Diskursi i ekstremit të djathtë, i cili ngadalë po trason rrugën në Kosovë

Vlerat demokratike, siguria, toleranca dhe shteti multietnik i Kosovës mund të rrezikohen nga rritja e lëvizjeve që përfaqësojnë ekstremizmin e djathtë. Pas një studimi të gjerë, Qeveria e Kosovës në vitin 2021 ndryshoi qasjen strategjike të trajtimit të terrorizmit në vend, duke e parashikuar se Kosova mund të rrezikohet edhe nga elementë të ekstremit të djathtë. Deri në atë kohë, strategjitë nacionale kundër terrorizmit kishin identifikuar ekstremizmin fetar si rrezikun kryesor.

“Ekstremizmi i djathtë në formën që shfaqet në Evropë nuk ekziston në Kosovë. Ai zakonisht është i drejtuar kundër të huajve apo grupeve racore, gjë që nuk ndodh këtu. Por ka etnonacionalizëm, i cili ndikohet nga diskurset anti-globaliste dhe anti-elitiste,” thotë Bekim Baliqi, dekan i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës.

Reklama e sponzorizuar

Në politikën kosovare, siç thotë Baliqi, populizmi shfaqet përmes diskurseve anti-elitiste dhe pretendimeve për rikthimin e sovranitetit popullor, shpesh duke ngritur akuza ndaj oligarkëve, të korruptuarve dhe nepotizmit.

“Është e rrezikshme kur krijohet një ndarje e qartë mes ‘ne’ dhe ‘atyre’, ku ‘ne’ jemi populli dhe ‘ata’ janë të korruptuarit. Në këtë mënyrë krijohet një makiavelizëm politik që përjashton këdo që nuk është me ne dhe nxit polarizim të thellë në shoqëri,” thekson ai.

Adelina Hasani, hulumtuese në QKSS, tregon disa pista që janë identifikuar si qeliza të lëvizjeve të ekstremit të djathtë në Kosovë.

“Ka narrativa të së djathtës ekstreme, por nuk kemi identifikuar ndonjë të djathtë ekstreme të organizuar apo mobilizim të grupeve të tilla. Në hulumtimin tonë kemi parë se ekzistojnë nuanca të së djathtës ekstreme, si etnonacionalizmi dhe narrativa antigjinore – sidomos gjatë debatit për Kodin Civil dhe IVF-në në Parlament. Po ashtu, kemi vërejtur edhe nuanca të ekstremizmit fetar,” thotë Hasani.

Në vitin 2022, Qeveria e Kosovës i shpalli dy organizata nga veriu i vendit si organizata terroriste. Grupet etnonacionaliste u shpallën si të tilla për shkak të bindjeve ideologjike dhe veprimeve që qeveria i konsideroi si terroriste në këtë zonë.

“Ata i shohin si grupe etnonacionaliste dhe grupe të ekstremit të djathtë. Ne nuk i kemi identifikuar si të tillë sipas përkufizimeve teorike, por kemi parë që ka kombinime në mes të etnonacionalizmit dhe aspektit fetar. Mandej, kanë kryer edhe veprime terroriste në pjesën e veriut të Kosovës,” shpjegon Hasani. Ajo thekson se vala e etnonacionalizmit nuk është vetëm fenomen kosovar, por pjesë e një tendence të përhapur në gjithë Ballkanin Perëndimor. Hartat e identifikimit të organizatave të ekstremit të djathtë në rajon identifikojnë të paktën 30 subjekte të strukturuara që funksionojnë si lëvizje të ekstremit të djathtë.

Miroslav Mareš, profesor i njohur i shkencave politike në Universitetin Masaryk në Brno, Çeki, thekson disa aspekte kyçe që lidhen me nacionalizmin ekstremist dhe rreziqet e radikalizimit. Sipas tij, idetë nacionaliste në Kosovë janë të rëndësishme për një pjesë të brezit të ri për shkak të tensioneve të vazhdueshme në marrëdhëniet serbo-shqiptare. Ai nënvizon se nacionalizmi kosovar dhe ai serb kanë lidhje dhe mbështetje të ndryshme nga jashtë, veçanërisht nga diasporat, duke u dhënë atyre një dimension ndërkombëtar që thellon ndarjet etnike.

Në një linjë të ngjashme, Fatjona Mejdini, gazetare me përvojë dhe drejtoreshë e Observatorit të Evropës Juglindore pranë Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC), thekson se shfaqja e ekstremizmit të djathtë në Ballkan është e lidhur ngushtë me kontekstin historik dhe rolin e politikës. Në një intervistë për podkastin e “Sbunker”, ajo u shpreh se “ekstremizmi i djathtë nuk është se lind natyrshëm në shoqëri, që nga fillimi është politika ajo që e imponon atë”. Mejdini vëren se kjo dukuri është më e theksuar në vende si Serbia, Bosnja e Hercegovina apo Maqedonia e Veriut, të cilat kanë një histori të konflikteve të brendshme dhe tensioneve ndëretnike që “i kanë dhënë hov çështjeve të nacionalitetit dhe identitetit”.

Aleksandra Dimitrijević nga Graçanica, avokate për të drejtat e njeriut dhe konsulente afatgjatë për organizata ndërkombëtare, e quan gjuhën e urrejtjes në Kosovë një pasojë të drejtpërdrejtë të një klime të thellë etnonacionaliste, dhe nuk i druhet aspak përdorimit të këtij termi.

“Mund të tingëllojë pak e ashpër ose e çuditshme përdorimi i termit etnonacionalizëm, por ai sigurisht pasqyron realitetin e sotëm në lidhje me identitetin dhe ndjenjat brenda këtij (serb) komuniteti në Kosovë,” thotë ajo. Sipas saj, kjo ndjesi manifestohet në shumë nivele: nga diskursi politik, tek mediat, normat shoqërore, e deri te kontakti pothuajse i zhdukur me shqiptarët. Në këtë realitet të përçarë, Dimitrijević e sheh përgjegjësinë si të ndarë, por jo të barabartë.

“Të dyja palët kanë përgjegjësi, por barra më e madhe qëndron mbi komunitetin shumicë – veçanërisht politikanët që formësojnë opinionin publik. Ata duhet të tregojnë se komuniteti serb nuk është një problem i dhimbshëm apo një ‘e keqe e domosdoshme’, por një popull që jeton në Kosovë dhe që duhet të ndjehet se kjo është po aq vendi i tyre,” thotë ajo.

Avokatja thekson se në zonë grupet e ekstremit të djathtë gjejnë një hapësirë të lehtë për të transmetuar mesazhet e tyre. “Mediat rrallë e vënë në pikëpyetje narrativën zyrtare – përkundrazi, e mbështesin atë.”

Në një analizë të ndikimit të mediave në përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe etnonacionalizmit në Kosovë, Dren Gerguri, doktor i shkencave dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, evidenton disa aspekte me ndikim të madh shoqëror në këtë fenomen shqetësues. Sipas tij, Facebook-u dhe TikTok-u janë platformat më të përhapura në Kosovë, të cilat paraqesin rrezik të madh për përhapjen e përmbajtjeve polarizuese dhe të urrejtjes.

Avokati i Popullit në Kosovë ka realizuar një hulumtim, në të cilin identifikon shfaqje të gjuhës së urrejtjes.

“Ky raport është bazuar në monitorimin, hulumtimin dhe analizimin e të dhënave nga seancat parlamentare, debatet televizive dhe komentet në mediat sociale për periudhën 2020–2022,” thotë Petrit Çollaku nga ky institucion.

Gjatë kësaj periudhe janë analizuar nëntë seanca parlamentare me mbi 33 mijë fjalë të shqyrtuara, ku nuk është identifikuar gjuhë e drejtpërdrejtë urrejtjeje. Megjithatë, në fjalimet e disa deputetëve janë evidentuar forma indirekte të gjuhës përçmuese, përmes fyerjeve si “hajdut”, “kriminel” apo “bandit”. Në seancën për “Çështjen e Veriut” (4 tetor 2021), ndonëse u trajtua një temë tepër e ndjeshme etnike, në transkriptet nuk u gjetën fyerje apo stereotipe etnike.

Një tjetër shqetësim i identifikuar ka të bëjë me diskursin ndaj komunitetit LGBTIQ+, sidomos në seancën e 16 marsit 2022, ku disa deputetë artikuluan publikisht qëndrime diskriminuese përmes mbrojtjes së koncepteve si “familja natyrore” dhe “ruajtja e specieve”, duke përdorur një gjuhë paragjykuese dhe përjashtuese.

Përtej institucioneve politike, edhe mediat televizive dhe rrjetet sociale janë adresuar në raport si burime të rëndësishme të përhapjes së gjuhës së urrejtjes. Sipas Avokatit të Popullit, nga monitorimi i 23 debateve televizive, është konstatuar se:

27% e komenteve përmbajnë gjuhë urrejtjeje mbi bazë të besimit politik;

14% mbi aftësinë e kufizuar;

13% me metafora çnjerëzore;

dhe 8% mbi përkatësinë etnike.

Në gusht të vitit 2023, institucioni publikoi edhe një raport ex-officio për gjuhën e urrejtjes në tekstet shkollore nga klasa e parë deri në të nëntën. Edhe pse raporti konstaton se standardet e gjuhës në përgjithësi respektohen, janë identifikuar raste të veçanta ku përmbajtjet mund të kenë efekte paragjykuese. Kështu, në librin “Gjuha shqipe” për klasën e gjashtë, në tekstin “Lexojmë rrëfime popullore” dhe në tekstin “Familja shqiptare dikur dhe sot”, u vërejtën përmbajtje të caktuara me potencial diskriminues.

“Rekomandimet e Avokatit të Popullit për Ministrinë e Arsimit përfshijnë hartimin e një udhëzuesi për parandalimin dhe eliminimin e gjuhës së urrejtjes, si dhe organizimin e trajnimeve për autorë të teksteve dhe mësimdhënës,” shton Çollaku.

Në një shoqëri të brishtë si ajo e Kosovës, mbikëqyrja kritike e diskurseve nacionaliste dhe vigjilenca ndaj formave të reja të ekstremizmit mbeten thelbësore për mbrojtjen e demokracisë dhe kohezionit shoqëror.