Aktualisht, dallimi në çmime në tregun e pasurive të paluajtshme në Ballkanin Perëndimor është i theksueshëm. Me çmimet më të ulëta renditet Prishtina me 1,330 euro për metër katror, pastaj vie Tirana me një çmim mesatar prej 1,770 euro për metër katror, dhe Shkupi që pasohet pas Tiranës me 1,810 euro metri katror. Në Prishtinë, por edhe në tërë Kosovën në përgjithësi, zhvillimet në sektorin e ndërtimeve vazhdojnë të ndodhin pa ndonjë ndryshim të ndjeshëm me muajt, por edhe me vitet paraprake të fundit.
Buletini Ekonomik
Në Prishtinë ka kohë që nuk ka hapësira ndërtimi në qendrën e qytetit, as në afërsi të drejtpërdrejt të qendrës. Në këtë mënyrë, nuk ka as ndërtime në qendër, dhe ka fare pak ndërtime në zonat rreth e qark qendrës. Ndërtimet numerikisht të shumta, kushtimisht, ka kohë që janë të orientuara në periferi të kryeqytetit. Më saktësisht, më shumë dhe goxha vrullshëm po ndërtohet në Zonën e Prishtinës së Re (territori në të majtë të Veternikut deri te ndërtesa e Pallatit të Jurisprudencës, pak a shumë) dhe në disa zona të tjera përreth Pallatit të Drejtësisë dhe në rrugën C.
Me fjalë të tjera, megjithë rrethanat komplekse në të cilat aktualisht gjendet sektori i ndërtimit në kryeqytet po ndërtohet goxha shumë. Në Prishtinë, por edhe gjithandej në Kosovë, zhvillimet në sektorin e ndërtimeve vazhdojnë të ndodhin pa ndonjë ndryshim të ndjeshëm me muajt, por edhe me vitet paraprake të fundit. Ndërtimet, sidomos ato të ndërtesave me banesa kolektive, nuk ndalen, por vazhdojnë të rriten sado që me një ritëm më pak të hovshëm se para 3-4 vjetësh. Ndërkohë, çmimet e banesave vazhdimisht ngriten në përmasa të dukshme, ndërsa shitjet kanë rënë edhe krahasuar me vitin 2024, kur ishte shënuar goxha ulje e shitblerjeve të patundshmërive në Kosovë.
Në Prishtinë çmimi i një metri katror të banesave aktualisht sillet nga 1,200 deri në 2,500 euro, varësisht nga zonat ku gjendet banesa. Në Zonën e Prishtinës së Re, çmimi i një metri katror aktualisht është 1,200 euro. Në rrugën C, metri katror i një banese sillet nga 1,400 deri në 1,500 euro, ndërsa në rrugën B, për ta blerë aktualisht një banesë duhet paguar 1,500 deri në 1,700 euro për metër katror. Dhe, pastaj vjen pjesa e kryeqytetit me zona ndjeshëm më të shtrenjta të banesave. Në lagjet Lakrishte, Pejton, Aktash, në Lagjen e Muhaxherëve dhe në lagjet më pranë qendrës së Prishtinës, siç është zona e rrugës Gazmend Zajmi dhe zona përrreth, nuk mund ta gjesh metrin katror nën 2,000 deri në 2,500 euro.
Sido që të jetë, rënia e shitblerjeve të patundshmërive, e banesave sidomos, është një sinjal dhe indikator që njohës të zvillimeve në sektorin e ndërtimeve në vend e konsiderojnë si njëfarë nisme e periudhës më të zymtë të këtij sektori. Më pesimistët edhe ndër ekspertë dhe njohës të rrethanave të ndërtimtarisë kosovare, parashohin përfundimin e kohëve të arta në tregtimin e paluajtshmerive në përgjithësi dhe të banesave në veçanti, pasi që tashmë ndjeshëm është ulur tregu i banesave, kanë rënë shit-blerjet, për dallim me disa vite më parë, kur pati shumë banesa, ose kur kishte ndërtim të hovshëm, dhe për rrethanat kosovare me çmime “të kripura”, pati edhe shumë shitje.
Ndër shkaqet e rënies së shitblerjeve, gjithsesi, është edhe çmimi i lartë i banesave dhe paluajtshmërive në përgjithësi në qendrat urbane të Kosovës, stërngopja e tregut me ndërtime (banesa, hapësira afariste të ndërtuara me shumicë në kuadër të ndërtesave me banesa dhe të garazheve), por edhe përmbushja e kërkesave për banesa në këto 20 vjetët e fundit.
Ndërkohë, sipas analizave të agjencive të paluajtshmërive në vend, në çmimin e lartë të banesave në Prishtinë dhe në qendrat e tjera urbane të Kosovës, ndikimin e madh e kanë ngritja e çmimeve të materialeve ndërtimore, ngritja e pagave të punëtorëve në përgjithësi në këtë sektor, si parakusht goxha vendimtar për të siguruar fuqi punëtore, sidomos pas realizimit të vizave, dhe ngritja enorme e çmimit të tokave. Edhe ndërtimtarët, ndër indikatorët e me ndikim të pamohueshëm në ngritjen e kostosë së ndërtimit në këtë vit e shohin te ngritja e çmimit të tokave me koncesion, por edhe te çmimi tashmë shumë i lartë i tokave në qendrat urbane të vendit. Në Prishtinë, pronarët e tokave për banesa tani në rastet më të shumta kërkojnë 30 deri në 40 për qind hapësirë banimi nga vlera e sipërfaqes së tokës.
Ndër shkaqet e rënies së shitblerjes së banesave nga njohësit e sektorit të ndërtimeve në vend, evidentohet edhe rënie e theksueshme e fuqisë blerëse të popullatës mbarë në Kosovë, e sidomos të shtresave të mesme si dhe interesimi i zbehur i mërgatës për të investuar në paluajtshmëri, krahasuar me vite të mëhershme.
Ndërtimtarët kosovarë, çmimet aktuale i vlerësojnë si normale dhe ndër më ulëtat krahasuar me shtetet e rajonit. Ata paralajmërojnë madje tendenca të tejdukshme për ngritje të mëtejshme të çmimeve edhe të banesave, edhe të tokave. Dhe, sipas ndërtimtarëve tanë, nëse vazhdon tendenca e rritjes suksesive të çmimeve të paluajtshmërive, siç ka ndodhur deri më tash, shumë shpejtë, ndoshta brenda 3-4 vjetësh, tregjet e sektorit të ndërtimit në shtetet e rajonit, në njëfarë mënyre, do të përafrohen për nga çmimi. Nuk do të ketë ndryshime të mëdha dhe të dallueshme ndërmjet çmimit të banesave në Prishtinë me çmimet në Tiranë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi. Ndërsa aktualisht dallimi në çmime në tregun e pasurive të paluajtshme në Ballkanin Perëndimor shfaq ndryshime të theksuara.
Këto ditë, “Adriatic Advisors”, një kompani që ofron konsulencë për pasuri të paluajtshme dhe inxhinieri të specializuar në rajonet e Evropës Juglindore. ka publlikuar të dhëna që bazohen në çmimet mesatare të reklamuara online (çmimet e apartamenteve me një dhomë gjumi për metër katror në vitin 2025), ku shihen dallimet e konsiderueshme të çmimeve të paluajtshmërive te shtetet e rajonit. Me çmimet më të ulëta renditet Prishtina me 1,330 euro për metër katror, pastaj vie Tirana me një çmim mesatar prej 1,770 euro për metër katror, Shkupi pasohet pas Tiranës me 1,810 euro metri katror. Beogradi dhe Podgorica ofrojnë një çmim prej 2,810 euro dhe 2,400 euro për metër katror, e kështu e radhë.
Qytetet me çmimet më të larta për metër katror janë Lubjana (5,220 euro metri katror ) dhe Zagrebi (3,850 euro për metër katror). Prishtina, pra, shihet se ka çmimin më të ulët mesatar të banesave ndër shtetet e rajonit. Por, për sa kohë do të vazhdojë të ketë këto çmime kryeqyteti i Kosovës, mbetet të shihet. /Buletini Ekonomik/










