ka njoftuar Presidenca.
“Presidenca po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në vend, të cilat paralajmërojnë një rritje të mundshme të çmimit të energjisë elektrike. Sipas raporteve të ZRrE-së, pritet një rritje mesatare prej 15% për tarifat e konsumatorëve, duke filluar nga muaji prill. Ky vlerësim fillestar është bazuar në propozimet e dorëzuara nga kompanitë e rregulluara, si dhe vendimet për të Hyrat e Lejuara Maksimale për periudhën rregullative 2023-2027 për OST/OT dhe OSSH”.
Presidenca tha se megjithëse synimi është që të rritet siguria dhe furnizimi me energji gjatë vitit 2025, në përputhje me nevojat energjetike të vendit, rritja e çmimit të energjisë elektrike po parashihet të bëhet në një periudhë kohore kur veçse po ballafaqohemi me çmime të larta të produkteve në treg.
“Ky veprim do të mund të shkaktonte një valë të re të inflacioni në vend, si dhe të ndikonte drejtpërdrejt në rënien e fuqisë blerëse të qytetarëve”, thuhet në reagimin e Presidencës. /Buletini Ekonomik/











