Sektori i çmimeve në Kosovë totalisht jashtë kontrollit institucional

Fotografi ilustruese

Goditje me pasoja direkte karrshi mirëqenies, dhe në raste edhe të mbijetesës të qytetarit dhe konsumatorit kosovar, është bërë në muajin prill me ngritje 16,1 për qind të çmimit të energjisë elektrike. Çmimi i ringritur i rrymës nxiti më pastaj çmime të reja të ngritura të shumë produkteve, dhe jo vetëm të atyre që kanë ndërlidhshmëri vartëse me energjinë elektrike. Çka tregojnë të dhënat e ASK-së për ngritjen e çmimeve deri në korrikun e këtij viti?

Mehmet GJATA

Presioni i çmimeve të ngritura dhe të paralajmëruara për t’u ngritur, vazhdon të bëhet gjithnjë e më i rënduar kundrejt kosovarëve. Goditje me pasoja direkte karrshi mirëqenies, dhe në raste edhe të mbijetesës të qytetarit dhe konsumatorit kosovar, është bërë në muajin prill me ngritje 16,1 për qind të çmimit të energjisë elektrike. Çmimi i ringritur i rrymës nxiti më pastaj çmime të reja të ngritura të shumë produkteve, dhe jo vetëm të atyre që kanë ndërlidhshmëri vartëse me energjinë elektrike.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit në korrik të këtij viti krahasuar me atë të vitit të kaluar janë prej 4.3 për qind më të larta. Çmimi i vajrave dhe yndyrave është rritur për 9,9 për qind, mishit për 12,7 për qind, pemëve (12,3 për qind), i perimeve 10,7 për qind, ndërsa kafes dhe çajit për 16,9 për qind. Ndërsa, përveç ushqimeve, sipas ASK-së, ngritje pati edhe te produktet e drurit, prodhimeve të tekstilit, atyre të gomës e plastikës si dhe produkteve të fabrikuara metalike.

Stihia dhe në raste të shumta edhe anarkia që kanë përfshirë sektorin e çmimeve që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas njohësve të rrethanave është pasojë e mosfunksionimit të institucioneve të rëndësishme të vendit (kuvendi ende jashtë funksionit, qeveria e dorëhequr, ose me funksion të pjesshëm). Anarkia e krijuar u ka lënë hapësirë të pakufishme dhe gjithë mundësitë – tregtarëve, për të vendosur lehtësisht për të abuzuar me çmimet e shumë produkteve, sidomos të atyre të shportës. Me fjalë të tjera, gjendjen në sektorin e tregtimit e kanë rënduar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, sidomos ecuritë e çmimeve, e shprehur me ngritje të përditshme të çmimeve të shumë produkteve, sidomos të atyre elementare, por edhe abuzimet me tregtim të produkteve me afate të skaduara, me ndryshim të çmimeve në rafte nga ato në arkë, me mosdhënie të kuponave fiskalë, me çmimet e ulura të rrejshme në të ashtuquajturat çmime “aksion”, me uljet e çmimeve sezonale etj.

Në këtë periudhë, shteti ka qenë inekzistent në vrojtimet rreth zhvillimeve në ecuritë e çmimeve, dhe tregtarët e kanë shfrytëzuar maksimalisht këtë gjendje. Në këtë mënyrë, kosovarët, praktikisht kanë mbetur në mëshirën e tregtarëve abuzivë, pasi që institucionet përgjegjëse në detyrë dhe në padetyrë, që nga shkurti janë të përqendruara në zhvillimet politike dhe kanë lënë anash dhe kanë margjinalizuar skajshmërisht anarkinë e krijuar në ecuritë e çmimeve të ngritura e të ringritura shumëfish.

Duhet theksuar se angazhimi i shtetit, jo vetëm në periudhën e paszgjedhjeve të 9 shkurtit, por në gjithë këto vite, për mbrojtjen e konsumatorëve, e që nënkupton ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së tyre dhe mbrojtjen e tyre nga tentativat dhe përpjekjet abuzive të tregtarëve të prirur për keqpërdorime në procesin e tregtimit, qoftë me çmime, sasi apo cilësi të produkteve të ekspozuara në treg, ishte fare sipërfaqësor. Konsumatorët në Kosovë, një kohë të gjatë, në të gjitha ditët në vitet e fundit, janë jashtë vëmendjes institucionale. Ndërkohë, Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorëve, i miratuar që në qershor të vitit 2004, sado që në shumë nene të tij parasheh të drejtën e informimit, sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar për konsumatorin, është praktikisht jofuksional. Tani e 20 e sa vjet qëkur është miratuar, ka nevojë të rishikohet, të plotësohet me norma dhe rregulla të reja më kërkuese kundrejt tregtarëve me shumicë dhe me pakicë të mallrave dhe të shërbimeve. Kanë ndryshuar rrethanat thuaja radikalisht tani pas mbi 20 vjetësh, ndërsa konsumatorët kosovarë thjeshtë duan dhe kërkojnë që të jenë më të mbrojtur sa i takon blerjeve të produkteve të ndryshme, duke pasur më shumë të drejta në raport me tregtarët.

Tani, edhe në Kosovë, legjislacioni që ka të bëjë me mbrotjen e konsumatorit duhet të azhurohet, të përditësohet dhe t’i përshtatet specifikave të vendit, por në masë të madhe edhe standardeve të BE-së, ku, siç dihet, konsumatori është gjithnjë në qendër të vëmendjes, dhe asnjëherë dhe në asnjë rast i margjinalizuar dhe jashtë orbitës së përkujdesit shtetëror.

Në këtë situatë, në parandalimin e ngritjes së çmimeve dhe të abuzimeve brutale në procesin e tregtimit të mallrave, do të ishte mirë të shikohen edhe përvojat interesante të vendeve të tjera të rajonit, dhe pse jo, të zbatohen edhe këtu. Edhe në këto rrethana me anarki dominuese në fushën e mbrojtjes së konsumatorit në Kosovë si rrjedhojë e mungesës së institucioneve të rëndësishme të vendit, është e domosdoshme dhe urgjente të punojë ndonjë institucion apo subjekt shtetëror për t’u përballur me tendencat abuzive në sektorin e çmimeve, për të frenuar rrezikimin e mirëqenies së kosovarëve shumicë, dhe në instancë të fundit për t’i dalë krah sigurisë nacionale. Do të ishte e udhës, pra, inspeksionet e tregut nga niveli qendror, deri te ato të qendrave komunale, të inspektojë përditë rrjetet e shitorëve, marketet dhe supermarketet, për të ndëshkuar abuzuesit. Ndërsa Auroriteti i Konkurrencës të Kosovës që ka të gjitha informatat për ankesat e panumërta për çështjen e abuzimeve me çmime, dhe disa prej tyre kanë adresë edhe këtë asociacion, së paku do të duhej të sanksionojë tregtarët dhe shërbyesit keqpërdorues, siç kishte premtuar, pas ngritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe të instensifikojnë monitorimin e tregjeve për t’u dalë në mbrojtje konsumatorëve. /Buletini Ekonomik