Shumë taksa mjedisore dhe ndotje alarmante të ambientit në Kosovë

Në Kosovë ‘vjelen” qindra milionë euro brenda një viti në emër të taksës mjedisore (në emër të mbrojtjes së mjedisit nga ndotja), dhe ende, madje përditë e më shumë, ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon t’i tejkalojë të gjithë kufijtë e lejueshëm, veçmas në Obiliq dhe në fshatrat përreth termocentraleve, ndërsa termocentralet e Kosovës vazhdojnë të konsiderohen ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë. Gjithë këto para arkëtohen si taksë mjedisore, ndërsa nga ndotja enorme e ambientit çdo muaj e vit shtohen të sëmurit kronikë dhe vdekjet e banorëve përreth kompleksit energjetik si pasojë e ndotjes ekstreme.

Mehmet GJATA

Kosovarët paguajnë shumë taksa mjedisore, por edhe paguajnë ekstremisht shumë pasojat e ndotjes së vazhdueshme të mjedisit, të degradimit në përmasa alarmuese të tokës, ajrit dhe ujit.
Në Kosovë ‘vjelen” qindra milionë euro brenda një viti në emër të taksës mjedisore (në emër të mbrojtjes së mjedisit nga ndotja), dhe ende, madje përditë e më shumë, ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon t’i tejkalojë të gjithë kufijtë e lejueshëm, veçmas në Obiliq dhe në fshatrat përreth termocentraleve, ndërsa termocentralet e Kosovës vazhdojnë të konsiderohen ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë. Ç’është akoma më keq dhe më alarmuese, gjithë këto para arkëtohen si taksë mjedisore, ndërsa nga ndotja enorme e ambientit çdo muaj e vit shtohen vdekjet e banorëve përreth kompleksit energjetik si pasojë e ndotjes ekstreme dhe shtohen të sëmurët kronikë që problemet shëndetësore u shkaktohen nga ndotja e madhe e ambientit.
Për të qenë më konkret rreth konstatimeve të mësipërme në këtë tekst, pa shumë komentime, do të publikojmë vetëm fakte dhe të dhëna të sakta që dalin nga institucione zyrtare të vendit për paratë që arkëton Kosova për çdo vit si taksë mjedisore dhe për dëmet konkrete të shkaktuara nga çekuilibrimi i tejdukshëm ambiental si pasojë e ndotjes së frikshme.
“Në vitin 2024, të ardhurat nga taksat mjedisore arritën në vlerën 377 milionë e 704 mijë e 690 euro, dhe krahasuar me vitin 2023 ka pasur rritje prej 11.0 %”- thuhet në raportin e ASK-së.
Në bazë të strukturës së të ardhurave, ASK thotë se nga gjithsej taksat mjedisore për vitin 2024, taksat e energjisë zënë pjesën më të madhe të të ardhurave me 326,128,686 euro, ose 86.4 % (taksat mbi energjinë në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023, u rritën me 9.2%), pasuar nga taksat e transportit me 49,245,440 euro, ose 13.0 % (të ardhurat nga taksat mbi transportin në vitin 2024 shënuan një rritje prej 21.7% në krahasim me vitin 20230, taksat e ndotjes me 2,330,440, ose 0.6%, ose te ardhurat nga taksat mbi ndotjen në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023, u rritën ndjeshëm me 79.3%. Ndërsa, megjithë këto qindra miliona euro që Kosova arkëton brenda vitit si taksë mjedisore, mbrojtja nga ndotja e mjedisit është për “faqe të zezë”, sikundër që është keq dhe shumë alarmante gjendja shëndetësore e popullsisë përreth termocentraleve të Kosovës dhe numri i madh i vdekjeve nga ekspozimi ndaj grimcave të imëta PM2.5.
Sipas raportit, ndër të fundit, të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), të bërë publik në dhjetor të 2024-tës, pra në fund të vitit të kaluar, rreth 239,000 vdekje në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2022 janë të lidhura me ekspozimin ndaj grimcave të imëta PM2.5 (PM2.5 përfaqësojnë grimca mikroskopike, si pluhur, tym, blozë dhe materiale të tjera që shpërndahen në ajër. Për shkak të madhësisë së tyre të vogël, këto grimca depërtojnë lehtësisht në sistemin e frymëmarrjes dhe mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar stres oksidativ, inflamacion dhe një gamë të gjerë sëmundjesh kronike). Në Kosovë, ky numër është 2400. Sipas të dhënave për vitin 2022, në Kosovë ekspozimi ndaj niveleve të larta të PM2.5 rezultoi me 2,400 vdekje të atribuara, me 254 vdekje për 100,000 banorë të rrezikuar dhe me 2,640 vite jetë të humbura për 100,000 banorë të rrezikuar, duke e vendosur Kosovën ndër vendet me ndikimin më të lartë relativ në Evropë.
Sipas analizave, sëmundja ishemike e zemrës dhe kanceri i mushkërive përbëjnë pjesën më të madhe të vdekjeve nga ndotja e ajrit. Për sëmundje të tjera si goditja në tru, diabeti, dhe sëmundjet pulmonare obstruktive kronike, ndikimi i morbiditetit është gjithashtu i lartë, duke përfaqësuar një barrë të rëndësishme shëndetësore. Me rastin e lancimit në Prishtinë të raportit të UNICEF-it “Analizë mbi gjendjen klimatike për fëmijët” (në fillim të nëntorit 2024, ku mori pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me përfaqësues të organizatave dhe aktivistë që merren me ambientin), u shpalos edhe një raport i cili hedh dritë mbi mënyrën se si ndryshimet klimatike, sfidat mjedisore dhe energjetike ndikojnë në të drejtat e fëmijëve si dhe qasjen në shërbimet jetike në Kosovë, përfshirë shëndetin, arsimin dhe sanitarinë.
Sipas raportit të publikuar, mjedisi dhe ndryshimet klimatike përbëjnë tre nga pesë faktorët kryesorë që rrezikojnë shëndetin nga sëmundjet e ndryshme tek fëmijët nën 5-vjeç në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. Edhe me këtë rast është konstatuar se cilësia e ajrit në Kosovë është ndër më të këqijat në Evropë, me më shumë se 25 herë sesa kufiri i sigurt i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për fëmijët.
Edhe gjendja e këtoditshme e ç’ekuilibrimit në përmasa të frikshme të ambientit si pasojë e ndotjes së madhe, edhe një herë flet bindshëm se në ambientet përreth termocentraleve vazhdon të ketë nivel alarmant të ndotjes, dimrit dhe verës, në vendbanimet urbane dhe rurale, në tokë dhe në ujëra, por edhe pasoja të përmasave alarmuese të ndotjes së ajrit, ujërave dhe tokës. Dhe, kështu, Kosova vazhdon të jetë njëra ndër vendet me ambientin më të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë të prodhimit të pjesës dërrmuese të energjisë elektrike nga qymyri për dekada me radhë (aktualisht mbi 90 për qind e megavatëve te energjisë elektrike janë nga prodhimi në bazë të thëngjillit). Dhe ‘kurgjë kerkujtë’.
Ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon t’i tejkalojë të gjithë kufijtë e lejueshëm, ndërsa termocentralet e Kosovës edhe më tutje mbeten ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë. Ndërsa retë e pluhurit dhe tymit në qiellin mbi Obiliq dhe fshatrat përreth, janë edhe një alarm dhe përkujtim, ndër qindra sish të bërë deri më tash, në adresa të autoriteteve dhe zyrtarëve se kjo është kostoja që paguajnë kosovarët edhe sot e kësaj dite nga termocentralet e stërvjetruara.
Në anën tjetër, brenda vitit 2024, sipas të dhënave zyrtare të ASK-së, Kosova ka arkëtuar 377 milionë e 704 mijë e 690 euro taksë mjedisore. Ku dhe kah shkojnë gjithë këto para të taksës mjedisore është mirë të shpjegohet dikush nga zyrtarët e vendit, qofshin edhe këta në detyrë. Këto janë shumë para për Kosovën e vogël dhe të varfër dhe po të investoheshin vetëm një pjesë e kësaj shume në mbrojtjen e ambienit, do të kishim pasqyrë tjetër të pasojave nga ndotja. /Buletini Ekonomik/