Brenda korrikut, 2 herë ngritet çmimi i vezëve në Kosovë

Çmimi i vezëve në Kosovë karakterizohet me ngritje të shpeshta, por edhe me ulje goxha të ndjeshme në periudha të caktuara të vitit (në muaj të caktuar të pranverës dhe në fillimverë). Në fillim të korrikut, çmimi i 30 copë vezëve “kërceu” nga 2,5 në 3 euro. Ndërkohë në dhjetëditëshin e fundit të korrikut, çmimi i ngritur prej 3 eurosh shkoi në 3,5 euro.

Buletini Ekonomik

Reklama e sponzorizuar

Vezët, sipas njohësve të tregut të produkteve ushqimore në vend, kanë lëvizshmërinë më të madhe të çmimit gjatë periudhave të ndryshme të vitit. Çmimi i vezëve në Kosovë karakterizohet me ngritje të shpeshta, por edhe me ulje goxha të ndjeshme në periudha të caktuara të vitit (në muaj të caktuar të pranverës dhe në fillimverë). Sivjet, bie fjala, gjatë muajve të pranverës, më saktësisht që nga fillimi i marsit e deri në korrik, vezët janë tregtuar me çmim relativisht të ulur, krahasuar me çmimin e muajve të dimrit dhe të fundvjeshtës së vitit të kaluar. Në këta muaj (mars-korrik) ka dominuar çmimi prej 2,5 euro për një amballazhim prej 30 kokrra vezësh, dhe në raste, në këtë periudhë, ky çmim ka qenë edhe 2 euro. Mirëpo, që nga fillimi i korrikut kanë lëvizur ndjeshëm çmimet e vezëve në tregjet tona.

Në shitoret e specializuara të prodhuesit dhe tregtuesit më eminent të produkteve të shpezëve në vend, që jo pak herë merret si një referencë e përcaktimit të çmimit të produkteve të shpezëve edhe te tregtarët e tjerë, në fillim të korrikut çmimi i 30 copë të vezëve “kërceu” nga 2,5 në 3 euro. Ndërkohë, në dhjetëditëshin e fundit të korrikut, çmimi i ngritur prej 3 eurosh shkoi në 3,5 euro.

Në shumë shitore të tjera, në minimarkete dhe supermarkete, por edhe ndër tregtarë të vegjël të tregtimit të vezëve, të cilët janë të përqendruar kryesisht në tregje të gjelbra, mund të gjesh akoma 30 kokrra vezë me çmim 3 euro dhe nën të. Në rrjetin e marketeve të mëdha të një shtëpie tregtare të madhe, të martën, 30 copë vezë kushtonin 2,8 euro. Ndërkohë, disa supermarkete dhe qendra të mëdha tregtare, ku dominojnë produktet ushqimore, çmimin e vezëve edhe tani, në raste, po e përdorin dhe po e shfrytëzojnë për të promovuar ulje çmimesh (të ashtuquajturat aksione), ku 30 copë vezë mund të gjenden me çmime ndjeshëm të ulura brenda një ditë të caktuar.

Duhet thënë se sivjet, shumë më herët është bërë lëvizja e çmimit të vezëve, përkatësisht ngritja e çmimit të këtij produkti, krahasuar me vitet paraprake dhe me vitin e kaluar. Vjet, sipas të dhënave, ngritja e çmimit të vezëve ka ndodhur saktësisht që nga fundi i shtatorit dhe fillimi i tetorit në tregjet e Kosovës (në shitore të specializuara, në minimarkete, markete dhe megamarkete, në tregje të gjelbra). Ndërsa, sivjet ngritja e çmimit të vezëve ka nis që në korrik. Tani, i bie që çmimet e ulura gjatë muajve mars-fillim i korrikut, që në të shumtën ishin 2,5 euro për 30 kokrra vezë, dhe në raste prekën minimumin prej 2 eurosh, tani praktikisht u janë afruar dyfishimit.

Dallim tjetër me ecurinë e çmimit të vezëve krahasuar me vitin e kaluar është edhe ngritja e sivjetshme e vrullshme e çmimit, dy herë brenda muajit nga 50 centë për 30 copë vezë, ndërsa në vitin e kaluar ngritja e çmimit të këtij produikti ishte graduale (nga 2,50, në 2,70 për të arritur në nivelin 2,90 euro për 30 copë vezë, dhe ky çmim mbajti disa javë).

Në fund të shtatorit 2024, kompleti 30 copë vezësh shkoi në 3,30 euro, ndërsa në tetor, i njëjti komplet pati çmim të ri të ngritur prej 3,40 eurosh, për të kulmuar në 3,50 euro. Përafërsisht me të njëjtin çmim, rreth 3,5 euro, sot, 30 copë vezë tregtoheshin edhe në shtandet e tregjeve të gjelbra, por edhe në minimarkete, markete dhe supermarkete të shumta të Prishtinës. Nuk ka shpjegime bindëse nga tregtarët për fluksin e rinisjes së ngritjes së çmimit të vezëve në Kosovë. Për shkaqet e rikthimit të çmimeve të ngritura të vezëve, pas uljes që u shënua për disa javë në pranverë dhe fillimin e stinës së verës, askush nga tregtarët, pos hamendësimeve, nuk ka ndonjë shpjegim të saktë. Shumë tregtarë theksojnë se rëndom në këtë sezon, ngritet çmimi i vezëve. Sidoqoftë, siç dihet, në Kosovë ka prodhues të shumtë dhe me kapacitete të mëdha të pularive, dhe vërehet gjithandej se tregu i vendit është i mbushur me këtë produkt, ku domonojnë vezët e prodhuara në vend. /Buletini Ekonomik/