Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar sot për fillimin e punimeve ndërtimore për projektin e centralit fotovoltaik Solar4Kosovo I.
Sipas KEK-ut, projekti në fjalë përfaqëson një hap të rëndësishëm në tranzicionin energjetik të Kosovës, duke kontribuar në rritjen e prodhimit nga burime të qëndrueshme dhe të ripërtëritshme të energjisë.
Ky projekt do të financohet nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), Qeveria Gjermane përmes KfW, si institucioni kryesor financiar ndërkombëtar, Banka Evropiane për Investime (BEI) si dhe Korporata Energjetike e Kosovës sh.a.
Në bazë të njoftimit nga KEK, punimet ndërtimore do të zhvillohen në zonën afër Termocentralit Kosova A, që shtrihet në komunën e Obiliqit dhe Fushë Kosovës. Këto punime kryesisht lidhen me banorët e Kryshevcit (Dardhishtë) dhe lagjes Mërlak në fshatin Kryshevc, komuna e Obiliqit.
Lidhur me këtë rast, KEK sqaron se deri më tani nuk ka ndërmarrë masa ndaj përdorimit të paautorizuar të tokës, pasi nuk ka ekzistuar një plan konkret zhvillimor për atë zonë.
“Për më tepër, në përputhje me përgjegjësitë e saj si kompani publike dhe në kuadër të politikave të Përgjegjësisë Shoqërore Korporative (CSR), KEK ka treguar mirëkuptim dhe ka toleruar këtë shfrytëzim të përkohshëm nga komuniteti lokal. Prandaj, është e rëndësishme të informohen të gjithë përdoruesit e paautorizuar të tokës se: Toka në fjalë është pronë e KEK-ut; KEK është në përgatitje për punimet e ardhshme ndërtimore të projektit solar”, thonë nga KEK.
Ky sezon bujqësor i vitit 2025 (gusht 2025), KEK thotë se paraqet sezonin e fundit kur janë zhvilluar aktivitete bujqësore në këto toka dhe pas kësaj periudhe, nuk do të lejohet më asnjë përdorim i tokës nga persona të paautorizuar.
“Ky njoftim bëhet për të siguruar transparencë dhe informim të drejtë për të gjithë përdoruesit e pa autorizuar të tokës, përveç njoftimeve zyrtare dhe tabelave paralajmëruese që do të vendosen në perimetrin e zonës së projektit, e cila do të jetë e rrethuar me gardh sigurie”, përfundon komunikata e KEK-ut. /Buletini Ekonomik/









