Të dhëna kontradiktore ndër vite të sipërfaqeve me grurë në Kosovë

Kronistët e saktë të të dhënave në agrarin kosovar, duke u mbështetur në shifra të deklaruara së fundi dhe në vitet paraprake nga ministri në detyrë, Faton Peci, për sipërfaqet e mbjella me grurë ndër vite, konstatojnë kontraditat evidente rreth numrit të hektarëve të mbjellë me grurë në Kosovë.

Mehmet GJATA

Sezoni i korrje-shirjeve tashmë ka filluar dhe sipas informacioneve të mbledhura, këtë vit sipërfaqja e mbjellë me grurë për të cilën kanë aplikuar bujqit (lexo për donacionin që jep Ministria e Bujqësisë për një hektar të mbjellë me grurë) është gjithsejt 74,753.06 ha, ndërsa në vitin 2024 kanë qenë me grurë 53,627.26 hektarë. Krahasuar me vitin e kaluar kemi rritje të sipërfaqeve të mbjella me grurë për 21,125.80 hektarë”. Këto janë të dhënat e deklaruara të mërkurën nga Ministria e Bujqësisë për Buletinin Ekonomik në përgjigjen për pyetjen “Sa hektarë të mbjellë me grurë ka Kosova sivjet (2024/2025)? Sa ishte sipërfaqja e mbjellë me grurë në vitin e kaluar (2023/2024)? Ose, sa hektarë janë sivjet të mbjella me këtë kulturë bujqësore më shumë – krahasuar me vitin e kaluar?”

Reklama e sponzorizuar

Këto të dhëna janë pak a shumë të ngjashme me ato që i deklaroi ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ku përmes një video-adresimi rrugës për në Suharekë së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se nisën zyrtarisht fushatën e korrje-shirjeve për këtë vit, dhe se “Kosova ka arritur një rekord të ri në sektorin e bujqësisë, me mbi 74 mijë hektarë të mbjellura me grurë në nivel vendi për vitin 2024-2025” duke vlerësuar se “kjo është një e jashtëzakonshme në sektorin e bujqësisë”.

Vitin e kaluar shënuam rekord të të mbjellurave dhe rendimentit dhe siguruam bukën e motmotit. Këtë vit kemi thyer rekord të ri, janë mbi 21 mijë hektarë më shumë të mbjellura me grurë sesa në vitin paraprak”, tha ministri në detyrë të martën.

Dhe për ta bërë më mbresëlënës “rekordin e ri në bujqësi”, ai deklaroi publikisht rritje të sipërfaqeve të sivjetshme me grurë për 40 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Me këtë rast, edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se “sivjet kemi mbi 21 mijë hektarë më shumë të mbjella me grurë sesa vitin e kaluar”. Ndërkohë, kronistët e saktë të të dhënave në agrarin kosovar, duke u mbështetur në të dhëna të deklaruara po nga ministri Peci në vitet paraprake, konstatojnë se shifrat për sipërfaqet e mbjella me grurë ndër vite, të deklaruara nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, dalin të jenë goxha kontradiktore. Për rekorde të sipërfaqeve me grurë ishte deklaruar edhe në korrik të vitit të kaluar, sado që shifrat për sipërfaqet e mbjella në vitin 2024 të prezantuara nga ministria e Bujqësisë, por edhe nga vet ministri në detyrë, janë më të vogla se më 2023.

Vitin e kaluar kemi pasur 60 për qind rritje, tash kemi 63-64 për qind nga koha kur e kemi marrë mandatin e drejtimit të Qeverisë”, kishte deklaruar Peci, sikundër që kishte thënë në shtator të vitit 2024, se janë mbjellë 64 mijë hektarë me grurë, pra 10 mijë më shumë se sa i prezantoi këto ditë.

Sipas medieve në Kosovë, të dhëna të ndryshme dhe mospërputhje ka edhe me të dhënat zyrtare që posedon ministria e Bujqësisë të publikuara në Raportet e Gjelbra. Sipas tyre, sipërfaqet e mbjella me grurë më 2023 ishin për vetëm dy për qind më të mëdha krahasuar me ato të vitit 2010, ndonëse pagesat direkte për këtë kulturë janë 9-fishuar. Del të jetë kontradiktor edhe deklarimi i mnistrit në detyrë të agrarit kosovar në korrikun e vitit 2024, kur në disa raste kishte deklaruar se “Kosova ka siguruar bukën e motmotit me grurin vetanak. Ndërsa, edhe përkundër rendimenteve shumë imponuese të grurit më 2024, Kosova ka importuar mbi 96 mijë tonë grurë.

Në këtë mënyrë, sikundër edhe në shumë vitet paraprake, vazhdojnë të mbeten të diskutueshme dhe kundërthënëse plasimi në publik i të dhënave, me dallime të theksueshme të zyrtarëve që kanë shpërfaqë numra rreth sipërfaqeve dhe hektarëve të mbjellë me grurë në arat kosovare, por në shumë raste edhe rreth rendimenteve të pritshme nga korrje-shirjet si dhe dhe rreth shifrave e përqindjeve rreth përmbushjes së nevojave të popullsisë së Kosovës.

I diskutueshëm dhe mjaft polemizues, siç po shihet, po bëhet këto ditë edhe plasimi në publik i të dhënave rreth sipërfaqeve dhe hektarëve të mbjellë me grurë në arat kosovare, dhe rreth përmbushjes së nevojave të popullsisë së Kosovës me grurë. Thënë shkurt, për shkak të mungesës së të dhënave të sakta dhe reale rreth sipërfaqeve të mbjella me drithëra të bardha, dhe me grurë në veçanti, edhe këtyre ditëve po kalkulohet me shifra kontradiktore dhe jo edhe aq të besueshme nga zyrtarët, përfaqësues të agrarit por edhe të shoqërisë civile. Sidoqoftë, dihet se Kosova asnjëherë nuk ka arritur që të plotësojë nevojat e popullatës së saj me miell nga rendimentet e veta të grurit. Vazhdimisht është varur nga importi, që kryesisht është bërë dhe vazhdohet të bëhet nga vendet e rajonit (më së shumti nga Serbia), një sasi më të vogël nga Ukraina dhe nga Rusia, si dhe nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Sipas nevojave në nivel vendi, nëse do mbilleshin 100.000 hektarë tokë me grurë dhe nëse rendimenti do të ishte prej 4.000 kilogramësh, atëherë i bie që Kosova të prodhojë 400.000 tonë grurë, sa janë edhe kërkesat dhe do të përmbusheshin nevojat për konsum”, shprehet një zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë, që kërkon të mbetet anonim.

Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë nevojat për këtë produkt për kokë banori, janë 205 kilogramë, që i bie se në Kosovë duhet të harxhohen 410.000 tonë grurë. Gjithmonë, që nga koha kur Kosova ishte si subjekt në ish-Jugosllavi, numri i hektarëve të planifikuar për mbjellje të grurit është kalkuluar të jetë 80 mijëshi, përafërsisht. Përafërsisht ky numër hektarësh (80 mijëshi, pra) është thënë të jetë edhe disa vjet rresht, pas luftës dhe pas pavarësisë së vendit. Tani, në këto 3-4 vjetët e fundit, sikur është reduktuar ky numër hektarësh i paraparë për t’u mbjellë me grurë, megjithë subvencionet e shumta dhe që nuk janë për t’u nënvlerësuar.

Tani, edhe nëse planifikohet të mbillen 75 deri në 80 mijë hektarë, e shumta që do të arrihej të mbillej me grurë do të ishte 66-68 mijë hektarë. Këto janë zhvillimet e pandryshuara shumë në çdo fillim të korrikut, ose në shumicën e rasteve të nisjes së fushatës së korrje-shirjeve në vend. Në shtetet e rajonit saktësisht bëhen publike hektarët e mbjellë, por edhe rendimenti dhe sasia e grumbulluar e grurit. Pse mos të bëhet një herë e mirë kjo edhe te ne? /Buletini Ekonomik/