Pse nuk ka masa ndaj shkelësve të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës?

Autoriteti i Konkurrencës pas hetimeve të bëra, kishte konstatuar se “ka pasur marrëveshje të ndaluara me ligj (një nga format kur ndërmarrjet shkelin Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës), duke u dakorduar me konkurrentët për t’i fiksuar çmimet, për t’i ndarë tregjet, ose forma të tjera të ndryshme të marrëveshjeve të ndaluara”. Megjithatë, ende nuk ka sanksione të paralajmëruara ndaj shkelësve të ligjit.

Mehmet GJATA

Pas hovit të shumë bizneseve për të ngritur çmimet e produkteve të tyre me pretekstin e ngritjes së çmimit të energjisë elektrike prej 16,1 për qind, dhe ngritjes së çmimeve të disa produkteve esenciale jetësore (ngritja e çmimit të bukës, ndër të tjera) në fillim të muajit maj, Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës (AKK) kishte paralajmëruar hetime dhe monitorim të zhvillimeve në tregjet e vendit.

Reklama e sponzorizuar

Më saktësisht, siç deklaronin zyrtarët e Autoritetit të Konkurrencës, ky subjekt kishte nisur një analizë të thelluar për mbi njëzet produkte ushqimore në tregun e Kosovës, për të identifikuar arsyet reale të rritjeve të çmimeve. Gjithsesi, për shkak të shumë ankesave të konsumatorëve, por edhe ndikimit të drejtpërdrejt që ka ky produkt në mbijetesën e kosovarëve të varfër, vëmendje më e vecantë, iu kushtua hetimeve të ngritjes së çmimit të bukës te shumë furrëtarë në kryeqytet, por edhe në qendrat e tjera komunale të Kosovës.

Autoriteti i Konkurrencës pastaj u shpreh goxha decidiv se “nëse gjatë analizës identifikohen shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të ndërmarrë masa ligjore në përputhje me kompetencat e tij”, natyrisht duke nënvizuar se “ky institucion nuk ka mandat për të ulur apo përcaktuar çmime, por është përgjegjës për të ndërhyrë kur këto çmime vendosen në mënyrë të paligjshme apo të bashkërenduar”. Dhe, Autoriteti i Konkurrencës, ndër institucionet e vetmuara që në njëfarë mënyre, është involvuar në procesin e monitorimit (institucionet e tjera në këtë kohë të mungesës së funksionimit të pushtetit, anarkisë evidente për pasojë të stërzgjatjes së krijimit të institucioneve më të rëndësishme të shtetit dhe kaosit të krijuar nga rivaliteti i pakuptimtë i partive politike), ka monitoruar tregjet e aposrtrofuara nga qytetarët për ngritje të paarsyeshme të çmimeve të produkteve të tyre, ka monitoruar shumë furra anembanë Kosovës. Dhe, me këtë rast, ka konstatuar se ka pasur shkelje nga shumë biznese, se ka pasur ngritje çmime të bukës dhe marrëveshje ndërmjet shumë bukëpjekësve për ngritjen e çmimit të bukës.

Autoriteti, pra, kishte konstatuar pas hetimeve të bëra, se ka pasur ‘marrëveshje të ndaluara me ligj (një nga format kur ndërmarrjet shkelin Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës), duke u dakorduar me konkurrentët për t’i fiksuar çmimet, për t’i ndarë tregjet, ose forma të tjera të ndryshme të marrëveshjeve të ndaluara”. Edhe opinioni është njoftuar për këto shkelje.

Zyrtarë nga ky institucion kanë thënë për medie se “ekzistojnë dyshimet që bizneset me marrëveshje i kanë ngritur çmimet”. Sipas tyre “ekziston dyshimi që në disa furra në Prishtinë dhe Gjakovë, furrtarët kanë bërë marrëveshje të jashtëligjshme, duke u bërë kartelë për shtrenjtimin e çmimit të bukës.

Kartelet janë zbuluar në rastin konkret në Prishtinë p.sh., ku është ngritur çmimi i bukës nga 50 centë në 60 centë, si dhe çmimi i byrekut nga 1.20 në 1,50 centë. Ndërkohë, në Gjakovë buka me çmimin prej 60 centës,h pas shtrenjtimit kushton 70 centë.

Përveç që kishte shkelje të Ligjit të Konkurrencës, ka ndodhur edhe një lloj inspektimi nga iniciatorë nëpër furra të ndryshme për të parë realizimin e maarëveshjes për ngritjen e çmimit të bukës. Pra, vet iniciatorët e kartelit, kanë shkuar në furra të ndryshme të Gjakovës për të kontrolluar se a po zbatohet marrëveshja të cilën e kanë arritur”. Këto janë fakte të konstatuara nga inspektorë të Autoritetit të Konkurrencës. është njoftuar nga Autoriteti i Konkurrencës edhe për shqyrtimin e mundësive të e marrjes së masave të përkohshme për operatorët ekonomik, që kanë rritur çmimin e bukës, për një periudhë 6 mujore.

Gjobat e Autoritetit të Konkurrencës mund të shkojnë deri në 10 për qind të qarkullimit vjetor e ato gjoba mund ta falimentojnë një ndërmarrje, sidomos të vogël. Jemi duke shqyrtuar mundësinë e marrjes së masave të përkohshme, e që nënkuptojnë mbylljen e një operatori ekonomik, për arsye se mund të bëjë dëmtime të konkurrencës me dëme të pariparueshme”, kanë thënë pas hetimeve – zyrtarë të Autoritetit. Por, nuk është njoftuar më pastaj për asnjë masë të paralajmëruar për shkelësit e Ligjit të Konsumatorëve.

Madje që nga fillimi i muajit maj, pasoi një heshtje totale e Autoritetit të Konkurrencës. Nuk u tha asnjë fjalë për masat e paralajmëruara për shkelësit e konstatuar. Autoriteti heshti dhe nuk u dëgjua më pas bërjes publike të konstatimit se “pas inspektimeve në disa furra në Prishtinë dhe Gjakovë, kanë ardhur në përfundim se shtrenjtimi i çmimit të bukës është bërë me marrëveshje dhe me koordinim”,

Autoriteti, pra, sikur “amnistoi” furrëtarët mospërfillës të ligjeve tona, të cilët nisën ditën me çmime të reja të ngritura. U amnistuan furrëtarët në Prishtinë, dhe gjithandej në vend, të cilët mezi pritën pretekstin. Dhe ai u erdhi me çmimet e ngritura të rrymës.

Ata, bukëpjekësit pra, nuk e patën për asnjë çast ndjesinë e fuqisë blerëse të kosovarëve, as varfërinë e skajshme të shumicës së tyre. Nuk përfillën as kërkesat e Autoritetit (të konkurrencës), të cilët, rekomanduan dhe sugjeruan bukëpjekësit që së paku mos të ndodhë që gjatë ngarendjes për të ngritur çmimet e bukës, mos të shkelet Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës, mos të ndodhin marrëveshje të ndaluara – kartele ndërmjet furrëtarëve. Mirëpo, siç ka konstatuar vet Autoriteti i Konkurrencës pas kontrollit të disa furrave në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndodhi pikërisht bashkërendimi i çmimeve mes furrtarëve për produkte të ndryshme, çka përbën shkelje ligjore për koordinim të tillë në treg.

Pas inspektimeve të zhvilluara, Autoriteti ka identifikuar shkelje të nenit 5 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës (marrëveshje të ndaluara – kartele) nga subjekte të sektorit të bukës në Komunën e Gjakovës dhe atë të Prishtinës. Këto shkelje lidhen me bashkërendimin e çmimeve mes furrtarëve për produkte të ndryshme, çka përbën shkelje ligjore për koordinim të tillë në treg”, thuhej në konfirmimin e Autoritetit të Konkurrencës, pas inspektimeve në Gjakovë dhe në Prishtinë.

Të gjitha këto janë bërë publike tashmë. Por, nuk është bërë publike në asnjë rast marrja e ndonjë mase kundrejt shkelësve të ligjit, as shkaku i stërzgjatjes së marrjes së masave ndaj furrëtarëve mospërfillës. Se pse nuk po ndërmerren masat e premtuara për shkelësit e konstatuar të ligjit, duhet të sqarohet Autoriteti i Konkurrencës, i cili ishte ai që paralajmëroi këto masa. /Buletini Ekonomik/