Kamionët nga Kosova bllokohen në Durrës, Shqipëria pezullon protokollin T2 për transportin nga Porti i Durrësit

Bizneset e Kosovës ankohen për bllokim të transportit për dërgesat në Portin e Durrësit.

Bizneset e Kosovës po ankohen për bllokim në procesin e transporteve për dërgesat në Portin e Durrësit dhe se nuk po lejohen nisjet e kamionëve në bazë të një protokolli të nënshkruar nga Ministria e Financave e Shqipërisë në vitin 2016 për transitin e përbashkët T2.

Ato thonë se kanë marrë njoftimin nga Dogana e Kosovës, e cila është njoftuar nga Dogana e Shqipërisë se transiti i përbashkët T2 në bazë të marrëveshjes mes dy qeverive nuk vlen më nga data 9 prill 2025.

Reklama e sponzorizuar

Bizneset kanë shprehur shqetësimin se kjo po u shkakton atyre kaos në procesin e punës, duke thënë se duhet të depozitohet T1 vetëm nga agjencia doganore e Shqipërisë.

Ato kërkojnë një reagim të shpejtë nga institucionet e Kosovës, pasi janë të bllokuar në procesin e transporteve, raporton KosovaPress.

Kujtojmë, në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për bashkëpunimin në nxitje dhe lehtësimin e tregtisë, së arritur në Prizren më 11 janar 2014, Ministria e Financave e Shqipërisë kishte miratuar udhëzimin më 19 dhjetor 2016 mbi zbatimin e procedurave për transitin e përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Në bazë të udhëzimit, procedura e transitit të përbashkët ndërmjet dy vendeve do të kryhet duke përdorur një deklarim transit dhe një garanci të vetme për mbulimin e lëvizjes, ku në sistemin Asycda World, deklarata për kryerjen e procedurës së transit të përbashkët ndërmjet dy vendeve do të plotësohet me T2.

Në dispozitën e fundit të udhëzimit thuhet që të gjitha hapat e tjera kryen normalisht sipas Instruksionit mbi Procedurën e Transitit të T1.